28 Mars 2024

Për tre muaj, 3 500 aksidente

Prishtinë, 19 prill - Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, në Kosovë, sipas të dhënave të policisë kanë ndodhur 3500 aksidente në komunikacion, me nëntëmbëdhjetë persona të vdekur.

Shkak i aksidenteve, kryesisht ka qenë mosrespektimi i rregullave të trafikut nga vozitësit e automjeteve.
Zyrtarët e Policës së Kosovës, kanë bërë të ditur se brenda kësaj periudhe kanë shqiptuar mbi 70 mijë gjoba në trafik.
Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, aksidentet në komunikacion kanë shënuar rënie, por që sipas Policisë së Kosovës edhe këto shifra janë shqetësuese.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë ka marrë masa në parandalimin e aksidenteve të trafikut.

“Policia e Kosovës me njësitë relevante të saj, rregullisht ka ndërmarrë masa konkrete në ngritjen e nivelit të sigurisë në komunikacionin rrugor, e posaçërisht në periudha të caktuara kohore përmes planeve operative ka shtuar kapacitetet e saj në trafik për parandalim të aksidenteve”, ka bërë me dije Hoxha.
Mos disiplina në komunikacion dhe një varg faktorësh, të cilët injorohen nga vozitësit, sjellin deri te aksidentet.

Nuhi Rama, punon si taksist për 15 vjet më radhë. Ai tregon për Radion Evropa e Lirë se gjendja në komunikacion është tejet e ngarkuar dhe se vozitësit në Kosovë nuk respektojnë shenjat.

“Nuk ka kulturë të ngasjes në Kosovë, të gjithë janë duke u ngutur, nuk janë vetëm qytetarët e rëndomtë që ngasin pa i respektuar rregullat e komunikacionit, janë edhe policia, janë zyrtarët qeveritar. Më ka ndodhur në zebra kam qenë duke kaluar rrugën, policia ka ardhur me shpejtësi dhe sa nuk më ka shkelur. Unë që 15 vite vozis, por asnjëherë nuk më ka ndodhur që të shkaktojë aksident, duhet të vozisim mirë”, ka theksuar ai.

Për të parandaluar aksidentet në komunikacion, Rama ka vlerësuar se kjo mund të bëhet duke vendosur polic civil në semaforë.
Ardian Ajeti vozitës, thotë se përveç që në disa raste mungojnë edhe shenjat e komunikacionit, qytetarët e Kosovës nuk dinë të vozisin si duhet. Sipas tij, shumë njerëz në Kosovë janë pajisur me leje të vozitjes pa i plotësuar kushtet.

“Jo më larg se para disa ditësh, pata një aksident në komunikacion, ku një makinë më goditi nga pas. Fatmirësisht shpëtuam pasi që shpejtësia nuk ishte e lartë. Kur dola nga vetura, personi që më qëlloi tha fajet i ka telefoni, pra ai voziste fliste në telefon në të njëjtën kohë derisa ishte duke vozitur. Ja sa respektohen tek ne rregullat e komunikacionit”, ka thënë ai.
Me qëllim të parandalimit të aksidenteve në komunikacionin rrugor, Policia e Kosovës vazhdon të apeloj tek të gjithë ngasësit e automjeteve që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit.

Gjobat për pjesëmarrësit në komunikacion të cilët nuk iu përmbahen kufizimeve, ndalimeve dhe obligimeve të shprehura përmes shenjave dënohen me 35 euro. Gjobat sipas ligjit për sigurinë në komunikacion në Kosovë mund të jenë edhe më të larta varësisht nga shkeljet që bëjnë pjesëmarrësit në komunikacion.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)