28 Mars 2024

VV solidarizohet me protestat për shkollat shqipe Luginen e Preshevës

Prishtinë, 1 shtator - Lëvizja Vetëvendosje! ka bërë të ditur se solidarizohet më të gjitha format e protestave në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, lidhur me shkollat shqipe dhe gjendjen e arsimit.

Diskriminimi sistematik shtetëror i Serbisë në përgjithësi, e në veçanti në fushën e arsimit, vazhdon me metodat e saj perfide të shtypjes ndaj shkollave në gjuhën shqipe. Si pasojë, ky viti shkollor po fillon pa tekste mësimore dhe pa kushte elementare për zhvillimin e procesit mësimor.
 
Qeveria e Serbisë nëpërmjet Trupit Koordinues për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc shkelin çdo ditë e më shumë të drejtat elementare të shqiptarëve.

Me metodat e saj segreguese Serbia sipas Vetëvendosjes nuk siguron tekstet, doracakët dhe librat mësimore për nxënësit shqiptarë.

Ajo vazhdon të mos lejoj mësimin e kulturës dhe historisë kombëtare shqiptare nëpër shkollat shqipe. Po ashtu, nuk pranon diplomat e Kosovës, si rrjedhim as nostrifikimin e tyre, edhe pse është pretenduar se kjo çështje është zgjidhur me marrëveshjen e dalë nga negociatat në Bruksel. E gjitha kjo po kontribuon në degradimin e shkollave shqipe.

Politika diskriminuese serbe për spastrimin e heshtur etnik të shqiptarëve ilustrohet më së miri në zvogëlimin sistematik të numrit të nxënësve shqiptarë nëpër shkollat shqipe të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

\"Në anën tjetër, ne konsiderojmë se për vite me radhë qeverisjet në Tiranë e Prishtinë me pasivitetin e tyre, me lëshime ndaj Beogradit, pa strategji për Luginën, pa strategji për shkollat shqipe atje, duke i lënë anash shqiptarët, kanë kontribuar në përkeqësimin e arsimit dhe mosrespektimin e të drejtave për arsimim të shqiptarëve\", thekson VV.

Lëvizja Vetëvendosje! i fton përfaqësuesit politikë shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, për kohezion në drejtim të kundërshtimit dhe rezistimit ndaj politikave diskriminuese të Serbisë si dhe për përdorim të të gjitha mundësive për përmirësimin e gjendjes në arsim, duke u distancuar kësisoj nga përgjegjësia e degradimit shtetëror serb ndaj arsimit shqip në Luginën e Preshevës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)