29 Mars 2024

Kërkohet që drejtësia të jetë e pavarur nga politika

Prishtinë, 27 prill - Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetarja e komisionit Teuta Sahatqija,  ka raportuar ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, lidhur me procesin e integrimeve evropiane.

Me theks të veçantë, ai ka folur lidhur me përmbushjen e reformave në sistemin e drejtësisë,  si dhe për dialogun e strukturuar, që ka të bëjë me rendin dhe ligjin në Kosovë.

Fillimisht ministri Kuçi gjatë diskutimit të tij tha se MD-ja është e fokusuar në fushën legjislative për të plotësuar çështjet që kanë të bëjnë në fushën penale. Ai tha se Kosova tanimë ka një infrastrukturë ligjore në këtë drejtim,  duke përmendur me këtë rast 44 ligjet e proceduara në Kuvend.

Duke folur për ndërtimin e infrastrukturës për sistemin e drejtësisë, me theks të veçantë për kushtet e të burgosurve dhe të paraburgosurve, Kuçi sqaroi se qendrat e paraburgimit do të hiqen nga qendra e qytetit dhe se kjo do të realizohet brenda mandatit të tij.

“Duhet të ndërtojmë një sistem sa më të pavarur dhe sa më efikas. Ne, kemi ndërtuar bazë të mirë juridike, gjyqtarët e kanë mandatin e përhershëm dhe sistemin buxhetor, kështu që pres të ketë ngritje të vazhdueshme në këtë sistem”, tha Kuçi, duke sqaruar më tej se brenda tri viteve Kosova do ta ketë kodin e vet civil, si dhe do të harmonizohen të gjitha ligjet ekzistuese. Ai ka vlerësuar se ministria të cilën ai e drejton nuk ka ndikim në gjyqësi.

Më tej, ministri i Drejtësisë ka folur edhe për çështjen e mandatit të EULEX-it. Lidhur me këtë ai tha se duhet të marrim përgjegjësitë tona dhe se në vitin 2016 misioni i EULEX-it duhet ta përfundojë mandatin, ashtu siç është e përcaktuar.

Marrëveshja për Drejtësinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, krijimi i Gjykatës Speciale, burgjet dhe çështja e sigurisë nëpër burgje, legjislacioni që duhet plotësuar dhe ndryshuar, EULEX-i, Pallati i Drejtësisë, numri i lartë i lëndëve nëpër gjykata, çështja e amnistisë së të burgosurve, etj,  ishin disa nga çështjet që u ngritën nga anëtarët e komisionit,  për të cilat ata morën përgjigje nga ministri Kuçi.

Gjatë diskutimit të anëtarëve të komisionit,  u vlerësua se duhet të ndërtohet sistem i pavarur i drejtësisë  dhe se duhet të krijohet ambient i duhur për pavarësinë e gjyqtarëve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)