19 Prill 2024

Janë verifikuar rreth 10 mijë aplikacione

Prishtnë, 19 prill - Faik Fazliu ka bërë me dije se deri më tani Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo të Internuarit të Luftës së UÇK-së ka shqyrtuar rreth 10 mijë aplikacione, 2 mijë e 261 prej të cilave nuk u është njohur statusi i asnjë kategorie të përcaktuar me ligj.

Në një intervistë për “Epokën e re” udhëheqësi i Sekretariatit të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo të Internuarit të Luftës së UÇK-së, Faik Fazliu,  ka deklaruar se deri më tani me procesin e verifikimit po dëshmohet se numri i veteranëve të luftës së UÇK-së është ai që ka qenë në përfundim të luftës dhe se nuk do të ketë fryrje të numrit të kësaj kategorie siç është pretenduar më herët.

“Gjithsej deri më tani janë verifikuar 9 mijë e 654 aplikacione nga të gjitha zonat operative të Kosovës, prej tyre 3 mijë e 856 personave u është njohur statusi i veteranit luftëtar të UÇK-së, 1 mijë e 471 personave u është pranuar statusi i veteranit pjesëtar të UÇK-së, 676 personave u është pranuar statusi i veteranit pjesëmarrës të UÇK-së”, ka thënë Fazliu.

Duke përmendur ish-zonat operative të UÇK-së dhe brigadat, aplikacionet e të cilave janë verifikuar, ai ka treguar se ky proces ka përfunduar edhe për 2 mijë e 245 aplikacionet e Brigadës 138 “Agim Ramadani”.

Ai ka mohuar pretendimet e ish-pjesëtarëve të kësaj brigade se gjoja nuk do t’u njihet kontributi në çlirimin e Kosovës.

“Ju bëj me dije se nga procesi i verifikimit 1 mijë e 367 personave të kësaj brigade u është njohur statusi i veteranit luftëtar të UÇK-së, 102 personave si veteranë pjesëtarë të UÇK-së, 32 personave si veteranë pjesëmarrës të UÇK-së, kurse 71 personave u është refuzuar t’u jepet ndonjë status”, është shprehur ai.

Fazliu, i cili drejton Zyrën për Çështje të Veteranëve në kuadër të Kryeministrisë, ka deklaruar se, në bazë të dinamikës së punës që po zhvillohet, pritet që në muajin qershor të publikohen listat e para me emrat e atyre që u janë njohur statuset e kategorive të dala nga lufta.

Duke folur për themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e pretenduara të UÇK-së, ai ka thënë se kjo ka ardhur si rezultat i propagandës së tmerrshme që ka bërë Serbia kundër UÇK-së dhe udhëheqësve të saj nëpërmjet njerëzve të vet që i ka në Kosovë.

Ai ka thënë se do të ishte mirë që bashkësia ndërkombëtare të interesohet për gjykimet e atyre që kanë shkaktuar masakra në mijëra qytetarë të pafajshëm të Kosovës: gra, fëmijë dhe pleq.

“Nuk është e ndershme dhe njerëzore të tentohet të barazohet viktima me agresorin”, është shprehur Fazliu. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)