23 Prill 2024

Sylë Hoxha, apo shpëtimi i fytyrës së prokurorisë

Shkruar nga Gani Qarri 

 
Nga zhvillimet më të fundit hetimore dhe burgosja e vahabistëve të dyshuar për terrorizëm, shihet qartë se sa shumë arsye kishin të gjithë ata të cilët për vite të tëra, kërkuan pareshtur nga institucionet e korruptuara shtetërore, parandalimin me kohë të veprimtarive terroriste në vend.

Me këtë rast u dëshmua katërçipërisht se edhe Prokuroria shtetërore, jo vetëm se përflitej me shumë të drejtë, por me të vërtetë nuk ka bërë as për së afërmi punën që i takonte, në vitet e kaluara.

Vetëm pas ardhjes së Sylë Hoxhës si Kryeprokuror, ajo arriti ta shpëtonte disi fytyrën, kur në momentin më dramatik të kësaj katrahure disavjeçare terroristësh, më në fund të burgosi, oficerët e kushedi sa shërbimeve të huaja sekrete të cilat ndoshta vetëm hetimet serioze do ti zbulojnë, për të shënuar kështu arritjen më të lartë hetimore, gjatë gjithë këtyre 15 viteve sa vendi gjendet në liri.

Mu fantazmat e tilla, kamufluar si hoxhë vahabisto-salafist, BIK-u, i privatizuar i Naim Tërnavës, i vendosi hiq më poshtë sesa udhëheqës të xhamive kryesore shqiptare, anë e mbanë Kosovës, përfshi edhe vahabist të rrezikshëm si Mazllam Mazllami e ndonjë tjetër, të cilët dikur i kishte përjashtuar, ish kryemyftiu i nderuar i Kosovës, Dr. Rexhep Boja, ani pse ata për gjithë këto vite, paraqisnin rrezikun më të lart shtetëror dhe kombëtar.

 Për aq më keq, për po kaq vite heshti edhe policia, prokuroria, agjencia e \"inteligjencës\" dhe të gjitha mekanizmat tjera relevante shtetërore, para veprimeve qysh moti të dyshuara terroriste që zhvilloheshin lirisht nga vehabistët kudo në Kosovë.

Kështu që, suksesi i arritur nga ana e stafit aktual të prokurorisë vendore, duhet të përshëndetet dhe përkrahet pa asnjë rezervë, i cili në këto momente historike-do ti quaja unë, sigurisht ka nevojë më shumë se kurrë më parë, për mbështetje dhe solidaritet nga të gjitha institucionet shtetërore dhe shoqërore, partitë politike, inteligjenca dhe gjithë populli i këtij vendi.

Është për tu çuditur, se si përkundër të gjithave, vetëm disa nga mediat dhe një pjesë e opinionit publik kërkuan me këmbëngulje-që me kohë, ndalimin e veprimtarisë së dyshuar terroriste dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes nga imamët vahabisto-salafist, të cilët jo vetëm etiketonin njerëz por kërcënonin dhe sulmonin fizikisht, pa therrë në këmbë, secilin që atyre mund tu tekej dhe konsiderohej si pengesë për ta.

Ndaj, fatkeqësisht asnjëherë nuk thuhet pa një arsye të fortë se “qeni i keq-ta bie ujkun në torishtë”! Kjo edhe për faktin se megjithëqë për shumë vite- më kot ngrihej zëri i dëshpëruar i opinionit të tronditur shqiptar, mbi rrezikun e vahabizmit në vend, atij nuk ia vente veshin askush.

Kurse, vahabisto- salafistët terrorist me “Liçna Karta” të Serbisë, nën mbulojën e BIK-ut, dhe mburojën e pushtetit vendor, shfrytëzuan hapësirën e ofruar maksimalisht, të krijuar ndoshta me qëllim nga qeveritarë të korruptuar, dhe vetëm për pak vite ata krijuan një gjendje të atillë në Kosovë, sa që të mos mund të krahasohet me asnjë situatë tjetër në të kaluarën e afërt a të largët e cila si e tillë nuk mbahet mend edhe nga më të vjetrit, të ketë ndodhur as në kohën e pushtimit të sulltanëve anadollak në këtë vend.

Se si dhe pse u hesht kaq gjatë përball të gjitha këtyre të këqijave, më në fund ,duhet të dalin me një përgjigje prokuroria, policia dhe mekanizmat e tjerë shtetëror, të cilët lejuan që BIK-u të kthehet në një institucioni terrorist, ku prodhohen kriminel për vrasje masive dhe specializohen xhelat për heqje kokash si në Siri dhe Irak.

Për aq më keq, pushtetarët e korruptuar, edhe në këtë situatë kishin futur veshët në lesh dhe nuk u interesonte asgjë tjetër përpos grabitjes së pasurisë në mënyrë të dyshimtë dhe parasë së pistë, të cilët josheshin lehtë e butë edhe me pallavra alla-talebançe të ideatorit proislamik, Milazim Krasniqit dhe këngët arabo-rep-çe, të ministrit të ç kulturës, Memlit të Milazimit, kurse me  terroristët vahabisto-salafist dhe nxitësit e tij në vend, nuk merrej më askush.

Shumë njerëz ,më kot pyesnin dhe pyesin ende sot, ku ishte policia?

Ku ishte dhe ç`u bë me shërbimin “inteligjent” ?

Pse?!

Kur, një katund që shihet, ai kallauz nuk do!

A nuk ishim ne, ata që këto ditë, pamë me sytë tanë dhe u bëmë dëshmitar të asaj se edhe vet zëdhënësi i policisë z. Baki Kelani mbante kontakte dhe pranonte dhurata nga i dyshuari kryesor për terrorizëm, vahabisti Shefqet Krasniqi?..

A nuk ishte po ky- Shefqet Krasniqi i cili me klikën e tij të \"Liçna Kartave\" MUP-iste, të Serbisë, vetëm para dy vitesh u zu duke kontrabanduar edhe armë nga Serbia, por megjithatë nuk u hetua as vu para përgjegjësisë kurrë?.

A nuk mjafton as kjo që të kuptohet sadopak se në çfarë duar të “sigurta” ne si vend dhe popull ishim dhe vazhdojmë të jemi?!...
 
Mjerim!

Kurse, në anën tjetër sa i takon shërbimit “inteligjent” si ky i yni, i përbërë nga farefis dhe shokë e jarana partie, i mundur nga padija dhe lodhur nga ndërhyrjet politike, që nga fillimi ishte e ditur se edhe nga ai nuk mund të pritej asgjë më tepër dhe as punë hiq më e mirë....

Madje, siç është e njohur për të gjithë ne, jo pak pjesëtarë të këtij shërbimi, shpesh edhe vet bëhen pjellë ngatërresash banale, për të cilët para inkuadrimit të tyre në punë, sigurisht nuk është kërkuar diplomë kualifikimi as  dëshmi penaliteti, përndryshe njerëz që përfliten për shumëçka, kurrë nuk mund ti shërbejnë vendit si duhet as të jenë në nivel të detyrës shtetërore dhe kombëtare.

Për aq më keq, shpesh përflitet se qeveritarët e korruptuar deri në maje të hundës, por të plotfuqishëm edhe mbi shtetin, disa herë mund të kenë penguar vet zbatimin e urdhrave të prokurorisë, përfshi edhe akuzat e shpeshta ndaj ministrit të vdekjeve Ferid Aganoviq, i cili me neglizhencë qoi në vdekje disa të rinj, ndaj edhe këtu mund të shihet qartë se ne asnjëherë nuk kishim një pushtet që qeveriste vendin ,por një kastë që sundon mbi çdo gjë dhe dirigjon me gjithçka për interesa të veta në këtë kuazi-shtet, të kthyer në paçavure nga ata.
 
A i dorëzuan imamët terrorist armët e Serbisë?

Në një gjendje si kjo, është mëse e natyrshme që të kërkohet sqarim i hollësishëm për të gjitha veprat penale përfshi edhe kontrabandimin e armëve të sofistikuara serbe, nga vahabisti dhe i burgosuri për terrorizëm, shpëlarje parash të pista e vepra tjera kriminale, Shefqet Krasniqi,i cili jo vetëm se nuk u soll asnjëherë para drejtësisë për ato vepra penale, por as nuk u kumtua kurrë, nëse ky i ashtuquajtur hoxhë me  “Liçna Kartë” të MUP-it, serb dhe shtetësi të Serbisë edhe 15 vjet pas çlirimit të Kosovës, i dorëzoi apo jo armët e kontrabanduara nga Serbia, për çfarë arsye i sillte, ai dhe shokët e tij ato në Kosovë dhe a mos u vranë edhe shqiptar të pafajshëm me to, për llogari vahabisto-salafiste apo edhe porosi politike.
 
Madje të çuditshme janë edhe vet deklaratat e përfaqësuesve të BIK-ut pas arrestimit të kontrabandistit Shefqet Krasniqi dhe 12-t, hoxhallarëve tjerë të dyshuar për terrorizëm, pasi që përmes vet zëdhënësit të BIK-ut, Ahmet Sadria, një herë u tha se “askush nuk mund të jetë mbi ligjin” për tu penduar vetëm një ditë më vonë dhe prejudikuar edhe drejtësinë vendore duke deklaruar nga i njëjti BIK, se “bikasit” e burgosur, apo hoxhallarët e arrestuar , na qenkan hiq më pak se “tërësisht” të pafajshëm?!...
 
Megjithatë, një gjë dihet, Shefqet Krasniqi nuk është vahabisti par që zbulohet si bashkëpunëtor i Serbisë, por Sylë Hoxha është i pari prokuror vendor që burgosi tradhtarët më të ri të kombit shqiptar dhe bashkëpunëtorët e tyre terrorist, me \"Liçna Karta\" të Serbisë, Rusisë, Jemenit, Arabisë Saudite e kushedi të kujt tjetër,- vetëm shqiptare-JO!, të cilët prej se kidnapuan xhamit e Kosovës i shpallën luftë të hapur çdo gjëje shqiptare, duke bërë krim të hapur edhe kundër heronjve dhe historisë së popullit tonë si dhe kërcënuar e rrahur të gjithë ata që guxuan ti kundërshtonin veprimet e tyre antikombëtare.

Ndaj Kryeprokurori, prokuroria e shtetit, institucionet dhe populli i këtij vendi kanë shumë arsye të forta që hetimet dhe ndëshkimet të mos ndalojnë por të shkojnë deri në fund, dhe jo vetëm ndaj kryerësve të veprave penale por edhe bashkëpunëtorëve të tyre, si dhe të zhvillohen hetime të hollësishme ndaj kryetarit jo kushtetues të BIK-ut, dhe tu bashkohet edhe ai shokëve e bashkëpunëtorëve atje ku e ka vendin, me të cilët krijoi gjendjen e tanishme të rrezikimit dhe kërcënimit kombëtar e shtetëror.
 
Njëkohësisht nuk duhet harruar që sa më parë, të transformohet edhe gjyqësori i kalbur e i korruptuar deri në palcë, për punën që nuk e bënë tashë e sa kohë si duhet, një gjyqësor pa integritet as legjitimitet, i kapur nga politika dhe kthyer në një kompani “securitase” që mbron qeveritarët e korruptuar dhe u shërben me përulje atyre që udhëheqin pushtetin.

Por, gjithsesi duhet kujtuar edhe shqiptarët, se tanimë është koha që edhe ata ta mundin frikën dhe ngritin zërin e tyre, duke mbushur edhe rrugët në rast nevoje kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit në vend, ngase duke prodhuar heshtje dhe ëndërruar përgjumshëm rregull e drejtësi, nuk mund të ndërtohet shteti i së drejtës dhe as të vendoset rendi e ligji në vend, nëse vërtetë ky popull nuk e ka ndërmend që ta trondit edhe opinionin evropian e mbarë- botëror, duke i vënë njerëzit e klaneve të dyshimta dhe të akuzuarit për korrupsion, kontrabandë e terrorizëm, në ndonjë proces lumturimi në mënyrë që pak kohë më vonë, ti shpall ata edhe shenjtorët e tij.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)