19 Prill 2024

ContourGlobal shpreson të fillojë ndërtimin e TV Kosova e RE

New York, 28 prill - Kompania gjigante operuese e energjisë elektrike, me seli në New York, ContourGlobal shpreson që të fillojë ndërtimin e termocentralit të ri në Kosovë gjatë 18 muajve të ardhshëm, projekt ky që pritet të krijojë mijëra vende të reja pune.

Kështu ka deklaruar për agjencinë Reuter zëvendëspresidenti, Garry Levesley për të theksuar se projekti tashmë kishte marrë mbështetjen si nga Banka Botërore ashtu edhe nga Administrata Amerikane.

Të gjitha qeveritë e Kosovës në 15 vjetët e fundit, para dhe pas shpalljes së pavarësisë kanë bërë plane e strategji, kanë premtuar dhe negocuar me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të reja energjetike, një termocentrali të ri të quajtur herë \"Kosova C\" e herë \"Kosova e Re\".

Termocentrali do të ndërtohet pranë atyre shumë ndotëse, termocentraleve të vjetra, me qëllim të zgjidhjes njëherë e përgjithmonë të mungesës endemike të energjisë elektrike dhe së këndejmi pengesës kryesore dhe kushtit kyç për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Termocentrali i ri ishte çështje e bisedimeve edhe gjatë takimeve vjetore të Bankës Botërore nga mesi i prillit në Washington. Siç e tha gjatë vizitës Ministri i Financave, Avdullah Hoti, projekti ‘do të ketë dy blloqe me kapacitete prej 330 megavatësh secili’ me një kosto që llogaritet të jetë rreth 1.4 miliard euro.

Tash për tash nga ofertuesit e mëparshëm ka mbetur në garë, vetëm gjiganti energjetik, ContourGlobal, një investues në fushën energjetike edhe në Bullgari.

Përmes ofertës që ka prezantuar, ContourGlobal ka konfirmuar se është i gatshëm dhe ka kapacitet financiar për të investuar deri në 30% të kostos së përgjithshme të investimit si dhe se ka qasje në kredi për pjesën e mbetur prej 70% të kostos së investimit të termocentralit.

ContourGlobal është një kompani private amerikane e cila zhvillon, blenë dhe operon me kompani gjeneruese të energjisë elektrike anekënd globit. Ajo aktualisht operon me tetë biznese në katër kontinente ndërsa ka zyra të saj edhe në Londër, Paris, New York dhe Sao Paolo. 

/RTK/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)