19 Prill 2024

Nasuf Kabashi: Liridonin e mashtruan

Prishtinë, 16 gusht - I riu Liridon Kabashi nga Polaci i Skenderajt u arrestua bashkë me hoxhën e shumëpërfolur nga Gjilani, Zekrija Qazimi.

Babai i të dyshuarit për ekstremizëm Nasufi e pranon se djali i ti ka qenë në Siri, por thotë se për këtë i është rrëfyer policisë që para 9 muajve dhe i ka rënë pishman për atë që ka bërë, pasi ishte i manipuluar.

Ka nëntë muaj qyshkur Liridon Kabashi (27), nga Polaci i Skenderajt, i ka rrëfyer Policisë së Kosovës (PK) për shkuarjen e tij në Siri dhe të gjitha përjetimet e atjeshme.

Por ai është arrestuar tek të enjten së bashku me imamin gjilanas, Zekrija Qazimi, të dyshuar për tri vepra penale që lidhen me terrorizëm: rekrutim për terrorizëm, organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist, nxitja e urrejtjes, e përçarjes ose e mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Babai i Liridon Kabashit, Nasufi, kishte menduar se i biri u kishte dhënë fund telasheve dhe se ishte rehatuar në punën e re që bënte në një biznes privat.

Ai ishte befasuar kur forca të mëdha policore ia kishin rrethuar shtëpinë e tij mëngjesin e së enjtes. “Unë e djali vetë ua hapëm dyert dhe u thamë urdhëroni e hyni brenda.

Ata bastisen shtëpinë, por nuk gjeten asgjë të rëndësishme edhe pse i morën do sene të djalit, por edhe vetë Liridonin.

Madje ai refuzoi t’i caktojnë avokat, sepse tha se ndihet i pafajshëm”, ka treguar ai.

Nasuf Kabashi e pranon se djali i tij ka qenë në Siri.

Megjithatë, deri tek një vendim i tillë thotë të ketë ardhur si pasojë e manipulimeve që ia kanë bërë disa shokë e kushërinj.

“Është e vërtetë se djali im me do kushërinj e shokë u kanë në Siri, pasi që i kanë thanë hajde shkojna me mësua për fe e kuran. Atje nuk i ka dalë ashtu siç i kanë thanë, dhe ai ka kërkua me u kthye menjëherë. Por ata nuk e kanë lanë, se sipas rregullave të tyre, po u dashke me ndejtë atje më së paku tre muaj”, ka treguar Nasufi.

Ai pretendon se të birin e tij që ka diplomuar për kriminalistikë, e kanë mashtruar.

Megjithatë ajo që e çudit Kabashin është fakti që Policia e Kosovës nuk ka ndërmarr asgjë më herët dhe i ka lënë familjen të mendojnë se çdo gjë ka përfunduar sa i përket shkuarjes në Siri. /Koha Ditore/
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)