18 Prill 2024

Banorët e lagjes "Mati 1" mirëpresin planet rregulluese

Prishtinë, 16 shtator - Komuna e Prishtinës mbajti takimin publik me banorët e lagjes \"Mati 1\" ku u diskutua për planin urbanistik, infrastrukturën dhe shërbime publike në këtë lagje.

Të pranishëm në këtë diskutim publik ishin Hysen Durmishi, Drejtor në Drejtorinë e Infrastrukturës, Liburn Aliu, Drejtor në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Ardian Gashi, Drejtor në Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Fitore Pacolli, udhëheqëse e kabinetit në Komunën e Prishtinës. Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i problemeve në përgjithësi në këtë pjesë të qytetit, e në veçanti çështja e rrugëve “Ndue Përlleshi” dhe “Shaqir Igrishta”.

Drejtori i Urbanizmit, Liburn Aliu i informoi të pranishmit se ndërtimi i këtyre dy rrugëve është i planifikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm, mirëpo bazuar në planin urbanistik, pengesë kryesore për realizimin e këtyre dy projekteve paraqet procesi i shpronësimit dhe objektet ekzistuese që kanë leje, mirëpo që janë në kundërshtim me planet rregullative, gjë që e rrit koston e projekteve.

“Aktualisht është duke u bërë analiza e gjendjes faktike në lagjen “Mati 1” në mënyrë që të konstatohet gjendja ekzistuese dhe më pas të revidohet plani.

Mirëpo, pasi që një proces i tillë kërkon kohë, ndërsa nevojat e banorëve të kësaj lagje janë urgjente, atëherë ne jemi të gatshëm që të ofrojmë zgjidhjen e përkohshme në rrugën “Shaqir Igrishta”, shtrimin e këtyre rrugëve me kubëza të betonit derisa të bëhet një zgjidhje e përhershme.

Edhe në rrugën “Ndue Përlleshi” kemi probleme me objekte të ndërtuara pa leje, ndërsa situatë e njëjtë është edhe në rrugën “B”. Në rrethana të tilla, nuk mund të revidohen planet pa e konstatuar gjendjen reale në terren”, tha Aliu.

Ai, gjithashtu, inkurajoi banorët e shumtë që morën pjesë në këtë takim që në mënyrë të organizuar të zhvillojnë takime sa më të shpeshta me autoritetet komunale me qëllim të zgjidhjes së problemeve të tyre.

Aliu iu sugjeroi të pranishmëve që në të ardhmen ata në bashkëpunim me komunën t’i shikojnë planet urbanistike dhe të përcaktohen për investitorët potencial, e jo të ndodh e kundërta, siç ka qenë praktika e deritanishme, që investitori të jetë përfaqësues i interesave të tyre, gjë që ka rezultuar me gjendjen kaotike të urbanizmit në këtë pjesë të kryeqytetit.

Këto propozime u mirëpriten nga qytetarët, të cilët u shprehën se pas shumë vitesh për herë të parë dikush shkon dhe interesohet për hallet e tyre.

Ata e mirëpriten propozimin që të bëhet zgjidhje e përkohshme për rrugët “Shaqir Igrishta” dhe “Ndue Përlleshi”, ndërsa shprehën gatishmërinë që në të ardhmen të jenë bashkëpunues me Komunën e Prishtinës.

Banorët e lagjes “Mati 1” kërkuan edhe zgjidhjen e problemit me kanalizimet në këtë pjesë të qytetit, ndërsa drejtori i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i njoftoi ata për projektin e kolektorit mbi lumin Mat që do të nis të realizohet së shpejti, i cili në të njëjtën kohë do të bëjë zgjidhjen e problemit me ujërat e zeza dhe ata atmosferik dhe do të realizohet paralelisht me projektin për rrugët në lagjen Mati 1.

Njëkohësisht, kërkesat e banorëve ishin edhe për shenjëzimin në këtë lagje, ndriçimin publik dhe shërbimet e tjera të nevojshme publike, për të cilat drejtori i Shërbimeve Publike, Ardian Gashi tha se do t’i trajtojë me prioritet, duke nisur nga ngritja e pengesave në komunikacion, vendosja e shenjave si dhe përmirësimi i shërbimeve publike.

Po ashtu, Gashi iu përgjigj edhe shqetësimit të banorëve lidhur me problemin me qentë endacak, pasi që ata u shprehën tejet të shqetësuar sidomos për fëmijët e tyre që shpeshherë janë cak i sulmeve.

Ai u shpreh se në Komunën e Prishtinës është duke u bërë trajtimi human i qenve endacak, duke theksuar edhe një herë prioritet do ti jepet sigurisë së qytetarëve, atëherë lidhur me këtë problem duhet të kërkohet edhe përfshirja e pushtetit qendror në mënyrë që ky problem të zgjidhet me ritëm sa më të shpejtë.

Si përfundim, banorët e kësaj lagjeje u ndanë të kënaqur me alternativat që ofruan zyrtarët e lart të Komunës së Prishtinës dhe u zotuan se në të ardhmen do të angazhohen që të krijohet shprehia e bashkëpunimit midis qytetarëve dhe Komunës, në mënyrë që problemet të adresohen saktë dhe zgjidhjet për përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre të jenë sa më të shpejta. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)