20 Prill 2024

Epoka e errët e Presidentës

Shkruar nga Besim Mehmeti

Presidenten e vendit që nga përvjetori i 7-të i Pavarësisë, po e shohim dhe po e dëgjojmë duke thënë se: ,,Gjatë shtet ndërtimit kemi bërë shumë gabime”, duke mos i specifikuar se për cilat gabime e ka fjalën, duke fajësuar partitë politike, por jo edhe emra konkretë të bartësve të atyre partive politike. Kujtojmë se për gjendjen në të cilën jemi sot direkt është fajtore edhe vet Presidentja.

Kosova që katër vjet ka një Presidente joautoritative dhe që nuk ushtron pushtetin e vet ashtu siq ia garanton Kushtetuta, madje nuk ushtron as 30% e përgjegjësive të saj, dhe arsyeja është e qartë pse kjo Presidente nuk mundet ta ushtroj pushtetin e saj, sepse kemi të bëjmë me një Presidente ,,parashutiste” e cila nuk ka legjitimitet popullor dhe e cila nuk është zgjedhë por është përzgjedhë të jetë kreu i shtetit.

Se Kosova ka një Presidente joautoritative më së miri tregon kriza dhe bllokada institucionale gjashtë mujore e vitit të kaluar e cila asnjëherë nuk ofroj as më të voglën zgjidhje për të dalë nga ajo situatë e palakmueshme qoftë ajo edhe zgjidhje e përkohshme e krizës institucionale, por dobësia dhe njëanshmëria politike e saj shpeshherë doli në shesh duke anuar nga partia e caktuar politike, e cila nuk përfaqësoj unitetin e popullit ashtu siq është e paraparë me Kushtetutë.

Një krizë tjetër që po e shoqëron vendin aktualisht është Këshilli Prokurorial. Për shkak të shfaqjes së ambicieve të personave të lidhur indirekt me parti të caktuara politike dhe atyre qeveritarë për ta kontrollu apo edhe për të ardhë në krye të organit të akuzës, kërkohet nga ju e nderuara Presidente veprim urgjent për të vendosur rend dhe drejtësi në institucionin e drejtësisë ku po mungon drejtësia dhe të ndalet njëherë e përgjithmonë ndërhyrja e politikës në organet e drejtësisë.

Fundja, konsideroj se edhe mosveprimi i Presidentes për ta emëruar Kryeprokurorin e Shtetit përbën shkelje të Kushtetutës, konkretisht të nenit 84.17.

Presidentja po tregohet e paaftë edhe përballë Gjykatës Kushtetuese, e kemi të freskët pretendimin e Avokatit të Popullit për dyshim të bazuar për falsifikim të vendimit të kësaj gjykate, për të cilin dyshim përgjegjës do të duhej të ishin Kryetari e Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqëtari raportues e që për rastin në fjalë ka nisë hetime edhe Prokuria Speciale e Kosovës.

Pikërisht, këto dy pikat e fundit që i ceka më lart po shërbejnë objekt shantazhi ndërmjet këtyre dy instuticioneve të larta të shtetit dhe Presidentja hesht përballë këtij problemi madhor për vendin, e nuk është në gjendje ta ushtroj autoritetin e vet kushtetues si garantuese e funksionimit kushtetues të vendit.

Kosova e pati një krizë qeveritare për gjashtë muaj rresht, tashmë e kemi një krizë në drejtësi dhe në një të ardhme të afërt do ta kemi edhe në Kuvend për shkak të ndryshimeve kushtetuese që kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale dhe transformimin e FSK-së , e të cilën të parën nuk do ta votoj opozita.

Gjithë këto kriza institucionale në të trija pushtetet kryesore në vend tregon qartë se Kosova nuk ka ,,zot shtëpie”. Andaj e nderuara Presidente, përballë teje janë dy alternativa:

-    ose vendos në emër të popullit;

-    ose populli vendos në emrin tuaj.

Kjo ,,paaftësi” e Presidentes për ta ushtruar autoritetin e saj kushtetues, nuk mund të quhet ndryshe përveq se ,,një epokë e errët e Presidentes”.

(Autori është në përfundim të studimeve Postdiplomike të Masterit Kushtetues-Administrativ, si dhe absolvent në Fakultetin e Filologjisë-Dega Letërsi Shqipe në UP)




 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)