29 Mars 2024

Italia mbështet Kosovën

Prishtinë, 24 korrik - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot për një takim pune Ministren e punëve të jashtme të Italisë, znj. Federica Mogherini.

Kryeministri Thaçi e falënderoi Ministren Mogherini për përkrahjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Kosovës dhe rajonit dhe u shpreh se Kosova sheh me optimizëm marrjen e kryesimit të Presidencës së BE-së nga ana e Italisë në këtë fazë të rëndësishme për Kosovën.

“Marrëveshja për Stabilizim Asociim dhe liberalizimi i vizave janë dy procese shumë të rëndësishme për Kosovën e për të cilat priten hapa vendimtarë në kohën kur Italia kryeson me Presidencën e BE-së”, u shpreh Kryeministri Thaçi dhe shtoi se është punuar gjatë dhe zellshëm në këtë drejtim dhe tani pritet të korren rezultatet e kësaj pune të madhe.

Kryeministri Thaçi gjithashtu e njoftoi Ministren Mogherini për arritjet në Kosovë, veçanërisht me procesin e suksesshëm të zgjedhjeve të përgjithshme që ishin zgjedhjet më të mira që ka pasur Kosova ndonjëherë, e të cilat u mbajtën në tërë territorin e Kosovës, sipas ligjeve të Kosovës.

Ministrja Mogherini u shpreh e kënaqur me prezencën dhe kontributin e Italisë në Kosovë, qoftë duke marrë pjesë në KFOR dhe EULEX, qoftë nëpërmjet përkrahjes që i jep vendit në procesin e integrimit në BE. “Ne qëndrojmë krah për krah me juve në rrugën drejt BE-së”, u shpreh Ministrja Mogherini.

Ministrja Mogherini e përgëzoi qeverinë e Kosovës për të arriturat në vend, veçanërisht për zgjedhjet e suksesshme si dhe procesin e rëndësishëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ministrja Mogherini shprehu dëshirën që bashkëpunimi mes Italisë dhe Kosovës të thellohet edhe në sferën e ekonomisë dhe kërkoi që të ndihmohen investitorët potencialë italianë të shtrijnë investimet edhe në Kosovë, sidomos ata që tanimë kanë investuar në rajon.

Kryeministri Thaçi e siguroi Ministren Mogherini se Qeveria e Kosovës ka prioritet zhvillimin ekonomik të vendit dhe se do të ndihmohen investitorët që dëshirojnë të investojnë në Kosovë.

Gjithashtu, Kryeministri Thaçi u shpreh se pas zgjedhjeve të suksesshme po punohet që sa më parë të formohet edhe qeveria në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe të punohet në prioritetet e vendit, integrimin në NATO dhe BE, dialogun dhe zhvillimin ekonomik.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)