28 Mars 2024

Promovohet pulla postare “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”

Prishtinë, 22 shtator - Posta e Kosovës  ka promovuar të hënën pullën postare  kushtuar dy heronjve  Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, në 16-vjetorin e rënies së tyre.

Misioni i Filatelisë së Postës së Kosovës është që përmes emetimit të pullave postare të promovojë vlerat  historike, kombëtare, kulturore,  shkencore e sportive të Republikës së Kosovës dhe të kombit shqiptar në përgjithësi.

“Sot ndihemi krenar që po e promovojmë një nga pullat postare më të çmueshme të Filatelisë së Postës së Kosovës, e cila u dedikohet dy heronjve të kombit – Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”, ka thënë Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha.

”Imazhi dhe historia që përcillet përmes kësaj pulle postare do të udhëtojë jo vetëm nëpër trojet tona, por në tërë globin. Ne duam që edhe bota të mësojë për dy viganët e lirisë së Kosovës”, ka theksuar ai.

Në manifestimin e mbajtur në Tetarin Kombëtar të Kosovës kanë marrë pjesë personalitete të shquara nga Kosova dhe Maqedonia, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, familjarë të dëshmorëve si dhe veteranë të UÇK-së.

Për kontributin në luftën çlirimtare në Kroaci, familjes së Fehmi e Xhevë Lladrovcit u është dorëzuar një medalje nga shteti kroat përmes përfaqësuesit të Ambasadës së Republikës së Kroacisë në Prishtinë, Tomislav Pavkovic, si dhe një Mirënjohje  nga Shoqata e Luftëtarëve Shqiptarë nga Kroacia.

Për dy nga figurat më të shquara të historisë së re të Kosovës ka folur bashkëveprimtari dhe bashkëluftëtari i tyre, Musa Xhaferi, Zëvendëskryeministër i Maqedonisë, ndërkaq në emër të Qeverisë së Kosovës, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli.

Në shenjë respekti, Kryeshefi  Sejdi Hoxha u ka dorëzuar familjes Lladrovci dhe Krasniqi, Pullën Postare “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”, e punuar në bronz.

“Edhe në të ardhmen, Filatelia e Postës së Kosovës do ta ketë prioritet të nderojë të gjitha ata që me veprën dhe jetën e tyre nderuan popullin shqiptar”, ka thënë Hoxha.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)