28 Mars 2024

Komuna e Prishtinës miratoi buxhetin për vitin 2015

Prishtinë, 29 shtator - Sot u mbajt mbledhja e shtatë e Kuvendit të Komunës së Prishtinës. Një prej pikave të rendit të ditës ishte edhe propozimbuxheti për vitin 2015 si dhe korniza afatmesme buxhetore 2015-2017.

Pesëdhjetë këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, të pranishëm në këtë mbledhje, e miratuan me shumicë votash buxhetin për vitin 2015. Për propozimbuxhetin e vitit 2015 votuan 25 këshilltarë, 18 ishin kundër dhe 7 abstenuan.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, deklaroi objektivat e paraqitura në buxhetin e vitit 2015 që janë të mbështetura në programin me të cilin e ka fituar besimin e qytetarëve. Ahmeti u shpreh se në dokumentin i cili paraqitet para këshilltarëve komunalë, janë të përfshira edhe 12 zotimet në bazë të të cilave e ka fituar mandatin. Ai tha se një pjesë e këtyre zotimeve është realizuar gjatë vitit të parë të qeverisjes.

Ahmeti po ashtu deklaroi se Buxheti i vitit 2015 ndahet në tre shtylla kryesore: Buxhet zhvillimor, buxhet social dhe buxhet i drejtësisë. Ai paralajmëroi edhe krijimin e drejtorive të reja në kuadër të Komunës së Prishtinës. Ky është dhe buxheti i parë i planifikuar nga qeverisja e Shpend Ahmetit.

\"Dokumenti, - deklaroi Kryetari Ahmeti, - fillon me prezantimin e përmbledhjes së dëgjimeve publike, përmes të cilave, në bashkëpunim me qytetarët ne kemi identifikuar nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.

\"Gjatë muajit gusht i kemi mbajtur nëntë diskutime publike, shumica e komenteve që kanë dalë nga diskutimet publike janë të përfshira në këtë buxhet. Ndonëse obligim ligjor ka qenë që t’i mbajë pesë diskutime publike, ne kemi mbajtur nëntë diskutime, dy të përgjithshme dhe shtatë të cilat kanë qenë tema sektoriale ku është diskutuar për programet e veçanta dhe specifike për arsim, shëndetësi, për shërbimet publike, infrastrukturë, urbanizëm, bujqësi.\"

\"Me 1 shtator, e kemi dorëzuar siç kërkohet me qarkoren buxhetore, me ligjin për menaxhimin e financave publike draft buxhetin Kuvendit Komunal, me ç’rast janë iniciuar diskutimet e tjera publike dhe diskutimet e kuvendit për hartimin e buxhetit të vitit 2015 dhe kornizën afatmesme buxhetore 2015-2017.\"

\"Ne kemi mbajtur një takim me Komitetin për Politikë dhe Financa dhe të gjithë kryesuesit e komiteteve, të atyre formale dhe jo formale, respektivisht obligative dhe jo obligative dhe po ashtu kemi ftuar edhe përfaqësues të shoqërisë civile të cilët edhe e mbikëqyrin Komunën e Prishtinës që të japin komentet e tyre. Po ashtu, kemi mbajtur diskutime të ndara me shumicën e subjekteve politike që janë të përfaqësuara në Kuvendin Komunal të Prishtinës për të marrë edhe sugjerimet e tyre apo komentet e tyre\', pohoi ai.

Kryetari Ahmeti theksoi ndër të tjera edhe problemet e mëdha të trashëguara me shpronësimet. Duke iu përgjigjur shqetësimeve të këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ahmeti tha se ekziston një propozim që është duke u biseduar edhe me Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe USAID që emërtohet si e drejta ajrore e që e kanë shumica e qyteteve të mëdha.

Të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe përfaqësues të shoqërisë civile, misionit të OSBE-së, përfaqësues të mediave, etj.

Buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2015 do të jetë 68.546.410 Euro. Ky buxhet do të financohet nga grandi i përgjithshëm (23%), grandi specifik për arsim (21.9%), grandi specifik për shëndetësi (6.9%) dhe nga të hyrat vetanake të komunës (48.1%)

Grandi i përgjithshëm i ndarë për Komunën e Prishtinës për vitin 2015 është në vlerë prej 15.799.192 euro, grandi specifik për arsim për vitin 2015 është në vlerë prej 15.042.433 euro, ndërsa grandi specifik për shëndetësi është në vlerë prej 4.702.522 euro.

Planifikim për të hyrat vetanake të Komunës së Prishtinës për vitin 2015 është 33.547.263 euro.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)