24 Prill 2024

Contour Global nga SHBA dorëzon ofertë për TC “Kosova e Re”

Prishtinë, 19 dhjetor - Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, e cila është udhëheqëse e Komitetit Drejtues të Projektit (KDP) TC “Kosova e Re”, sot është bërë pranimi i ofertave të investitorëve të parakualifikuar për ndërtimin e TC “Kosova e Re”. Ofertën e ka dorëzuar investitori i parakualifikuar Contour Global nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hapja e Ofertave të investitorëve është bërë në orën 13:00, nga Komisioni për Pranim dhe Hapje të Ofertave, në prani të përfaqësuesve të Contour Global, Këshilltarëve të Transaksionit, Njësisë Implementuese të Projektit dhe aktorëve të tjerë të përfshirë në këtë projekt.

Komiteti Drejtues i Projektit (KDP), nën udhëheqjen e ministrit Blerand Stavileci, ka mbajtur pastaj takim në të cilin pjesëmarrësit u njoftuan për procedurën e dorëzimit të ofertave nga investitorët.

Në këtë takim, përveç Këshilltarëve të Transaksionit, anëtarëve të rregullt të KDP-së, ishin të pranishëm edhe anëtarët vëzhgues, si Banka Botërore, BERZH, USAID, KfW, IFC, përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane dhe përfaqësuesit e ndërmarrjeve publike që kanë të bëjnë me sektorin.

“Forma e vetme për të siguruar furnizim të mjaftueshëm me energji për qytetarët tanë është përmes ndërtimit të këtij termocentrali. Ndërtimi i tij, do të sigurojë furnizim me energji elektrike nga prodhimi ynë, do t’i eliminojë reduktimet dhe zvogëlojë importin e energjisë elektrike, do të krijojë mundësi për mbylljen e Termocentralit “Kosova A” dhe do të ndikojë edhe në përmirësimin e mjedisit, sepse do të ndërtohet me teknologjinë më moderne”, tha ministri Stavileci.

Dje më 18 dhjetor, Komiteti Drejtues i Projektit (KDP) i TC “Kosova e Re”, i udhëhequr nga ministri Stavileci, ka mbajtur takimin e parë me përbërje të re, ku para anëtarëve të rinj të KDP-së është prezantuar edhe Struktura dhe Procesi i zhvillimit të Projektit TC “Kosova e Re”.

Contour Global, që ka seli në Nju Jork është zhvillues dhe operator i ndërmarrjeve të energjisë elektrike dhe të ngrohjes. Contour Global ka në pronësi, menaxhon dhe operon një portofol prej 41 termocentraleve, me një kapacitet të instaluar prej 3,718 MW në operim dhe duke u ndërtuar. Portofoli i Contour Global shtrihet në 17 shtete dhe 4 kontinente.

Oferta teknike do të vlerësohet në formë të pavarur nga Këshilltarët e Transaksionit, Këshilltarët Strategjik dhe Komisioni Vlerësues ndër-institucional. Lidhur me hapat e tjerë në projekt, MZHE do ta informojë me kohë opinionin publik.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)