29 Mars 2024

OEGJK duhet të jetë një zë i fortë për ndërmarrjet

Prishtinë, 6 mars - Presidenti i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare Samir Krasniqi, në një takim me biznesmenët llapjan, u ka premtuar atyre mbështetje të vazhdueshme për ecurinë sa më të mirë të punës së tyre.

Ai, gjithashtu ka thënë se rritja e OEGJK-së me anëtarë të ri është vlerë e shtuar e ndërmarrësisë kosovare, pavarësisht ku ata veprojnë, në Kosovë apo në Gjermani.

Pos shumë kompanive gjermane që operojnë efektshëm në Kosovë, Krasniqi ka përmendur disa shembuj shumë të suksesshëm të bizneseve kosovare që tashmë janë futë në tregun e shtetit gjerman dhe veprojnë atje.

Megjithatë ai ka thënë se kjo nuk është e mjaftueshme dhe se mund të bëhet shumë më tepër. ‘‘Ne mund të bëjmë edhe më shumë për sjelljen e bizneseve gjermane në Kosovë‘‘, tha z. Krasniqi.

Ai tha se ka akoma ka shumë vend për vetë kritikë dhe nevojitet fokusim i qartë, qoftë në problemet që e rëndojnë biznesin qoftë në mundësitë e zgjerimit të tij, për të arritur rezultatet e dëshiruara.

Zëvendës ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Matthias Kiesler, i pranishëm në takimin me afaristët e Komunës së Podujevës, tha se është shumë e rëndësishme të dilet në terren, kështu siç bënë Oda Ekonomike Gjermano - Kosovare, për të bashkëbiseduar me afaristët dhe për të njohur problemet e tyre praktike.

‘‘Oda Ekonomike Gjermano – Kosovare, duhet të jetë një zë i fortë për ndërmarrjet sepse zhvillimi ekonomik është i një rëndësie shumë të madhe për Kosovën‘‘, tha Matthias Kiesler.

Ai ka vlerësuar lartë punën e bizneseve në Kosovë, duke e cilësuar si katalizatorin kryesor për zbutjen e lartë të papunësisë.

Zëvendës ambasadori i Gjermanisë, ka porositur ndërmarrësit e Podujevës që të jenë të guximshëm në veprimet e tyre dhe të mos lënë vetëm në letër idetë që kanë për biznesin.

Ai ka thënë se Gjermania mbetet mike shumë e mirë e Kosovës dhe këto marrëdhënie të mira, i forcon edhe më shumë Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare. 

Nënkryetari i Komunës së Podujevës z. Nexhmi Rudari, ka shpalosur planet e kësaj komune për të ndihmuar bizneset në afarizëm më të mirë.

Ai ka thënë se me kapacitetet maksimale që ka komuna, do të vazhdojnë të mbështesin gjithë sektorin ekonomik të kësaj treve. Rudari, ka përmendur se gjatë vizitës së ditë mëparshme që kishin si komunë në Gjermani, ka parë interesim të shtuar të ndërmarrësve gjerman për të investuar në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i OEGJK-së, z. Azem Rexhaj, ka folur shkurtazi për historikun e Odës, duke ritheksuar se dyert e saj do të jenë të hapura për të dëgjuar dhe ndihmuar të gjitha bizneset në Kosovë, me qëllim rritjen e volumit të punës së tyre.

Ai po ashtu ka shtuar se OEGJK, është në kontakt të vazhdueshëm me partnerë biznesor gjerman për t’i sjellë investimet e tyre në vend.

Në këtë takim, janë biseduar edhe shumë çështje dhe preokupime të ngritura nga biznesmenët llapjan, si dhe është shprehur gatishmëria e tyre për të qenë anëtarë të Odës Ekonomike Gjermano – Kosovare.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)