19 Prill 2024

Thaçi: Nuk ka ekonomi të fortë pa marrëdhënie të mira

Berlin, 28 gusht - Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi në Konferencën për Ballkanin Perëndimor, ka deklaruar se tani është momenti që të flasim për të sotmen dhe të ardhmen tonë të përbashkët, e cila varet në tërësi nga realizimi i vizionit dhe objektivit tonë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, pjesë e BE-së dhe NATO-s.

Fjalimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi në Konferencën për Ballkanin Perëndimor



E nderuara Kancelare Merkel,
I nderuar President i Komisionit Europian z. Barroso;
I nderuar Kancelar i Austrisë z. Faymann;
Të nderuar kryeministra të shteteve të Ballkanit Perëndimor;,
Të nderuar ministra dhe ambasadorë;
Të dashur pjesëmarrës;
Zonja dhe zotërinj;

Fillimisht, dua të falënderoj Kancelaren Merkel për këtë ide brilante për të mbledhur në këtë platformë të përbashkët liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Unë jam i bindur se ne të gjithë që jemi të pranishëm sot këtu, për arsye të cilat janë të njohura për të gjithë, pajtohemi se nuk do të kishte përbërje më domethënëse se kjo, për të shënuar përvjetorin e 100-të të fillimit të Luftës së Parë Botërore.

Sot, nuk do të flas për historinë edhe pse jam historian për nga profesioni. Nuk dua të flas shumë as për të kaluarën e popujve të Ballkanit Perëndimor, sepse të gjithë e dimë se sa e dhimbshme dhe e hidhur ka qenë ajo.

Tani është momenti që të flasim për të sotmen dhe të ardhmen tonë të përbashkët, e cila varet në tërësi nga realizimi i vizionit dhe objektivit tonë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, pjesë e BE-së dhe NATO-s.

Në këtë aspekt, shtetet tona respektive mbajnë barrën kryesore dhe varësisht nga efikasiteti i reformave strukturore përmbajtjesore, e sidomos atyre në fushën e sundimit të rëndit dhe ligjit, do të përcaktohet edhe dinamika e anëtarësimit në BE.

Mirëpo, është e qartë se reformat e tilla do të jenë shumë të vështira në rast se BE-ja nuk e mban derën e hapur dhe nuk ofron ndihmën e nevojshme qoftë teknike apo financiare për t’i përshpejtuar këto reforma.

Pikërisht në këtë proces, roli i shteteve anëtare të BE-së bëhet edhe më i rëndësishëm.

Unë përfitoj nga rasti për të shprehur mirënjohjen time të lartë në emër të popullit të Kosovës për rolin udhëheqës të Gjermanisë dhe ndihmën e dhënë për Kosovën dhe shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ndihma e qeverisë dhe popullit gjerman për Kosovën dhe rajonin ka qenë shumë e rëndësishme ndër të tjera edhe për fillimin e dialogut ndërmjet atyre shteteve dhe popujve në Ballkan, që dikur kanë qenë kundërshtarë të njëri-tjetrit, duke hapur kështu shumë mundësi të reja për shtetet e Evropës Juglindore. Shembulli më i mirë padyshim është roli shumë i rëndësishëm i Gjermanisë në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Diplomacia gjermane është treguar parimore dhe pragmatike në zgjedhjen e problemeve në Ballkanin Perëndimor, ndërsa investitorët gjermanë i kanë dhënë shpresë ringjalljes së ekonomisë në shtetet tona, sepse ata tashmë janë të bindur se stabiliteti i krijuar në rajon është plotësisht i qëndrueshëm.

Duke iu falënderuar ndihmës së BE-së, të gjitha shteteve anëtare e në veçanti Gjermanisë, por gjithashtu edhe rolit të pazëvendësueshëm të SHBA-ve, Kosova ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm në këto vitet e para të këtij shekulli.

Kosova si shtet i pavarur është njohur nga 108 shtete të botës, është anëtarësuar në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe në shumë organizata tjera rajonale dhe ndërkombëtare.

Për më tepër, Kosova tashmë ka vënë inicialet për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në dhe ne presim që e njëjta të përmbyllet zyrtarisht deri në fund të këtij viti.

Gjithashtu, ne kemi përmbushur të gjitha kriteret teknike për liberalizimin e vizave dhe me të drejtë presim vendimin nga BE-ja, i cili iu mundëson qytetarëve të Kosovës të lëvizin lirshëm në BE, njësoj sikur qytetarët e shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kosova shumë shpejt do të aplikojë për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe në Këshillin e Evropës.

Natyrisht, synim parësor i yni është që gjatë kësaj dekade Kosova të bëhet edhe anëtare e OKB-së dhe ta zërë vendin e saj të merituar në arenën ndërkombëtare.

Unë shpresoj në platformën tonë të përbashkët për dialog të ndërsjellë dhe vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Kjo platformë e dialogut të ndërsjellë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor e shoqëruar me reformat e domosdoshme strukturore në shtetet tona respektive, është garancia e vetme për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Në këtë aspekt, ndoshta nuk është e tepërt të përsëris se Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e arritur me 19 Prill 2013, është marrëveshja më e rëndësishme historike e arritur ndonjëherë ndërmjet dy popujve dhe shteteve tona.

Them kështu, sepse kjo marrëveshje u arrit pas një shekulli të tërë të konflikteve.

A ishte e lehtë për të arritur këtë marrëveshje?

Natyrisht se jo. Dhe mbase kjo marrëveshje nuk do të arrihej kurrë pa ndihmën e BE-së, rolin udhëheqës të Baroneshës Ashton, pastaj ndihmën e pazëvendësueshme dhe të përhershme të SHBA-ve dhe shumë shteteve tjera, e në mënyrë të veçantë edhe Gjermanisë.

Por mbi të gjitha, kjo marrëveshje nuk do të arrihej kurrë pa rolin udhëheqës dhe guximtar të liderishipit të Serbisë dhe Kosovës dhe pa vullnetin e popujve tanë.

Unë përfitoj nga rasti të falënderoj kryeministrin Vuçiç dhe ministrin e jashtëm Daçiç për rolin e tyre në arritjen e marrëveshjes së parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjithashtu, dua të iu siguroj juve kancelare e nderuar Merkel dhe të gjithë të pranishmit se Kosova është e gatshme për të vazhduar fazën e dytë të këtij dialogu, e cila pashmangshëm duhet të përmbyllet me një Marrëveshje Ndërkombëtare të Paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ne presim përkrahjen dhe rolin tuaj të pazëvendësueshëm e nderuar kancelare në vazhdim të këtij procesi i cili duhet të vazhdojë me ndërmjetësimin e BE-së dhe përkrahjen e fuqishme të SHBA-ve.

Kosova aktualisht është duke e përmbyllur një proces të suksesshëm elektoral, që u dallua me disa të arritura të rëndësishme.

Së pari, ishin zgjedhjet që morën notën më të lartë vlerësuese nga të gjithë vëzhguesit, si një proces elektoral i standardeve evropiane, proces i lirë, demokratik dhe i drejtë.

Së dyti, ishin zgjedhje që për herë të parë u mbajtën në tërë territorin e Republikës së Kosovës e në të cilat morën pjesë të gjitha komunitetet e Kosovës, duke siguruar pjesëmarrje dhe përfaqësim të të gjitha komuniteteve në Kuvendin e ri të Kosovës.

Së treti, përkundër sfidave që u shfaqën në procesin e formimit të institucioneve të reja, sistemi ynë juridik, konkretisht Gjykata Kushtetuese e Kosovës, u tregua funksionale dhe me përkushtim të lartë profesional arriti t’u jep përgjigje adekuate të gjitha paqartësive që e shoqëruan procesin post-elektoral.

Në javët në vijim, unë jam i bindur se partitë politike do të tejkalojnë interesat e ngushta partiake dhe do të jenë të afta për t’i dhënë vendit institucione kredibile të cilat do të vazhdojnë reformat e domosdoshme strukturore, sidomos në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe luftën kundër çfarëdo forme të ekstremizmit dhe terrorizmit.

Në fund, vetëm dua t\'ju rikujtoj se sot gjatë kësaj konference, ju do të keni mundësi të dëgjoni nga ministri i Jashtëm dhe ai i  Financave për hapat konkretë që ka ndërmarrë Kosova për konsolidimin e shtetit dhe të ekonomisë sonë. Natyrisht që do të shpalosen edhe projekte konkrete të karakterit nacional dhe rajonal.

Mirëpo, më lejoni që edhe një herë të theksoj se nëse e marrim në konsideratë pikënisjen e rrugëtimit të Kosovës, atëherë me krenari mund t\'ju them se procesi i shtet-ndërtimit të Kosovës mbetet suksesi më i madh i përbashkët i kosovarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Prandaj me kënaqësi dua të rikonfirmoj përpara jush se Kosova do të vazhdojë të kultivojë politikën e fqinjësisë së mirë dhe të jap kontributin e saj të çmuar në shërbim të forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Ju falënderoj për vëmendjen tuaj dhe mirëpres një debat konstruktiv në vazhdim të konferencës.

 

 

***********************

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në këtë konferencë foli në mënyrë të veçantë edhe për aspektet ekonomike:


Më lejoni që së pati të falënderoj Qeverinë dhe popullin gjerman për përkrahjen e vazhdueshme gjatë gjithë këtyre viteve, përveç tjerash tani edhe në aspiratat tona për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ne jemi shumë mirënjohës për më shumë se 420 milion investime në asistencë teknike dhe financiare në 15 vitet e kaluara.

 
Qeveria e Kosovës i ka dhënë prioritet rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të punës, dhe për këtë ka aprovuar një strategji pesë vjeçare për zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme.
 

Gjithashtu, tanimë Qeveria ka marrë vendim për krijimin e Fondit të Punësimit, implementimi i të cilit do të filloje menjëherë me krijimin e Qeverisë së re.

 
Projektet rajonale të cilat janë në planin e Qeverisë:

Hekurudha që lidh Malin e Zi dhe Shqipërinë – përderisa Kosova nuk  ka qasje në ujërat ndërkombëtare ose lumenj të lundrueshëm, transporti hekurudhor i mallrave dhe njerëzve mbetet forma më e lirë e transportit.

Studimi i fizibilitetit për hekurudhën 10  Hani i Elezit – Fushë Kosovë –Mitrovicë – Leshak (148 km) është kompletuar dhe ka pasur një ndikim regjional duke lidhur qendrat kryesore të Evropës Jug-Lindore (SEE)

 
Financimi duhet të sigurohet për gjithë projektin, që është vlerësuar të jetë rreth 180 milionë euro e ndarë në tri faza.

 Duke u bazuar edhe në Strategjinë e Qeverisë për Borxhet, projektet e tilla kapitale planifikohen të financohen me borxhet e jashtme, siç janë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si dhe Banka Investive Evropiane (BIE)

Rrjeta rrugore – Tanimë është e njohur dhe e pranuar, që ndërtimi i autostradës që lidh Prishtinën dhe Tiranën ka përfunduar vitin e kaluar dhe konsiderohet ndër projektet më të suksesshme të rajonit. Ky projekt është i një rëndësie kapitale për Kosovën dhe regjionin, duke integruar qytetet dhe qendrat e rëndësishme ekonomike.

Qeveria është e përkushtuar që të kompletojë pjesën e mbetur të sektorit Besi – Merdare, dhe si i tillë projekti i është prezantuar EIB dhe EBRD për financim.

 
Në planin vijues është ndërtimi i autostradës që lidh Prishtinën me kufirin e Maqedonisë. Ky projekt tanimë është në fazën fillestare të implementimit.

 
Ndërtimi i rrugës Prishtinë – Mitrovicë

 
Ndërtimi i rrugës Prishtinë – Pejë – Mali i Zi

Bashkëpunimi Regjional për Integrimin e tregut energjetik: Qeveria e Kosovës ka investuar më shume se 120 milionë euro në Sistemin e Transmisionit, linja 400 kv. Një pjesë e këtij investimi është projekti në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, i cili do të përfundojë pas dy vitesh. Gjithashtu planifikohet të bëhet integrimi i tregut energjetik me Malin e Zi.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)