19 Prill 2024

Jakobson: Nuk jam garantuese e koalicionit PDK-LDK

Prishtinë, 21 nëntor - Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, tha se nuk është garantuese e koalicionit PDK-LDK të lidhur të mërkurën në mbrëmje në Zyrën e Presidentes së Kosovës.

Në një intervistë ekskluzive për KALLXO.com, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, tha se nuk është garantuese e koalicionit PDK-LDK të lidhur të mërkurën në mbrëmje në Zyrën e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Diplomatja amerikane, e cila ishte sot në vizitë në BIRN dhe Internews Kosova, tha se roli i saj në atë takim ishte vetëm si mbështetëse e rolit lehtësues të Presidentes.

“Absolutisht nuk është e vërtetë. Unë nuk kam luajtur asnjë rol lehtësues apo garantues në asnjërin nga këto procese”, tha ambasadorja Jacobson në ditën kur zyrtarë të LDK-së thanë se kanë garanci nga Jacobson për respektimin e marrëveshjes për koalicion me PDK-në.

“Kam qenë në takim me kërkesë të Presidentes, rolin lehtësues të së cilës unë e mbështes dhe me kërkesë të të dy liderëve politikë si vëzhguese, si dëshmitare e asaj që ndodhi, por jo si pjesëmarrëse aktive në takim”, u shpreh ajo.

Ambasadorja tha se në atë takim nuk është lakuar asnjë emër për postin e kryeministrit në qeverinë e ardhshme të vendit.

E pyetur se cilat janë pritjet e saj si diplomate e huaj nga qeveria e ardhshme, Jacobson tha se pret së pari që koalicioni të formohet shpejt.

“Nuk mund të them se kam pritje, por kam shpresa. Kam shpresa që ky koalicion do ta formojë një qeveri shpejt, se do të punojë në çështje strategjike që janë me rëndësi për popullin e Kosovës, përfshirë zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, luftimin e korrupcionit, dialogun me Serbinë, Gjykatën Speciale dhe të gjitha këto prioritete të rëndësishme që të cilat kanë lënguar për pesë muaj e më shumë sa nuk ka pasur qeveri”, tha ajo.

Gjithashtu Jacobson u shpreh se shpreson që qeveria do të jetë gjithëpërfshirëse dhe se do të ketë një balanc të mirë gjinor.

Ajo relativizoi deklaratat e mëparshme të zyrtarëve partiakë të cilët zotoheshin se nuk do të bëjnë koalicion me parti të caktuara.

“Mendoj se kur flasin politikanët, kemi parë që nganjëherë i ndryshojnë fjalët”, tha ajo.

Duke iu kthyer përsëri takimit të së mërkurës, Jacobson u shpreh se ajo i përgjigjet gjithmonë ftesave të Presidentes Jahjaga, ndërsa kujtoi se një gjë të tillë e kishte bërë kur kishte shkuar bashkë me të në Graçanicë.

“Nëse ajo dëshiron ta ketë mbështetjen time, ajo do ta ketë atë gjithmonë për rolin e saj kushtetues.

Por ajo tha se nuk ka shfaqur asnjëherë preferenca për ndonjë parti apo koalicion të caktuar.

“Nuk kam rekomanduar koalicione, nuk kam rekomanduar parti ose individë. Kam qenë e fokusuar në prioritete, në proces dhe në atë që politikanët e Kosovës t’i ndjekin procedurat në bazë të kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.

“Mua nuk më intereson kush me kë e formon koalicionin. As publikisht as privatisht nuk kam folur në favor të ndonjë koalicioni, por vetëm për themelimin e institucioneve dhe kryerjen e punës”, shtoi ambasadorja Jacobson.

Ajo është e bindur se liderët e PDK-së dhe LDK-së kanë dhënë një përkushtim publik për të punuar bashkë dhe tani janë në një proces negociues.

“Nuk mund të paragjykoj si do të përfundojë kjo apo sa kohë do të zgjasë. Mesazhi im për të dy ata ka qenë që do të ishte shenjë e mirë për efikasitetin dhe aftësinë e tyre për të punuar bashkë, nëse ata do të mund ta konstituojnë Kuvendin javën e ardhshme”, tha Jacobson.

Ajo zbuloi t’u ketë thënë liderëve të partive në koalicion se shpreson që të shohë njerëz kompetentë dhe me integritet në poste drejtuese qeveritare.

“Tashmë e u kam thënë edhe liderëve politikë se shpresoj që do të shoh në pozita të larta në qeveri njerëz që janë të përzgjedhur për kompetencën e tyre, integritetin e tyre, përvojën e tyre dhe për gatishmërinë e tyre për të punuar bashkë që ta çojnë përpara interesin e Kosovës e jo lidhjet e tyre partiake”, tha ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)