29 Mars 2024

Gjykata dhe gjendja speciale

Shkruar nga Faton Abdullahu

Nëse krimet e supozuara,  janë bërë gjatë luftës në Kosovë, krijimi i gjykatës speciale ndoshta e ka një të mirë sepse së paku të këqijat e bëra do të lokalizohen tek personat përkatës.

Sado të lartë për nga funksioni të jenë ata persona sot, apo sado me ndikim të kenë qenë gjatë luftës, individualizimi i krimit është i mundur dhe kjo më së miri bëhet me gjykatë. Edhe pse jo krejt pa dëmtime imazhi, kjo do ta mbroj jo vetëm UÇK-n por edhe gjithë përpjekjen tonë dhe gjithë neve nga kjo leqe jo e mirë.

Nëse krimet e supozuara nuk janë bërë, krijimi i një gjykate speciale e cila do të duhej të vërtetoj gjendjen reale, do të jetë edhe më pozitive, sepse do të shuhen apo së paku amortizohen efektshëm zëra dyshues dhe akuzues,si ajo e Dick Marty-t me çka më së mirë do të mbrohen edhe një herë vlerat e luftës dhe vetë shqiptarët përgjithësisht.

Nëse gjykimin për këto krime të supozuara do ta bënin gjykatat tona në Kosovë, do të ishte më së miri. Sikur gjykatat tona t’i ndëshkonin fajtorët shqiptarë për krimet e bëra gjatë luftës, para bashkësisë ndërkombëtare dhe para popullit dhe shtetit serb, do të tregonim më mirë e më bindshëm se me shumë çka tjetër, se ne meritojmë të kemi shtet dhe se dimë ta mbajmë e zhvillojmë atë.

Por edhe bashkësia ndërkombëtare edhe Serbia edhe të gjithë ne në Kosovë e dimë mirë se këtë vetëdije shtetndërtuese dhe këtë kapacitet dhe pavarësi sidomos të gjyqësorit nuk e kemi.

Nëse është kështu, dhe është larg më keq se kaq, atëherë të konstatojmë sikundër po konstatohet jo rrallë ditëve të fundit se është e padrejtë që ndërkombëtarët të vijnë e të na krijojnë gjykata, sepse pos tjerash është cenim i pavarësisë sonë edhe ashtu të brishtë, më së paku thënë ky arsyetim nuk është bindës aq më pak për një shtet si ky i yni.

Nëse krimet janë bërë, as Brukseli as Uashingtoni, as familjarët e viktimave, nuk mund të presin deri sa gjykatat tona të pavarësohen e të bëhen efikase e mandej të dënohen fajtorët.

Arsyetim tjetër që është dëgjuar po ditëve të fundit mbi gjykatën speciale është se për diçka të tillë më shumë ka nevojë Serbia, sepse Kosova nuk ishte agresori por agresor ishte Serbia dhe edhe sot e kësaj dite ka shumë kriminel që jetojnë e punojnë të lirë në Serbi e gjetiu.

Në njërën anë e vërtetë është se Serbia ishte agresori kjo është e njohur dhe e vërtetuar botërisht për të cilën mbase nuk ka nevojë të dyshojmë e brengosemi se kjo nuk është kuptuar nga bota demokratike.

Në anën tjetër në aspektin jo vetëm moral por edhe demokratik, nëse ndëshkimet dhe përndjekjet e kriminelëve nuk po ndodhin sa e si duhet në Serbi, kjo nuk e justifikon arsyetimin tonë se për rrjedhojë kjo nuk duhet të ndodhë as edhe në Kosovë.

Dorën në zemër sipas një rendi, sa fer aq edhe demokratik, kjo gjykatë speciale do të duhej të themelohej e të vepronte tash sa kohë në Serbi pandalshëm.

Por është e kuptueshme sado që jo e arsyetueshme se, se kjo, pos tjerash nuk ndodhë në Serbi edhe pse ndërkombëtarët si nga Brukseli edhe nga Uashingtoni nuk mund ta bëjnë këtë kollaj në Serbi, sepse Serbia është shtet larg më i konsoliduar se ne, larg më i pavarur se ne dhe shumë më pak i varur nga ndërkombëtarët dhe me qeveri gjithsesi më efikase se sa qeverisja jonë e korruptuar dhe e dhënë pas prioriteteve tjera shpesh me mëtim për përfitime partiake e klanore.

Fundja nuk është për ta anashkaluar edhe faktin se Kosova dhe ish vatrat e tjera të krizës jo vetëm në Ballkan, por sidomos Kosova me brishtësinë dhe mos qëndrueshmërinë e saj, apo thënë ndryshe me gjendjen e saj speciale, janë tezga fitimprurëse për shumë, gjyqtarë, prokurorë, avokatë, ndërmjetësues, përkthyes e zyrtarë të tjerë ndërkombëtar.

Thjeshtë një gjykatë speciale bëhet shumë më lehtë në Kosovë se në Serbi. Ne vetëm mund të shpresojmë, mbase edhe mund të punojmë në këtë drejtim, që krjimi i një gjykate të tillë speciale në Kosovë të jetë justifikim shtesë i kërkesës për krijimin e një gjykate speciale në Serbi.

Ndoshta është koha që ne ta gjejmë një ‘Dick Marty’ pro shqiptarë, në Bruksel apo Uashington, për ta iniciuar një gjykatë speciale për krimet dhe dhunimet e bëra gjatë luftës në Kosovë nga Serbia.

Por për këtë na duhet një qeveri që ndryshon prioritetet e cila nuk do të vetëkënaqet ekzagjerueshëm se dikur ka luftuar kundër Serbisë, por do ta sheh të domosdoshme që të angazhohet vazhdueshëm edhe për të gjitha viktimat dhe familjarët e tyre në Kosovë, që krimbërësit në Serbi të mos i lë kurrë rehat deri sa të ndëshkohen meritueshëm.

Nga krejt kjo që po ndodhë me dhe rreth gjykatë speciale për krimet e supozuara nga shqiptarët në Kosovë, ne duhet të nxjerrim mësime. Jo kjo qeveri, sepse nuk është e denjë për diçka të tillë. Përkundrazi largimi i saj është premisë e mirë për këtë mësimnxjerrje.

Duhet të nxjerrim mësim se për të ndërtuar shtet, dhe për ta ndryshuar kulturën se me çështje të ndjeshme e të rëndësishme merren ndërkombëtarët, duhet mos t’i anashkalojmë problemet, mos të frikohemi, por të përballemi me to edhe nëse kjo kërkon shumë guxim,shumë punë, bile dhe flijime formash të ndryshme.

Përndryshe shteti i Kosovës kurrë nuk do të bëhet i pavarur sa e si duhet dhe ne nuk do të jem zot në shtëpinë tonë. Me këtë kulturë politike anashkalimi prioritetesh, me këtë vetëdije politike hezitimi e mos guximi, prapë nesër do të gjendet një arsye tjetër për një gjykatë tjetër speciale.

Për shembull do të na thonë se për shkak se nuk jemi të zotë as të guximshëm t’i parandalojmë as edhe ndëshkojmë ata që po luftojnë në Siri, duhet një gjykatë e re speciale. Dhe kështu pambarim do të viktimizohet pavarësia dhe funksionaliteti i shtetit tonë.

/Autori është ligjërues në Kolegjin Riinvest dhe atë Juridika/


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)