19 Prill 2024

FSK-ja shënoi Ditën e Forcës me ceremoni ushtarake

Prishtinë, 26 nëntor - Manifestimi i “Ditës së Forcës” 27 Nëntori filloi me homazhet në Kompleksin Memorial në Prekaz. Ministri Agim Çeku, ishte pjesë e delegacionit të Qeverisë së Kosovës të prirë nga kryeministri Hashim Thaçi, ndërsa delegacioni i FSK-së, udhëhiqej nga komandanti i saj, gjenerallejtënant Kadri Kastrati.

Të dy delegacionet në varrin e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe varrezat e Jasharëve, vendosën kurora me lule dhe bënë homazhe.

Ceremonia ushtarake e Ditës së Forcës: Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, sot me një manifestim solemn,  mbajtur në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, shënoi Ditën e Forcës, Ditën e themelimit të saj dhe përuroi ndërtesën e re të Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës.
 
Ceremonia për shënimin e Ditës së Forcës filloi me inspektimin e kuadrateve të rreshtuara të FSK-së, nga presidentja Atifete Jahjaga dhe gjenerallejtënant Kadri Kastrati.

Ndërsa, në shenjë nderimi për të gjithë të rënët për Lirinë e Kosovës u mbajt një minutë heshtje.

Fjalën kryesore e mbajti Presidentja e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, e cila fillimisht ka uruar FSK-në, për Ditën e saj: “dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për ju, gjeneralë e udhëheqës të FSK-së. Forca e Sigurisë së Kosovës është e ndërtuar mbi themele të fuqishme, që udhëhiqet nga synimi për të krijuar infrastrukturë të plotë të sigurisë në përputhje me nevojat e shtetit tonë dhe në harmoni me interesat tona kombëtare për të qenë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë. Në rrugëtimin e saj, FSK-ja ka pasur mbështetjen e NATO-s dhe forcës së saj paqeruajtëse në Kosovë, si dhe të Gardës Kombëtare Amerikane.

Me përmbylljen e procesit të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë – një proces gjithëpërfshirës dhe ndërinstitucional – që analizoi mekanizmat tonë të sigurisë, nevojat e qytetarëve të Kosovës dhe interesat e orientimet strategjike të shtetit tonë-është shtruar nevoja e krijimit të një Force moderne të armatosur, me kapacitete mbrojtëse, që adreson sfidat e sigurisë, e kompleton infrastrukturën tonë të sigurisë dhe në proces e sipër të profesionalizimit me standarde të NATO-s, synon anëtarësimin e saj të plotë në këtë aleancë.

E ardhmja e Forcës së Armatosur të Kosovës, që nuk ka alternativë, mbetet punë parësore për Kuvendin e ri, institucionit kaq të nevojshëm dhe kaq të rëndësishëm për vendin dhe për qytetarët e tij, duke e bërë Kosovën me forcën e vet mbrojtëse, që do të kompletojë konsolidimin e shtetit tonë dhe do të bëhet kontribuuese e sigurisë kolektive të Evropës.

Ndërsa, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të pranishmit i përshëndeti kryeministri i saj, z. Hashim Thaçi, i cili, ndër të tjera, tha: “Më 21 janar mbushen 6 vjet që nga themelimi i njërit prej institucioneve më të rëndësishme dhe më prestigjioze të Republikës së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës.  Njëra ndër prioritetet e institucioneve që do të funksionalizohen së shpejti është edhe zotimi për t’i kaluar të gjitha procedurat juridike që FSK-ja të transformohet sa më shpejt në Forca të Armatosura të Kosovës.

Jemi krenarë që FSK-ja, si institucion prestigjioz dhe profesional, sot funksionon në kapacitete të plota e gatshme dhe e aftë për të përmbushur misionin e saj. FSK-ja, duke bashkëpunuar ngushtë me NATO-n dhe KFOR-in, sot është e gatshme që të kryejë të gjitha obligimet brenda në Kosovë, por edhe ato në rang të marrëveshjeve rajonale dhe shtetet përreth nesh. Të arriturat e FSK-së janë rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë dhe të frytshëm me Gardën Nacionale të Ajovës të SHBA-ve, me Ministritë Mbrojtjes të shteteve mike, si: Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Italisë, por edhe të Letonisë e Lituanisë dhe vendeve tjera.

Falë këtij bashkëpunimi kuadrot e FSK-së specializohen në kolegjet më të avancuara të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Kroacisë, Turqisë dhe vendeve tjera. Edhe me këtë rast këtyre shteteve u shprehim dhe i falënderojmë për ndihmën dhe përkrahjen e tyre.

FSK-ja është pjesë e iniciativave rajonale dhe përpjekjeve që të jetë e barabartë me shtetet anëtare të Kartës së Adriatikut. Ai, në fund, shtoi se:  Perspektiva euroatlantike e FSK-së, do të jetë prioritet i qeverisë së re.

Për të arriturat e FSK-së, foli komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, i cili th: “FSK-ja ka shënuar përparim të vazhdueshëm  në shumë fusha, një fakt ky, që na bën krenar. Kjo ditë e veçantë është një moment shumë i përshtatshëm për të shprehur mirënjohjen më të sinqertë për të gjithë pjesëtarët e FSK-së, të cilët po bartin në supet e tyre peshën e ngritjes dhe zhvillimit të FSK-së, në një Forcë moderne dhe profesionale. 

Arritjet e FSK-së janë të prekshme, këto arritje janë rezultat i procesit të detajuar në përmbushjen e objektivave dhe prioriteteve të vendit, si dhe punës së zellshme të secilit prej Jush dhe përkushtimit për ti arritur ato.

FSK gjatë gjithë këtyre viteve ka ngritur kapacitete operacionale për realizimin e misionit të saj në bazë të mandatit kushtetues. Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të kryej operacione dhe intervenime të rëndësisë qenësore për qytetarët e vendit, si, operacionet e deminimit, operacionet e Kërkim Shpëtimit në ujëra, male dhe zona urbane, siç ishte operacioni në Liqenin e Ujmanit, reagimi i shpejtë i bashkërenduar në termocentralin ,,Kosova A”, realizmi i shumë projekteve humanitare, me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetës së qytetarëve, asistenca mjekësore, nëpër zonat e thella rurale, etj.

Gjeneral Kastrati foli edhe për ngritjen profesionale dhe pjesëmarrjen në shumë ushtrime si brenda dhe jashtë Kosovës. Në zhvillimin tonë të mëtutjeshëm, ne bashkëpunojmë ngushtë me miqtë dhe partnerët tanë të cilëve ju jemi mirënjohës për mbështetjen e tyre, posaçërisht e falënderojmë NATO-në për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që kemi me Gardën Kombëtare të Ajovës.  Ndërsa për të ardhmen e FSK-së, gjeneral Kastrati, tha: “Unë si komandat i FSK-së, me siguri të plotë mund ta ritheksoj që Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme të transformohet në Forcat e Armatosura të Kosovës dhe të merr DETYRAT E REJA - mbrojtjen e vendit dhe qytetarëve të saj”.
 
Në manifestimin e Ditës së Forcës, morën pjesë: Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi,  ministri i FSK-së, Agim Çeku, komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati,  komandanti i KFOR-it, Francesco Paolo Figliuolo, oficerë të NATO-s, KFOR-it, NAT-it, FSK-së, ambasadorët dhe atashetë e akredituar në vendin tonë, personalitete politike, kulturore dhe qytetarë të Kosovës,  përfaqësues të jetës politike, nxënës dhe qytetarë të shumtë të Republikës së Kosovës.

Në fund të ceremonisë, për arritje të jashtëzakonshme u dekoruan ushtarë, nënoficerë dhe oficerë nga Ministri dhe Komandanti i FSK-së. Manifestimi për Ditën e Forcës u përmbyll me një program kulturo-artistik nga Orkestra Frymore e FSK-së.
Përurimi i objekt të ri të MFSK-së: Në pjesën e dytë të programit për shënimin e Ditës së Forcës u bë përurimi i objektit të ri të Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës, me ceremoni ushtarake. Në fjalën e tij, ministri Çeku ka përshëndetur Presidenten, kryeministrin, ambasadorët , gjeneralët, oficerët dhe nënoficerët si dhe të gjithë pjesëmarrësit në përurimin e objektit të ri, si dhe Ministrinë e Administratës Publike e cila ka qenë përgjegjëse për realizimin e projektit dhe menaxhimin e punëve të ndërtimit. Ministri Çeku, me këtë rast, tha: “Sot po e shënojmë një ngjarje shumë të rëndësishme e cila është e veçantë për gjithë ne. Jemi të gëzuar pasi që kemi punuar më shumë se 15 vite, në kushte jo edhe aq të volitshme, që tani na janë afruar kushtet e shkëlqyeshme për punë, hapësira të mjaftueshme dhe moderne. Duke ju drejtuar kolegëve të punës, ministri Çeku tha: “Të nderuar kolegë, Jam i sigurt që ju do të ndiheni mirë duke punuar në këtë ndërtesë. Për më shumë, duke pasur një ndërtesë moderne, ju do të keni më shumë mundësi të përqendroheni më lehtë në detyrat e juaja dhe do ti kryeni ato me ma shumë sukses. Ndërsa, në emër të Ministrisë së Administratës Publike foli zëvendës ministri Fadil Kryeziu, i cili me këtë rast, tha: Ky objekt i MFSK-së i plotëson të gjitha kriteret dhe standardet sipas kërkesave të NATO-s. Objekti ka një sipërfaqe prej 100.00 metrave katrorë dhe ka kushtuar mbi 5.700.000 mijë euro buxhetit të shtetit. Në fund, shiritin e përurimit të objektit e prenë, ministri Agim Çeku dhe zëvendës ministri Fadil Kryeziu.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)