28 Mars 2024

Përfunduan provimet pranuese në Universitetin e Mitrovicës

Mitrovicë, 24 korrik - Kanë përfunduar mirë dhe pa asnjë problem provimet pranuese që janë mbajtur të mërkurën dhe të enjten në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”(UMIB) në Mitrovicë. 

Për  gjithsej 1280 vende për studentë sa do të pranohen sivjet në 23 programet që janë akredituar në kuadër të 6 fakulteteve, kanë konkurruar 1585 kandidatë. 

Konkurrenca më e madhe ka qenë në Fakultetin e Edukimit, ku për 150 vende kanë konkurruar 768 kandidatë.

Gjithashtu edhe në Fakultetin Ekonomik dhe atë Juridik, ka pasur konkurrencë të fortë. Për 200 vende në Ekonomik kanë konkurruar 390 kandidatë, ndërsa për 100 vende në Juridik kanë konkurruar 270 kandidatë.

Interesim më të vogël ka pasur për fakultetet teknike. Për 192 vende  në Fakultetin e Gjeoshkencave kanë konkurruar 27 kandidatë, për 168 vende në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike kanë konkurruar 41 kandidatë dhe për 300 vende në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike kanë konkurruar 68 kandidatë.

Rektori i UMIB-it, Alush Musaj, i cili ka inspektuar ecurinë e provimeve për së afërmi, tha se gjithçka ka kaluar mirë dhe pa probleme.

“Jemi organizuar mirë dhe me kohë, prandaj nuk kemi pasur telashe sa i përket mbarëvajtjes së provimeve pranuese”, tha ai.

Sipas tij, testet kanë ardhur me kohë dhe janë menaxhuar në mënyrën më të mirë. “Gjithçka ka qenë në rregull sa i përket testeve dhe nuk ka pasur asnjë ankesë”.

Poashtu rektori Musaj, theksoi se edhe hapësira ka qenë e përshtatshme dhe e mjaftueshme për provimet pranuese.   

Rezultatet pritet të publikohen të premten.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)