28 Mars 2024

Hoxhaj e Ismajli në Beograd, kërkojn nevojën e bashkëpunimit ekonomik

Beograd, 23 tetor - Kosova është përfaqësuar me delegacionin më të lartë shtetëror ndonjëherë në Serbi në Konferencën e Ministrave të Jashtëm dhe për Ekonomi të Ballkanit Perëndimor, që është edhe vazhdimësi e iniciativës në Berlin dhe Dubrovnik.

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj në fjalën e tij ka thënë se prania e Kosovës në konferencën e këtij niveli në Serbi flet për të arriturat e rajonit dhe transformimin e marrëdhënieve që kanë ndodhur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas fillimit të dialogut.

Sipas tij, janë tri faza nëpër të cilat raportet e Kosovës me Serbinë do të kalojnë duke përmendur fillimin e dialogut në vitin 2011, fazën aktuale si të ndërmjetme duke vendosur komunikim të drejtpërdrejt dhe që do të duhej të përfundoj  me Traktatin e Miqësisë.

“Nuk mund ta shmang rëndësinë dhe peshën që ka prania jonë në Serbi, veçmas e një ministri të jashtëm në këtë format dhe përfaqësim. Nëse ka diçka që e shpjegon për të mirë ndryshimin në rajon është dialogu me Serbinë dhe të arriturat ndërmjet dy vendeve. Konsideroj se tani po hyjmë në një fazë të re të komunikimit të drejtpërdrejt të përafrimit që në diplomaci njihet edhe si “Rapprochement”. Dhe fazën e tretë dhe të fundit që në një të ardhme 3-5 vjet t’i zgjidhim çështjet e hapura mes veti që do të konkretizohej me Traktatin e Miqësisë, që përfshin njohjen e shtetit të Kosovës, anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare përfshirë OKB-në dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj po ashtu ka diskutuar edhe për bashkëpunimin ekonomik rajonal duke shtuar se përderisa në pesë vitet e ardhshme BE-ja ka vendosur të konsolidohet përbrenda, njëjtë mund ta bëjnë edhe vendet e rajonit duke punuar në konsolidimin e brendshëm që nënkupton sundimin e rendit dhe ligjit, zhvillimin ekonomik dhe reforma të tjera.

Krahas Hoxhajt, edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, ka thënë se përfshirja e Kosovës në Programin e Reformave Ekonomike është mesazh për investitorët dhe së shpejti plani do t’i dorëzohet edhe BE-së.

“Mendoj se kyçja e Kosovës në Programin e Reformave Ekonomike, është një mesazh i qartë për investitorë se Ballkani, me këtë edhe Kosova, tanimë përbën një tërësi dhe investimin që do ta bëjnë, ka avantazhe krahasuese me kapacitete njerëzore të cilat më tutje do të gjenerojnë benefite afatgjata. Mbi këtë bazë, jam i lumtur që Republika e Kosovës, në muajt në vijim do të punojë dhe dorëzojë Planin Nacional të Reformës Ekonomike, gjithmonë me përkrahjen e BE-së”, ka thënë Ismajli.

Me kërkesë të Ministrit Hoxhaj, është vendosur që takimi i radhës i këtij formati të mbahet në Kosovë.

Po ashtu, në fund të konferencës është miratuar edhe një deklaratë e përbashkët.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)