19 Prill 2024

2334 takime me qytetarë e 141 kërkesa për qasje në dokumente zyrtare

Prishtinë 18 dhjetor - Sot drejtori Liburn Aliu prezantoi punën e Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit gjatë vitit 2014 dhe planet që kjo Drejtori i ka për vitin 2015.

Në kuadër të kësaj drejtorie funksionojnë 5 sektorë: të planifikimit, urbanizmit, i ndërtimit, i mbrojtjes së mjedisit dhe sektori i legalizimit, njëkohësisht janë edhe shërbimet e përbashkëta në funksion të këtyre sektorëve, ndërsa gjatë vitit 2015 planifikojmë të shtojmë në funksion të kësaj drejtorie me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore për qytetarë.

“Viti 2014 është parë si vit ku priteshin ndryshimet në Komunën e Prishtinës. Hapi i parë i yni ka qenë hapja e dyerve për qytetarë dhe të kemi mundësi që në komunikim të drejtpërdrejtë me ta, të marrim informacionet. Puna e drejtorisë është menduar që të bazohet në tre shtylla: në nevojat e qytetarit, në transparencën ndaj qytetarit dhe në ndryshimet për qytetarin”, tha Aliu në fillim të kësaj konference.

Aliu tregoi se pasi që janë hapur dyert për qytetarë, ata me orë të tëra kanë paraqitur ankesat e tyre gjë që na ka ndihmuar që ta kuptojmë edhe më mirë funksionimin e kësaj drejtorie në të kaluarën dhe të identifikojmë problemet.

“Gjatë vitit 2014 janë realizuar nga kjo drejtori 2334 takime individuale me qytetarë ku kemi diskutuar për 2334 probleme të ndryshme. Po ashtu, kemi pasur edhe diskutime publike, ndërsa vetëm për drejtorinë e urbanizmit, janë  mbajtur 15 diskutime publike. Puna e drejtorisë ka pasur të bëjë me trajtimin e lëndëve që i kanë sjellë qytetarët dhe gjithsej janë 3145 lëndë të trajtuara”, tha Aliu.

Drejtori Liburn Aliu u shpreh se është sistemuar edhe arkiva në mënyrë që lehtësisht të gjinden dokumentet e kërkuara nga qytetarët dhe ata të kenë qasje të menjëhershme, me qëllim që në të ardhmen të digjitalizohet ajo, gjë që është një prej kushteve themelore për transparencën ndaj qytetarëve.

Si rezultat i rregullimit të arkivit Aliu tha se si drejtori kanë pasur një numër të madh të kërkesave për qasje në dokumentet zyrtare. Sipas tij, në vitin 2013 janë bërë vetëm 10 kërkesa për qasje në dokument zyrtar, ndërsa në vitin 2014, janë 141 kërkesa për qasje në dokumente zyrtare.


“Sektori i planifikimit ka informuar qytetarët se çfarë parashihet me plan, me pronat e tyre dhe të informohet me hollësi. Ata duhet të plotësojnë një dokumentacion të caktuar. Për dallim nga viti 2013 kur i kemi pasur 183 kërkesa për informata nga plani, këtë vit (2014), i kemi pasur 774 kërkesa të cilat sektori i planifikimit iu është përgjigjur. Kur bëhet fjalë për lejet ndërtimore është sektori i urbanizmit dhe në krahasim me vitin 2013 që janë lëshuar 97 leje, gjatë këtij viti deri më tani në Drejtorinë e Urbanizmit janë dhënë 76 leje ndërtimore.


Ndërsa kur bëhet fjalë për sektorin e ndërtimit, lëndët e trajtuara nga ky sektor apo në përgjithësi nga Drejtoria e Urbanizmit janë 3181 lëndë dhe nëse e krahasojmë me vitin 2013 kur kanë qenë 1413 lëndë, del një shifër më shumë se e dyfishuar e trajtimit të këtyre lëndëve”, tha drejtori Aliu.


Njëkohësisht drejtori Aliu i njoftoi të pranishmit se deri më tani janë regjistruar 10146 objekte me leje të dhëna në të kaluarën që tashmë janë regjistruar nga sektori i legalizimit. Ky sektor, sipas Aliut, ka bërë edhe regjistrimin e ndërtesave pa leje dhe në mënyrë që kjo të bëhet më lehtë, atëherë duhet identifikuar në radhë të parë ato ndërtesa që janë me leje.


Ai e ripërsëriti se me shumë prej lejeve të lëshuara në të kaluarën janë problematike, pasi që janë jashtë vijave ndërtimore. Gjithashtu, Aliu tha se ka hasur në problem edhe me gjendjen e këtyre planeve në raport me të dhënat gjeodezike, andaj u shpreh ai, ka qenë e domosdoshme që të nisin incizime gjeodezike për ta ditur gjendjen faktike në Komunën e Prishtinës.


Aliu u shpreh se tani e tutje, secila lëndë në drejtorinë e urbanizmit ndiqet dhe klasifikohet sipas fazës në të cilën ndodhet dhe me qëllim të rritjes së transparencës ne kemi shprehur interesim të bashkëpunimit edhe me shoqërinë civile si palë e tretë, me qëllim që ta forcojmë marrëdhënien midis qytetarit dhe institucionit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)