20 Prill 2024

Falja e borxheve do të kushtëzohet dhe do të bëhet me ligj

Prishtinë, 4 mars - Në mbledhjen e sotme te Qeverisë së Kosovës është shqyrtuar dhe miratuar rekomandimi i Komisionit ekzekutiv për shqyrtimin e mundësive për faljen e borxheve të personave fizik dhe juridik, ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike në Republikën e Kosovës.

Sipas rekomandimit falja e borxheve ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike në Republikën e Kosovës, deri me 31 dhjetor 2008, duhet të bëhet me ligj.

Hartimi i projektligjit për faljen e borxheve të përfshihet në Programin Legjislativ për vitin 2015 dhe brenda tre muajsh të paraqitet për shqyrtim dhe miratim në Qeveri. Falja e borxheve në këtë periudhë deri më 31 dhjetor 2008 të jetë gjithëpërfshirëse.

Komisioni rekomandon që falja e borxheve për periudhën deri më 31 dhjetor 2008 të kushtëzohet me pagesën e plotë ose hyrjen në marrëveshje të personave fizik apo juridik me organet kompetente për pagesën e borxheve nga data 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014 dhe mundësia për të përfituar nga kjo falje të vlejë një vit nga data e hyrjes në fuqi e ligjit.

 “Pas një muaji punë të Komisionit për faljen e borxheve, ne përfundimisht kemi dal sot para Qeverisë me rekomandimet e komisionit të cilat sot u aprovuan në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ne si Komision shumë shpejtë do të prezantojmë para Qeverisë për aprovim edhe projektligjin për faljen e borxheve”, ka bërë të ditur Ministri i Financave Avdullah Hoti në Konferencën për Media, pas mbledhjes së rregull të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ai bëri të ditur se “Komisioni ka rekomanduar se falja e borxheve duhet të bëhet me ligj  dhe menjëherë Qeveria do të fillojë punën për përgatitjen e ligjit për faljen e borxheve që do të shkojnë në Kuvendin e Kosovës për aprovim. Draft ligji menjëherë është përfshirë në programin legjislativ të Qeverisë për vitin 2015, dhe i njëjti komision është mandatuar që tash të punojë në draft ligjin e ri për faljen e borxheve”.

Ministri Avdullah Hoti tha se “Komisioni ka rekomanduar që falja e borxheve të jetë gjithëpërfshirëse, pra të vlejë për të gjithë qytetarët dhe të gjitha bizneset në gjithë territorin e Kosovës. Përveç faljes së borxheve deri në fund të vitit 2008, pra deri më 31 dhjetor të vitit 2008 kemi futur edhe disa insetiva shtesë që qytetarët të nxiten të kryejnë procedurat për faljen e borxheve. Pra, jemi pajtuar që  të gjithë ata që pranojnë të kryejnë obligimet nga data 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014 të ju shlyhen të gjitha borxhet”.

“Pra, falja e borxheve deri në fund të vitit 2008 të jetë e kushtëzuar me shlyerjen e obligimeve nga viti 2009 deri në vitin 2014, në dy mënyra nëse shlyhen të gjitha borxhet 2009 – 2014 atëherë do të shlyhen edhe borxhet për vitin 2008 e më herët. Ndërsa nëse hyhet në marrëveshje për të kryer obligimet prej vitit 2009 deri në vitin 2014 atëherë pala lirohet nga ndëshkimi por paguan vetëm për interesin në borxhin gjatë kësaj periudhe”, ka shtuar Ministri Hoti.

Sipas Ministrit Hoti rekomandim tjetër i Komisionit për faljen e borxheve është që:  Ligji për faljen e borxheve do të vlejë 1 vit nga hyrja në fuqi. Pra, gjatë 1 viti qytetarët dhe bizneset do të kenë mundësi që të përfitojnë nga kjo amnisti fiskale që ofrohet nga shteti i Kosovës.

Ai gjithashtu bëri të ditur se Ligji do të saktësoj se cilat borxhe do të falen: “ Në parim ne kemi rekomanduar që të shkohet me faljen e borxheve sa i përket furnizimit me energji, furnizimit me ujë, me ngrohje, pagesa për mbeturina, obligimet e bizneseve dhe qytetarëve ndaj Administratës Tatimore dhe ndaj Administratës Doganore dhe obligimet e qytetarëve dhe bizneseve për pagesën e tatimit në pronë”, tha  Ministri Hoti.

Ministri Hoti gjithashtu njoftoi se Qeverisa e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj ka  aprovuar edhe një tjetër propozim-vendim  shumë të rëndësishëm, atë për themelimin e Komisionit qeveritar që shumë shpejtë do të dal para Qeverisë me koncept- dokumentit  për themelimin e  Fondin për Investim dhe Punësim – Fondin  Zhvillimor.

“Unë kam zhvilluar biseda me donatorë dhe me institucione të ndryshme, në vizitën që kam pasur në Slloveni, ndërsa në vizitën që do të kemi shpejtë në Austri do të ofrojmë  kornizën ligjore dhe funksionale të këtij fondi. Vlerën ende nuk e dimë por kemi mjete edhe prej buxhetit të Kosovës, veç janë zotuar mjete prej donatorëve. Ne tash po mendojmë për vendosjen e kornizës ligjore dhe funksionale dhe objektivat që do t’i përmbush ky fond” , ka bërë të ditur Ministri Hoti. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)