20 Prill 2024

Ministri Krasniqi takoi futbollistin shqiptar Shkodran Mustafi

Prishtinë, 29 korrik - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim futbollistin shqiptar nga Maqedonia, Shkodran Mustafi, që me kombëtaren e Gjermanisë fitoi titullin kampion bote në Kampionatin Botëror të Futbollit në Brazil, që u mbajt në muajin qershor dhe korrik të këtij viti.

Ministri Krasniqi i uroi Mustafit për suksesin e madh të arritur, duke u bërë shqiptari i parë që fiton titullin e kampionit të botës në futboll. Ai tha se Mustafi dhe gjithë futbollistët tjerë shqiptarë që luajtën në Brazil kanë bërë krenar gjithë popullin shqiptar.

“Ne kemi qenë të gjithë me juve. Paraqitjet tuaja shumë të mira dhe ky sukses i madh, historik, na ka bërë vërtetë krenar dhe për neve, për të rinjtë tanë, ju jeni inspirim”, tha ministri Krasniqi.

Ai tha se suksesi i Mustafit dhe gjithë futbollistëve tjerë shqiptarë që luajnë në garat evropiane e botërore shërben si një motiv për shumë futbollistë të rinj në Kosovë që të punojnë dhe arrijnë sukses të lartë në karrierën e tyre profesionale.

Ai e ka njoftuar Mustafin me sfidat dhe të arriturat e futbollit të Kosovës dhe sportit në përgjithësi, duke theksuar se ka hapa të rëndësishëm drejt pranimit në UEFA dhe FIFA dhe shfaqi shpresën se Kosova do të marrë pjesë në kualifikimet për botërorin e futbollit në vitin 2018 që mbahet në Rusi.

Nga ana tjetër, futbollisti Shkodran Mustafi falënderoi ministrin për pritjen dhe u shpreh mjaftë i nderuar që gjithë shqiptarët në mbarë botën e kanë përkrahur dhe i janë gëzuar suksesit të tij.

Ai tha se ky sukses i tij është edhe një dedikim për popullin e tij. Mustafi foli për ecurinë e karrierës së tij dhe planet për të ardhmen. Kampionati në Brazil dhe medalja e artë, tha ai, kanë qenë një motiv shtesë për të por edhe referencë e madhe për karrierën në të ardhmen.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)