19 Prill 2024

Ahmeti: Nuk mund të plotësohet çdo kërkesë e secilit ndërtimtar

Prishtinë, 28 prill - Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti u takua me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu me të cilin diskutuan lidhur me rrethanat e krijuara midis Komunës së Prishtinës dhe Shoqatës së Ndërtimtarëve.

Kryetari Ahmeti gjatë këtij takimi theksoi se gjatë vitit të kaluar me të gjithë drejtorët është punuar në planin qeverisës ndërsa njëra prej pikave kryesore ka qenë rregulli dhe rendi në urbanizëm.

Ai u shpreh se në këtë mënyrë është vendosur rregull dhe rend duke i ndaluar të gjitha ndërtimet pa leje, duke evidentuar 46 mijë ndërtime pa leje në Komunën e Prishtinës, si dhe duke i formalizuar dhe thjeshtuar të gjitha procedurat që kanë të bëjnë me ndërtimet në Komunën e Prishtinës.

“Me Shoqatën e Ndërtimtarëve kemi pasur disa takime dhe janë plotësuar disa kërkesa të tyre, duke përfshirë edhe kërkesën kryesore që t’i pranojnë garancionet e kompanive të sigurimit, gjë që e kemi aprovuar brenda dy ditëve. Ka qenë kërkesa  për pagesën e borxheve me këste, që e kemi aprovuar.\"

\"Njëkohësisht, jemi dakorduar që të punojmë në konkretizimin e marrëveshjes për të plotësuar edhe kërkesat e tjera të tyre që kishin të bënin me heqjen e disa kushteve për leje. Lidhur me këtë, ne kemi krijuar një grup ku shoqata e ndërtimtarëve e kanë një përfaqësues të tyre që e ka zyrën në Drejtorinë e Urbanizmit. Bashkë me USAID-in jemi dakorduar që një grup punues t’i shqyrtojë edhe kërkesat e tjera”, tha Ahmeti.

I pari i Komunës së Prishtinës tha se mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e interesave të Komunës dhe qytetarëve të Prishtinës.

Sipas tij, ndërtimtarët janë me rëndësi, mirëpo nuk do të thotë kjo se mund të plotësohet çdo kërkesë e secilit ndërtimtar, posaçërisht, nënvijëzoi Ahmeti,  kur dihet se kërkesat e disa prej tyre kanë prapavijë politike.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se OEK mbetet e përkushtuar në mbrojtjen dhe përkrahjen e interesave të komunitetit afarist. Mirëpo, sipas tij, vetëm komunikimi i ndërsjellë me institucionet përkatëse si dhe respektimi i ligjeve në fuqi është rruga e vetme që sjellë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

“Pavarësisht shqetësimeve të ngritura nga Shoqata e ndërtimtarisë lidhur me procedurat e dhënies së lejeve për ndërtim, duhet shteruar të gjitha metodat institucionale në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë dhe të prodhohet një bashkëpunim i frytshëm që do të jetë në dobi të të dy palëve. Vetëm përmes një dialogu konstruktiv mund të avancohet partneriteti i domosdoshëm dhe të tejkalohen problemet që janë grumbulluar gjatë shumë viteve. Tashmë në Komunën e Prishtinës është një realitet i ri, mirëpo jam i bindur se me një përkushtim dhe vullnet të mirë do të gjinden mundësitë që të gjejnë mirëkuptim disa prej kërkesave të ndërtimtarëve, veçanërisht në aspektin e përshpejtimit të procedurave të dhënies së lejeve ndërtimore.\"

\"Pas këtij takimi mbetem optimist se Komuna e Prishtinës do të angazhohet edhe më shumë në krijimin e lehtësirave si dhe do të thjeshtojë procedurat burokratike brenda mundësive të saj ligjore, ndonëse një përpjekje e tillë në vazhdimësi është evidente”, tha Gërxhaliu.

Të pranishëm në takim ishin edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Liburn Aliu si dhe përfaqësues të OEK.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)