29 Mars 2024

VV: Kërcënimet e Kryetarit të Fushë Kosovës nuk na ndalin

Fushë Kosovë, 20 shtator - Pas denoncimeve të shumta nga asambleistët e Lëvizjes Vetëvendosje! për parregullsi, keqpërdorime e keqmenaxhim nga Komuna e Fushë Kosovës, të bëra në mbledhjet e Kuvendit Komunal, e sidomos pas ndriçimit për opinionin e gjerë të disa prej këtyre parregullsive edhe në televizionet nacionale, ditë më parë në adresën e kryetarit të grupit të asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje! në Fushë Kosovë, Ylber Islami, kishin ardhur disa sms të cilat me gjuhë kërcënuese i kërkonin që mos të merrej më me “punët e Burim Berishës”.

Këto kërcënime Ylber Islami i paraqiti menjëherë në organet e rendit. Por, për  t’i ngritur dyshimet se këta sms kërcënues lidheshin drejtpërdrejtë me njerëzit e afërt të Kryetarit të Komunës Burim Berisha, ishte mbledhja e Komitetit për Politikë dhe Financa e datës 17 shtator 2014, ku në mënyrë të organizuar paraprakisht, u tentua të sabotohej dhe të pamundësohej përfaqësimi normal i qëndrimeve të Lëvizjes Vetëvendosje! nga përfaqësuesi ynë në këtë komitet.

Ylber Islamit në atë mbledhje nuk iu dha fjala nga Kryesuesi, përderisa sa herë tentoi të kërkojë të drejtën e tij për diskutim u mbulua nga zhurma e drejtorëve dhe kryetarit të komunës të cilët reagonin kundrejt tij. Situata për pak nuk eskaloi kur Ylber Islami u kërcënua edhe me konfrontim fizik gjatë mbledhjes.

Lëvizja Vetëvendosje!, Qendra në Fushë Kosovë,  i dënon fuqishëm kërcënimet e drejtuara ndaj përfaqësuesit tonë në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës, Ylber Islami dhe njëkohësisht i bën thirrje publike Prokurorisë që të merret me rastin. Gjithashtu, ne dënojmë praktikën e punës së institucioneve komunale të cilat të korruptuara e nën ndikimin arbitrar të Kryetarit Berisha po e mbysin demokracinë në institucione përderisa qytetin e kanë kthyer në një vend ku mbretëron kaosi.

Përveç rastit të lartcekur, ne i bëjmë thirrje prokurorisë së shtetit që të nisë hetimet ndaj kryetarit të komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, ndaj drejtorëve përkatës si dhe militantëve dhe familjarëve të tyre të punësuar në institucionet komunale për dyshimet mbi:

-    Keqpërdorimet me leje të ndërtimit
-   Lejim i qëllimshëm i ndërtimeve të egra nga Drejtoria e Inspektoratit, respektivisht nga inspektorët e ndërtimit për ndërtues të afërt me pushtetin.
-    Ndarje e granteve komunale në baza të interesave klanore dhe elektorale

Qendra në Fushë Kosovë e Lëvizjes Vetëvendosje!, edhe përkundër kërcënimeve, do të reagojë gjithmonë kundër parregullsive të tilla dhe do të jetë gjithmonë në mbrojtje të demokracisë, të drejtës qytetare dhe barazisë së secilit individ para ligjit.
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)