16 Prill 2024

“Termokos”-i ngroh edhe konsumatorët borxhli

Prishtinë, 1 tetor -  Furnizimi me ngrohje qendrore nga “Termokos”-i për sezonin e dimrit planifikohet të fillojë në muajin nëntor, pavarësisht se konsumatorët ia kanë borxh rreth 17 milionë euro.

Në sezonin ngrohës 2014/2015 do të startohet me ofrimin e ngrohjes, që do të përfitohet në saje të avullit, të cilin “Termokos”-i do ta marrë nga Termocentrali “Kosova B”.

Zëdhënësja e “Termokos”-it, Afërdita Uka-Fejzullahu, ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se nuk do të ketë reduktime të ngrohjes gjatë ditës dhe ngrohja do të jetë cilësore. “Si rezultat i realizimit të projektit të kogjenerimit për të gjithë konsumatorët tanë do të ketë ngrohje të mjaftueshme, ngrohje shumë më cilësore dhe pa reduktime gjatë ditës”, është shprehur Uka-Fejzullahu.

Sa i përket çmimit për ngrohje, ajo ka thënë se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) është organi i vetëm kompetent për ndryshimin e tarifave të ngrohjes. “Tanimë pesë vjet ‘Termokos’-i aplikon tarifa të njëjta të ngrohjes, sado që kostoja e prodhimit të energjisë ngrohëse vitet e fundit ka qenë shumëfish më e lartë se në kohën kur kishin filluar të aplikoheshin këto tarifa”, ka deklaruar ajo.

Uka-Fejzullahu ka thënë se ndryshimi i parë, të cilin që do ta vërejnë konsumatorët, është në cilësinë e ngrohjes që do t’u ofrohet dhe në kohëzgjatjen e ofrimit të ngrohjes. “Falë këtij projekti do të kemi edhe një ambient më ekologjik, për shkak se si rezultat i evitimit të përdorimit të mazutit për prodhimin e energjisë ngrohëse nuk do të ketë më lirim të dyoksidit të karbonit nga tymtari i ‘Termokos’-it”, është shprehur ajo.
 
17 milionë euro borxhi ndaj “Termokos”-it
 
Zëdhënësja Uka-Fejzullahu ka bërë me dije se borxhi i konsumatorëve ndaj “Termokos”-it është rreth 17 milionë euro. “Rreth 12 500 konsumatorë ia kanë borxh ‘Termokos’-it rreth 17 milionë euro, rreth 14 milionë prej të cilave janë borxhe të subjekteve banesore, ndërsa rreth 3 milionë janë borxhe të subjekteve afariste”, ka treguar ajo.

E pyetur se sa kanë qenë të hyrat për këtë kompani gjatë vitit të kaluar, Uka-Fejzullahu është përgjigjur: “Bazuar në pritjet që i kemi pasur, nuk kanë qenë në nivel të kënaqshëm, ndërsa për këtë sezon presim se do të ketë të hyra shumë më të kënaqshme, duke pasur parasysh edhe faktin se nga ky sezon ngrohës do të fillojë ofrimi i ngrohjes me sistemin e kogjenerimit”

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)