28 Mars 2024

Sot mund të shtrenjtohet energjia elektrike

Prishtinë, 29 gusht - Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) sot (e premte) do të vendosë nëse do të pranohet kërkesa e KEDS-it për ndryshimin e Jashtëzakonshëm Tarifor, i cili përfshin rritjen e çmimit të energjisë elektrike për rreth 5 për qind.

Në njoftimin e Bordit të ZRrE‐së është thënë se në këtë mbledhje do të bëhet shqyrtimi i Jashtëzakonshëm Tarifor, shqyrtimi i Raportit të Monitorimit të DLL për periudhën prill‐qershor 2014 dhe shqyrtimi i ankesave të konsumatorëve.
Eksperti i Ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, ka deklaruar se “Zyra e Rregullatorit është dashur t’i ketë parasysh edhe këto situata në kohën kur e ka miratuar vëllimin e shpenzimeve, që do ta kenë këta dy operatorë. “Vendimi për shtrenjtim të mundshëm të energjisë elektrike është i tillë, por nuk është i drejtë pasi qytetarët po e pësojnë për shkak të keqmenaxhimit të dy operatorëve”, ka thënë ai.

Kurse Selatin Kaçaniku nga organizata “Konsumatori” ka vlerësuar se, nëse Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) merr vendim të rritet çmimi i energjisë elektrike, kjo do të ketë pasoja të rënda, si për konsumatorin, po ashtu dhe për biznesin vendor, i cili në këtë kohë nuk është në pozitë të mirë. “Rritja e çmimit të energjisë nga ana e ZRrE-së do të ketë pasoja të mëdha. Ky vendim sjell anë negative te të gjitha, pasi është një zinxhirë, që lidhet me energjinë”, ka thënë ai.
Sipas Kaçanikut, një vendim për ta rritur çmimin e energjisë elektrike mund të ngjallë pakënaqësi të mëdha te qytetarët e vendit dhe për pasojë mund të ketë edhe trazira sociale, që do të ishin refleksion i keq për Kosovën.

ZRrE publikon komentet

Me qëllim të informimit, ZRrE-ja të enjten ka publikuar përgjigjet ndaj komenteve të palëve të interesit në vlerësimin fillestar të paraqitur në Raportin Shqyrtues të datës 13 gusht 2014.

Ekspertët e ZRrE-së kanë analizuar të gjitha komentet e pranuara për vlerësimin fillestar të paraqitur në Raportin Shqyrtues dhe kanë konkluduar se komentet e pranuara nuk kanë ndikuar në ndryshimin e vlerësimit fillestar, ku është vlerësuar se një furnizim i mirëfilltë me energji elektrike do të sigurohej me një rritje të të hyrave të lejuara maksimale prej 5.18 %, vlerë kjo e cila do ta reflektonte rritjen e kostos së importit të energjisë elektrike në të hyrat maksimale të Furnizuesit Publik të Energjisë Elektrike.

KEDS: Kostot e lejuara për import shtesë do të duhej të ishin 27.2 milionë euro

Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), ka dorëzuar komentet, ku janë fokusuar në llogaritjen nga ZRrE-ja të Kostos së Blerjes së Energjisë me Shumicë (WHPC), Kostot e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSHMAR) si dhe në Kostot e Lejuara të Furnizuesit Publik (FPEE).

KEDS-i ka vlerësuar se kostot e lejuara për import shtesë do të duhej të ishin 27.2 milionë euro, duke u bazuar në skenarin më optimist të ofruar nga KEK-u, sipas të cilit, pritet që njësitë A4 dhe A5 të kthehen në operim në dhjetor të vitit 2014. Sipas KEDS-it, vlerësimi i ZRrE-së është dashur të përfshijë edhe 75 GWh energji të importuar në raste emergjente dhe në rrethana të veçanta për shkak të mungesës së kapaciteteve rezervë në Kosovë.

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka vlerësuar se ngjarja e jashtëzakonshme tashmë është kaluar, pasi blloku A3 ka hyrë në funksion pas 2-3 javësh dhe është kaluar gjendja emergjente. “KOSID konsideron se ngritja e tarifave po bëhet si rezultat i keqmenaxhimit të Qeverisë, KEK-ut dhe KEDS-it”, është thënë në komentin e KOSID-it të dërguar në ZRrE.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)