28 Mars 2024

FMN vlerëson lartë Kosovën

Prishtinë, 24 prill - Ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza vlerësuan lartë vizitën në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banken Botërore (BB) në SHBA.

“Gjatë vizitës 8 ditore në Washington ku së bashku me guvernatorin e Bankës Qendrore z. Bedri Hamza kemi marrë pjesë në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.\"

\"Ne i kemi bindur përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe Bankës Botërore se Kosova ka stabilitet makrofiskal dhe financiar dhe se Kosova nuk ka nevojë për program me FMN-në për të ruajtur stabilitetin makrofiskal, sepse ne e mirëmbajmë vetë atë.\"

\"Por, kemi nevojë për mbështetje të FMN-së për të siguruar një kredibilitet të organizatave ndërkombëtare karshi financave publike që ne të kemi mundësi të hyjmë në kredi ndërkombëtare tek Banka Botërore, EBRD, EIB dhe te organizatat tjera të cilat janë të gatshme të financojnë projekte të Qeverisë së re”  tha ministri Avdullah Hoti sot në Konferencën për Media.

Ai bëri të ditur se gjatë vizitës në Uashington së bashku me guvernatorin Hamza përveç pjesëmarrjes në takimet pranverorë të FMN-së dhe Bankës Botërore janë takuar edhe me përfaqësues të lartë të Departamentit të shtetit, Thesarit amerikan, si dhe të organizatave tjera.

“Ne jemi takuar me zëvendësdrejtorin menaxhues të FMN-së z. Min Zhu, i cili për herë të parë do ta vizitojë Kosovën në fund të majit, që njëherit është vizita më e lartë e FMN-së që ndodhë në vendet e rajonit, për shkak të vlerësimit të lartë që ka Fondi Monetar Ndërkombëtar për Qeverinë e re dhe për Kosovën”, tha Ministri Hoti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se gjatë kësaj vizite janë takuar me drejtorin e Departamentit për Evropë në FMN z. Paul Thomsen, me drejtorin ekzekutiv që mbulon Kosovën z. Ibrahim Canakci, si dhe me shefin e Misionit të FMN-së për Kosovë z. Jacque Miniane, ku të gjithë këta i kanë vlerësuar përpjekjet e Qeverisë së re që po i bënë në konsolidimin financiar të vendit dhe në hapjen e perspektivës zhvillimore.

Ministri Hoti bëri të ditur se me Fondin Monetar Ndërkombëtar janë pajtuar në terma të përgjithshëm për një program të mundshëm, të cilin do ta negociojnë shumë shpejtë, i cili program Kosovës i mundëson që ta mbajë stabilitetin makrofiskal në vend,  por në të njëjtën kohë të hapet mundësia  për projekte zhvillimore.

“Pas përmbylljes së takimeve me Fondin Monetar Ndërkombëtar në këtë frymë ne kemi zhvilluar takime edhe me zyrtarë të lartë të Bankës Botërore ku kemi biseduar për projekte specifike. Pra, Banka Botërore është bindur që FMN-ja bashkë me ne do të sigurojë këtë stabilitet makrofiskal në vend dhe pastaj ne do të hyjmë në projekte konkrete” tha Ministri Hoti.

Ministri i Fiannacve gjithashtu bëri të ditur se në takimet me Bankën Botërore janë prezantuar idetë kryesore për projektet që i ka Qeveria e re e Kosovës, duke shtuar se janë dy projekte të mëdha të ujitjes së tokave bujqësore, një në rrafshin e Kosovës dhe një në rrafshin e Dukagjinit që do të dyfishojnë hapësirat e tokave bujqësore në ujitje, është projekti i informatizimit të plotë të shkollave, projekti i modernizimit të shëndetësisë, projekti i hekurudhave nga Klina deri në Prizren për të funksionalizuar atë pjesë të hekurudhave dhe disa projekte të vogla.
 
Ministri Hoti tha se kanë marrë mbështetjen në parim të Bankës Botërore për të përkrahur këto projekte  pasi të konkretizohen bisedat me FMN-në.

“Gjatë vizitës në Uashington kemi pasur takime shumë të frytshme edhe me JICA japoneze, ata na kanë prezantuar kushtet e tyre të financimit të projekteve të Qeverisë. Kemi pas takime me  Departamentin e shtetit dhe me Thesarin  e shtetit amerikan për t’i falënderuar në fakt edhe për mbështetjen që na kanë dhënë deri tash në ndërtimin e Thesarit këtu në Kosovë dhe për t’i kërkuar mbështetje më tutje.  Në  Departamentin e shtetit  për t’i informuar rreth  zhvillimeve që po ndodhin në Kosovë dhe gjithashtu për të parë mundësinë e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbështetjen e tyre të mëtutjeshme ” ka shtuar ministri Avdullah Hoti.

Ndërsa, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Bedri Hamza ka thënë se “Në përgjithësi ka qenë një vizitë e suksesshëm dhe këtë e konfirmon edhe fakti se e ka konfirmuar vizitën në Kosovë zëvendësdrejtori menaxhues i FMN-së z. Min Zhu, që njëherit është   vizita më e lartë e këtij institucioni në Kosovë. Do të thotë në përgjithësi vlerësojmë se ka qenë një vizitë e suksesshme dhe presim rezultate konkrete në të ardhmen”.

“Ne jemi dakorduar në parim që të kemi një program  me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe arsyeja e këtij programi nuk qëndron në ruajtjen e stabilitetit makrofiskal dhe financiar, pasi që stabiliteti makrofiskal dhe financiar vlerësohet lartë nga këto institucione, por mbi të gjitha është pasi që programi i FMN-së merret edhe si pikë reference nga institucione të tjera”, ka thënë Guvernatori Hamza.

Ai gjithashtu shtoi se “Ne do të kemi program me FMN-në me qëllim të thellimit të bashkëpunimit me institucione të tjera, me Bankën Botërore, me JICA dhe me institucione të tjera financiare ndërkombëtare për përfitimin e përkrahjes së mbështetjes së tyre financiare për  projektet zhvillimore sidomos në aspektin dhe në kategorinë e projekteve kapitale”.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)