20 Prill 2024

Kuvendi do të zhvillojë debat lidhur me 100-ditëshen e qeverisë

Prishtinë, 30 mars - Votimi i tri pikave të mbetura nga seanca e kaluar e Kuvendit, pritet të bëhet të enjten, ndërkaq në po të njëjtën ditë, Kuvendi do të mblidhet në seancë të re plenare.

Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Në vazhdimin e seancës së paradites, Kuvendi pritet të votojë rekomandimet për Radiotelevizionin e Kosovës, të zgjedh Avokatin e Popullit dhe të emërojë një anëtar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Në seancën e pasdites, ndërkaq, pas pikave të zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, Kuvendi do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, si dhe të bëjë shqyrtimin e dytë të Projektligjit nr. 05/L-09 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike. Do të shqyrtohet gjithashtu, rekomandimi për transferimin e mjeteve nga Buxheti i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës në Buxhetin e Komunës së Gjakovës për vitin 2015, si dhe pritet të zgjidhen anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Në këtë seancë Kuvendi do të zhvillojë debat parlamentar lidhur me punën 100-ditëshe të kryeministrit Isa Mustafa dhe Programin Qeverisës, sipas kërkesës së deputetit Glauk Konjufca, mbështetur edhe nga gjashtë deputetë të tjerë dhe do të shqyrtojë rekomandimin e Komisionit për të Drejta të Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione lidhur me Peticionin kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike.

Në vazhdim të mbledhjes së sotme, Kryesia shqyrtoi edhe disa rekomandime, kërkesa e njoftime. Kështu, u vendos që kërkesa e deputetit Nait Hasani, mbështetur edhe nga gjashtë deputetë tjerë, për debat parlamentar lidhur me gjendjen e arsimit në Luginë të Preshevës, të dërgohet fillimisht në qeveri dhe të kërkohet mendimi lidhur me rekomandimet e propozuara.

Kryesia u njoftua, gjithashtu, lidhur me disa vizita zyrtare jashtë vendit të delegacioneve të ndryshme të Kuvendit të Kosovës dhe vizita të delegacioneve parlamentare të shteteve të tjera që priten të zhvillohen në Kosovë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)