24 Prill 2024

Ferronikeli eksporton në Itali dhe në shtetet aziatike

Prishtinë, 18 prill - Ndërmarrja “NewCo Ferronikel”, e cila vite më parë ishte privatizuar nga “Cunico Group”, i ka siguruar të gjithë 900 punëtorët e saj, se nuk do t’u rrezikohen vendet e punës, por do të shikohet mundësia që kjo kompani ta shtojë më shumë numrin e tyre nëse do të lëshohet në punë miniera e Çikatovës dhe nëse çmimet e nikelit do të rriten në tregjet ndërkombëtare.

“Ferronikeli”, i cili ishte motor i zhvillimit, jo vetëm i Drenicës, por i gjithë Kosovës, që nga privatizimi ka bërë shumë investime që ia kanë parë hairin jo vetëm punëtorët që punojnë aty, por edhe shoqëria e atij rajoni.

“Ferronikeli” që nga ndërrimi i pronësisë ka përkrahur edhe shumë grupe shoqërore, sportive, kulturore dhe ka investuar në projekte të ndryshme të Drenasit, duke bërë që në përgjithësi të përfitojë komuniteti vendor.

Drejtori i “Ferronikelit”, Ioanins Moutafis, ka vlerësuar se sa i përket mundësisë për të bërë biznes, Kosova ka ofruar kushte të mira por, sipas tij, tatimet janë pak të larta. Sipas tij, tjetër problem për ta paraqet edhe skadimi i kontratës me KEK-un.

“Rritja e çmimit të rrymës nuk do të ishte e mirë. Ne nuk do dëshironim të ketë shtrenjtim të rrymës. Ashtu-kështu çmimi i tanishëm për neve është i lartë”, ka theksuar ai.
 
Drejtori i “Ferronikelit”, Ioannis Moutafis, ka bërë me dije se kjo kompani eksporton në disa vende. “Kryesisht eksportojmë në Itali dhe në shtetet aziatike, me theks të veçantë në Indi”, ka thënë ai. Sipas tij, për të eksportuar kjo kompani kryesisht i shfrytëzon portet detare të Greqisë, pasi janë më afër dhe kanë kushte më të mira.

Moutafis ka thënë se kjo ndërmarrje deri më tani i ka respektuar të gjitha ligjet e Kosovës sa i përket punës.

“Edhe në të ardhmen jemi të përkushtuar t’i respektojmë në përpikëri ligjet e Kosovës. Jemi të kënaqur me institucionet e Kosovës sa iu përket ligjeve në përgjithësi. Ligjin e Punës dhe Kontratën Kolektive jemi duke i zbatuar. Këtë e ka shprehur edhe ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, i cili ka vlerësuar se kompania jonë deri më tani ka qenë në përpikëri me ligjin”, ka thënë ai.

Ai ka sugjeruar se Qeveria e Kosovës, gjegjësisht institucionet e Kosovës, të mos i ndërrojnë shpesh ligjet e punës, pasi ata si ndërmarrje shumë e madhe bëjnë plane afatgjata dhe për këtë mund t’u nxjerrin probleme.

Drejtori i “NewCo Ferronikelit”, Ioannis Moutafis, ka vlerësuar se krijimi i Fondit Zhvillimor prej 1.5 miliard eurosh nga ana e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, është i mirëseardhur edhe për këtë ndërmarrje.

Ai ka thënë se çdo gjë që vjen nga ana e institucioneve të Kosovës dhe që ka qëllim zhvillimin e Kosovës, të bizneseve, është një gjë e mirë.

“Deri më tani kemi pasur shumë bashkëpunim të mirë me të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë komunën dhe institucionet qendrore. Fondi mund të sjellë të mira edhe në ndërmarrjen tonë, sepse kështu do ta rrisim bashkëpunimin me shkollat profesionale”, ka thënë ai.

Drejtori i “NewCo Ferronikelit”, Ioannis Moutafis, ka vlerësuar se kompania që mirëmban sigurinë në ndërmarrjen e “NewCo Ferronikelit”, “King Security”, ka kryer punë të shkëlqyeshme deri më tani. “Jemi shumë të kënaqur me ndërmarrjen që e mirëmban sigurinë këtu. Deri më tani nuk kemi pasur asnjë problem. Kompania ka treguar profesionalizëm dhe besoj se edhe në të ardhmen do të kemi bashkëpunim me të”, ka thënë ai.

Moutafis ka deklaruar se njohja e pavarësisë nga ana e Greqisë do të sjellë më shumë të mira për ndërmarrjen, pasi do të kishin më shumë mundësi t’i shfrytëzonin të mirat që sjell thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

“Deri më tani kemi shfrytëzuar portin e Selanikut. Ky port për neve është me kushte të mira. Deri më tani s’kemi pasur ndonjë problem, por nëse Greqia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, atëherë do të kishte më shumë rritje dhe avancim të bashkëpunimit, jo vetëm në ndërmarrjen tonë, por edhe për bizneset e tjera”, ka thënë ai.

Sipas tij, për t’u rritur bashkëpunimi ndërmjet dy komuniteteve të biznesit duhet të hapen zyrat e bashkëpunimit ekonomik. Pra, duhet hapur Zyra e Kosovës në Greqi, po ashtu edhe e Greqisë në Kosovë.

“Biznesi është ai që i afron popujt. Presim që në të ardhmen jo të largët Kosova dhe Greqia të kenë më shumë bashkëpunim dhe shkëmbime tregtare. Kjo do të ishte pozitive për të dyja vendet dhe popujt”, ka thënë ai.

Drejtori i “NeCo Ferronikelit”, Ioannis Moutafis, ka bërë me dije se kjo ndërmarrje po e përkrah edhe klubin sportiv nga Drenasi “Ferronikeli”, i cili po garon në Superligën e Kosovës në Futboll.(Epoka e re)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)