23 Prill 2024

Daka lavdëron sistemin zgjedhor të Kosovës

Ankara, 22 nëntor - Delegacioni i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga kryetarja Valdete Daka dhe anëtarët, Betim Gjoshi e Florian Dushi, me ftesë të Këshillit Suprem të Zgjedhjeve të Turqisë, mori pjesë në konferencën “Administrimi dhe Mbikëqyrja e Zgjedhjeve në bazë të praktikave të vendit”, që u mbajt në Ankara.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin zyrtarë zgjedhor nga trupat e administrimit të zgjedhjeve të vendeve si Shqipëria, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Sudani, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Maqedonia.

Qëllimi i konferencës ishte diskutimi dhe shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare zgjedhore.

Në konferencën dy ditore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është prezantuar me referime mbi temat: “Metodat e zgjidhjes dhe aplikimit për kontestet zgjedhore (juridiksioni zgjedhor)”; “Mbikëqyrja e shpenzimeve të fushatës gjatë periudhës së fushatës zgjedhore”; “E drejta e votës – krijimi i Listës së Votuesve dhe konfirmimi”; dhe “Administrimi i zgjedhjeve (publikimi i rezultateve të votimit)”.

Në fjalën hyrëse, kryetarja e KQZ-së, znj. Daka, fillimisht prezantoi një historik të shkurtër të formimit të shtetit të Kosovës dhe rolin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si institucion i pavarur, i përcaktuar me Kushtetutë.

Duke folur para pjesëmarrësve nga shtete të tjera, lidhur me atë se çfarë ka bërë KQZ-ja e Republikës së Kosovës për të përmbushur obligimin kushtetutes që të gjithë qytetarët me të drejtë vote të mund të shprehin vullnetin e tyre, kryetarja Daka, përmendi shembullin se si Personat e Verbër dhe me të Pamur të Dobësuar mund të votojnë në ditën e zgjedhjeve, në vendvotimin e rregullt, në mënyrë të pavarur dhe duke ruajtur fshehtësinë e plotë të votës së tyre. Kjo bëhet e mundur përmes shabllonëve në alfabetin Brail.

Nga të pranishmit, kjo konferencë u vlerësua si një mundësi e mirë për të përmirësuar praktikat zgjedhore të vendeve pjesëmarrëse, të cilat mund të shërbejnë në të ardhmen.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)