20 Prill 2024

Përfundon konferenca për Kosovën dhe diplomacinë shumëpalëshe

Vjenë, 25 nëntor - Përfundoi punimet konferenca dyditore për diplomacinë multilaterale “Mundësitë dhe sfidat për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, e organizuar në Vjenë nga Akademia Diplomatike e Republikës së Kosovës dhe Akademia Diplomatike e Vjenës.

Integrimet rajonale ishin sot në qendër të vëmendjes së konferencës. Tema e këtij paneli ishte “Kosova dhe rajoni: marrëdhëniet dypalëshe, Evropa Juglindore dhe integrimi rajonal”, e moderuar nga Erhard Busek.

Panelistët që kontribuuan në këtë temë ishin drejtori i Akademisë Diplomatike të Kroacisë, Mladen Andrlic, ambasadori dhe studiuesi francez, Georges-Marie Chenu, drejtorja e Akademisë Diplomatike të Malit të Zi, Satka Hajdarpasic, i dërguari i posaçëm i BE-së për Kosovën dhe ish-negociatori kryesor i BE-së në bisedimet për paqe në Kosovë, Wolfgang Petritsch, dhe ambasadori kosovar, Bekim Sejdiu.

Me këtë rast ambasadori Wolfgang Petritsch, tha se kjo konferencë nga dy akademitë diplomatike të Prishtinës dhe Vjenës ka demonstruar se Kosova po shënon progres të madh. Ai po ashtu ka thënë se ka ende disa sfida që duhet të trajtohen dhe se është e rëndësishme tani që të bashkëpunohet ngushtë me rajonin.

“Kjo është një parakusht për një bashkëpunim të mirë dhe përfundimisht në pranimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Ne evropianët jemi të bindur se Kosova bënë pjesë në Evropë. Ne jemi pjesë e këtij kontinenti të gjerë. Por, anëtarësimi është diçka që është ende në të ardhmen dhe puna duhet bërë në secilën ditë të vetme. Pra, bashkëpunimi me rajonin e pastaj me Brukselin dhe kryeqytete të rëndësishme si Vjena, besoj se do ta sjellin Kosovën përfundimisht në fushën e Bashkimit Evropian”, ka thënë ambasadori Petritsch.

Në përmbyllje të kësaj konference, drejtori i Akademisë Diplomatike të Vjenës tha se kjo konferencë ka qenë interesante për pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

Drejtori i Akademisë Diplomatike të Kosovës, Skënder Durmishi, ka prezantuar përfundimet e dy ditëve të konferencës. Në fund, Durmishi tha se “rezultatet e arritura nga Kosova deri më tani nuk janë të pakta.\"

\"Por, mbetet ende punë dhe sfida në rrugën e integrimit të plotë të Kosovës në strukturat multilaterale ndërkombëtare. I jemi mirënjohës Akademisë Diplomatike të Vjenës për bashkë-organizimin, dhe ky aktivitet shton motivimin për projekte të tjera të përbashkëta. Akademia Diplomatike e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të jetë në funksion të këtyre proceseve.”

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)