26 Prill 2024

Gjykata anulon zgjedhjen e Isa Mustafës si kryeparlamentar

Prishtinë, 22 gusht - Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se ka shqyrtuar kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të votuar nga 83 deputetë të Kuvendit, më 17 korrik 2014.

Sipas njoftimit të publikuar në web faqen e saj zyrtare, Gjykata me shumicë votash vendosi që mbledhja e Kuvendit të Kosovës dhe proçedura e ndjekur aty pas pezullimit të seancës konstituitive nga kryesuesja Flora Brovina për shkak të mungesës së kuorumit përbën shkelje të Kushtetutës.

“Mbledhja dhe procedura e ndjekur pas pezullimit të seancës konstitutive, më 17 korrik 2014, nga Kryesuesja, për shkak të mungesës së kuorumit, kanë shkelur nenin 67 (2) në lidhje me nenin 64 (1) të Kushtetutës dhe Kreun III të Rregullores së punës”, thuhet në vendimin e publikuar nga Gjykata Kushteteuse.

Sipas Gjykatës, vazhdimi i seancës nga deputetët e grupeve të tjera parlamentare përbën shkelje të nenit 67 pika 2, në lidhje me nenin 64 pika 1 të Kushtetutës dhe Kapitullin III të Rregullores së punës së Kuvendit që zbaton këto nene.

Për shkak të këtyre shkeljeve, Gjykata ka konstatuar se vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e Isa Mustafës kryeparlamentar është jokushtetues, si për nga proçedura e ndjekur, ashtu edhe për nga përmbajtja.

Kjo, pasi sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk ishte grupi më i madh parlamentar ai që propozoi kryetarin e Kuvendit dhe rrjedhimisht votimi është i pavlefshëm.

Me këtë pikë të konstatimit, Gjykata ka konfirmuar se grupi më i madh parlamentar në Kuvend është ai i PDK-së. Gjykata Kushtetuese ka konstatuar gjithashtu se seanca konstituitive e Kuvendit nuk është realizuar plotësisht, pasi nuk janë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Kushtetuesja ka kërkuar që Kuvendi të përfundojë seancën duke zgjedhur përfaqësuesit e këtyre posteve në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e punës, si dhe në pajtim me këtë Aktgjykim.

“Seanca konstituive e Kuvendit, që ka filluar më 17 korrik 2014, nuk është realizuar plotësisht, konkretisht nuk janë zgjedhur Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Rrjedhimisht, Kuvendi duhet ta përfundojë seancën konstitutive duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët në pajtim me nenin 67 (2) në lidhje me nenin 64 (1) të Kushtetutës dhe me Kreun III të Rregullores së punës që zbaton këto nene dhe në pajtim me këtë Aktgjykim”, theksohet në vendimin e Kushtetueses.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)