18 Prill 2024

Prishtina me probleme serioze për mbrojtjen dhe trajtimin e ujërave

Prishtinë, 1 prill - Lumenjtë e Prishtinës gati sa nuk janë shndërruar në deponi të mbeturinave të llojeve të ndryshme, e si pasojë edhe dëmet nga këto ujëra janë të mëdha, u tha në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Qendra për Politika dhe Avokim (QPA).

Diskutimi u përqëndrua në draft-strategjinë kombëtare të ujërave 2014-2033 të hartuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësior dhe gjendjen e lumenjëve në komunën e Prishtinës.

Duke prezentuar këtë strategji para përfaqësuesve të komunës së Prishtinës, Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, shoqërisë civile dhe mediave, Milaim Morina nga QPA tha se qëllimi i përgjithshëm i strategjisë është: të sigurojë zhvillimin dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve ujore, të cilat janë të domosdoshme për shëndetin publik, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin social-ekonomik të Kosovës; të sigurojë mbrojtjen e resurseve ujore nga ndotja, tejshfrytëzimi dhe keqpërdorimi; si dhe të përcaktojë strukturat insitucionale për administrimin e resurseve ujore.

Liburn Aliu, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit shprehu shqetësim për mungesën e një kolektori, i cili do t’i trajtonte ujërat e zeza në Prishtinë.

Ai tha se gjatë të rreshurave të mëdha atmosferike, shpesh ndodh të ketë vërshime të ujërave të zeza. Sipas tij, në mungesë të një kolektori, për çdo investim që po bëhet në Prishtinë, po ndërtohet një impiant i veçantë për të trajtuar këto ujëra.

Aliu bëri të ditur se edhe bizneset po stimulohen nga komuna për të bërë trajtimin e ujërave, për ç’gjë komuna po u ofron 10 përqind më shumë hapësirë ndërtimi.


Xhelal Sfeçla, drejtor i Drejtorisë së  Inspekcionit në komunën e Prishtinës ndër të tjera theksoi angazhimin e tyre për t’i larguar deponitë e mëdha dhe të vogla të mbeturinave që kufizohen me rrjedhën e ujërave në komunën e Prishtinës. Ai vlerësoi se komunën e pret një punë e madhe për të zgjidhur këtë problematikë, ndërsa kërkoi mbështetjen e qeverisë në këtë drejtim.


Sipas zyrtarëve komunal, lumenjtë e Prishtinës, që kanë një ndikim më të madh dhe kanë nevojë për një ndërhyrje më urgjente janë lumi Graqanka, lumi Prishtina/Preshtevka dhe lumi Llap. Zyrtarja për mjedis, Seniha Bajraktari vlerësoi se vërshimet e këtyre ujërave vijnë si rezultat i bllokimit të shtretërve të lumenjëve nga mbeturinat dhe bllokimi i rrjedhjeve normale të këtyre ujërave.


“Lumi Graqanka e ka ujin gjithmonë të ndotur si rezultat i pompimit të ujërave nga minierat e Kishnicës dhe Artanës dhe në veti përmban sasi të mëdha të metaleve të rënda si zinku, plumbi etj, lumi Prishtina më së paku mund të quhet lum ngase më tepër i përngjan një kolektori të ujërave të zeza të kryeqytetit, lumi Llap është kryesisht i mbushur me përbërës të mbeturinave të llojeve të ndryshme”, sqaroi znj.Bajraktari.


Si problem i veçantë gjatë këtij diskutimi u përmend edhe funksionimi i dy pikave të derivateve në afërsi të liqenit të Badovcit. Kryeshefi ekzekutiv i Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Gjelosh Vataj tha se “ato janë si dy bomba atomike që mund të shpërthejnë në çdo kohë dhe si rrjedhojë liqeni të mbetet i pashfrytëzuar”.

Ai potencoi edhe nevojën e ndërprerjes së qarkullimit të mjeteve transportuese të rrezikshme në afërsi të liqenit të Badovcit dhe Batllavës, për të parandaluar ndonjë fatkeqësi të derdhjes së naftës në këto liqene, me çka do të pamundësohej shfrytëzimi i ujit për pije.


Pjesëmarrësit u pajtuan se draft-strategjia kombëtare e ujërave 2014-2033 është një dokument mjaft i mirë për përmirësimin e gjendjes në terren dhe shfaqën shpresën se dokumenti do të miratohet në Kuvend dhe do të zbatohet nga të gjitha palët.

Me diskutimin në Prishtinë, Qendra për Politika dhe Avokim përmbylli ciklin e debateve nëpër komuna mbi draft-strategjinë kombëtare të ujërave 2014-2033, në kuadër të projektit “Mbrojtja e Lumenjëve”, mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)