18 Prill 2024

Korrupsioni shqetësim kryesor për investimet e huaja në Kosovë

Prishtinë, 17 prill - Perceptimi i investitorëve të huaj aktual dhe potencial ka dëshmuar më së miri për punën e bërë në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në Kosovë.

Anketa e realizuar me investitorët aktualë dhe potencialë ka treguar se investitorët e huaja që tashmë janë në Kosovë dhe ata potencial për të investuar në vendin tonë, kanë një qasje shumë më të mirë ndaj ambientit biznesor në Kosovë.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC) të financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike, të enjten kanë bërë prezantimin e raportit të Analizave, rreth “Perceptimit të Investitorëve në lidhje me Ambientin e Biznesit në Kosovë”.
Ky raport paraqet një përmbledhje të gjetjeve të marra përmes një ankete me Investitorët aktualë dhe potencialë.

Ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj,  ka shprehur kënaqësinë e veçantë për prezantimin e këtij raporti për perceptimet e investitorëve në Kosovë, duke shtuar se ky është një raport në të cilin MTI-ja në bashkëpunimin me IFC-në dhe zyrën Zvicerane për Çështjet Ekonomike kanë punuar një kohë, dhe është në kuadër të përpjekjeve që MTI-ja po bën që të krijojë një ambient më të favorshëm  për tërheqjen e investitorëve.

“Ju e dini që falë disa prej iniciativave të ndërmarra nga MTI-ja por edhe ministritë e tjera në kuadër të Qeverisë së Kosovës, Kosova ka shënuar një përparim të dukshëm  në raportin e Bankës Botërore për të bërit biznes”, ka thënë ministri Nikaj. Në vitet e fundit sipas tij, është shënuar një lëvizje prej rreth 40 vendesh në rangimin e përgjithshëm, por edhe lëvizje më të mëdha në indikator të veçantë, siç janë ata që kanë të bëjnë me fillimin e biznesit për pagesën e taksave  dhe me një numër të madh të indikatorëve tjerë.

Ministri Nikaj theksoi se këto reforma kanë ndikuar që Kosova të tejkalojë shumicën e vendeve të rajonit në rangimet në raportin e Bankës Botërore për biznes, dhe gjithashtu të ketë një rritje të investimeve të huaja gjatë vitit të kaluar.

Ai më tej tha se anketa që është prezantuar sot ka për qëllim të evidentojë se sa këto reforma ose masa kanë ndikuar në të vërtetë në tërheqjen e investitorëve, dhe cilat janë ato percepcione të investitorëve që momentalisht gjenden në Kosovë, por edhe të atyre të cilët mendojnë që të vijnë në Kosovë.

“Anketa është realizuar në vitin 2013 biznese që janë në Kosovë ose që mendojnë të veprojnë në Kosovë. Siç e shihni, disa nga arsyet kryesore për tërheqjen e investitorëve të rinj kanë të bëjnë me ato që ne tentojmë t’i promovojmë gjatë gjithë kohës e që janë në tregun në zhvillim”, ka thënë ministri Nikaj.

Ministri i MTI-së po ashtu tha se Qeveria do t’i marr parasysh mendimet që i kanë investitorët edhe për ambientin e të bërit biznes por edhe për arsyet sepse vijnë ose jo në Kosovë, dhe se do të vazhdohet adresimi i tyre në vitet në vijim.

“Institucioni që unë drejtoj por edhe institucionet tjera në kuadër të Qeverisë së Kosovës do të vazhdojnë të jenë të hapura, dhe të marrin iniciativa në adresimin e sfidave që dalin nga ky raport”, ka përfunduar ministri Bernard Nikaj.

Sagita Muco nga Koorporata Ndërkombëtare Financiare në Kosovë, tha se kjo Koorporatë është pjesë e grupit të Bankës Botërore, që merret më shumë me sektorin privat. “Ne që nga viti 2013 bashkëpunojmë me Qeverinë nëpërmjet projektit të përmirësimit të klimës së investimeve në bashkëpunim edhe më Qeverinë Zvicerane, dhe jemi duke e ndihmuar Qeverinë duke e mbështetur për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe të politikave për rritjen e tërheqjes së investimeve në Kosovë”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, Christoph Lang, zëvendësdrejtor i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, falënderoi të gjithë ata që kanë krijuar këtë raport kaq interesant. Lang ka vlerësuar raportin  duke theksuar se po bëhet një punë jashtëzakonisht e mirë sa i përket kornizës për bizneset.

Anketa e Perceptimit të Investitorëve në Kosovë është zhvilluar ndërmjet muajve gusht dhe nëntor 2013. Anketa është realizuar me 103 biznese, nga të cilat 72 kanë qenë investitorë aktualë dhe 31 ishin investitorë të mundshëm.

Mostra e kompanive ishte një total prej 24 vendeve nga të cilat më të përfaqësuarat në mostër janë Turqia dhe Zvicra me nga 12% secila, e ndjekur nga Gjermania me 11%, dhe kompanitë kroate të cilat përfaqësohen me 9% në mostër, kompanitë italiane dhe kompanitë me selinë e tyre në Kosovë (nga 8 % secila), Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara me 6% dhe 5% respektivisht. Kompanitë shqiptare gjithashtu përbëjnë 5% të popullatës së anketuar.

Nga të gjithë investitorët aktualë të intervistuar, 57% kanë investuar në Prishtinë, ndërsa 43 % kanë investuar jashtë kryeqytetit. Shumica e investitorëve aktualë kanë kryer investimet e tyre në vitin 2013 dhe 2011, pasuar nga ata që kanë bërë investime në vitin 2010 dhe 2007. Madhësia mesatare e investimeve të raportuara nga investitorët aktualë është rreth 2.8 milion euro, me disa investime të raportuara deri në 10 milion euro.

Ndërtimi është sektori më i përfaqësuar në mostër me 11% të bizneseve që e deklarojnë këtë sektor si aktivitetin e tyre kryesor të biznesit. Sektori financiar dhe ai i përpunimit të drurit janë renditur në pozitën e dytë me secilin që përfaqëson 9% të grupit të bizneseve të anketuara.

62% e të anketuarve përfaqësojmë kompani me shitje të përgjithshme prej më pak se 20 Mil euro/vit. Kategoria e dytë më e madhe e bizneseve (11 %) janë ato me shitjet vjetore në rangun e 20 Mil euro dhe 50 Mil Euro. Edhe 9% tjera të kompanive raportojnë shitjet e përgjithshme vjetore ndërmjet 50 Mil Euro dhe 100 Mil euro, ndërsa vetëm 7% e kompanive raportojnë shitjet vjetore prej më shumë se 100 Mil Euro.

Në qoftë se rezultatet e anketës aktuale krahasohen me rezultatet e anketës së vitit 2009, duket se ka një ndryshim në perceptimin e investitorëve. Ndërsa në vitin 2009, fuqia e re dhe dinamike punëtore, tregu në zhvillim, dhe kostoja e fuqisë punëtore ishin tri aspektet kryesore më pozitive të klimës së investimeve të Kosovës, rezultatet e kësaj ankete japin një perspektivë mjaft të ndryshme si nga investitorët aktualë ashtu edhe ata potencialë.

Arsyet kryesore për të investuar në Kosovë janë normat e ulëta tatimore, lehtësia e fillimit dhe mbylljes së biznesit dhe kostoja e fuqisë punëtore. Nga ana tjetër, kërkesa e lartë e tregut e cila në vitin 2009 është raportuar të jetë arsye e madhe për të investuar në Kosovë, në sondazhin e vitit 2013 raportohet rrallë si arsye edhe nga investitorët aktualë edhe ata potencialë.

Për më tepër, cilësia e fuqisë punëtore (64.1 % të pakënaqur) dhe fleksibiliteti i rregulloreve të punës (39 % të pakënaqur) duket të jenë përmirësuar shumë me vetëm 5% të investitorëve aktualë dhe asnjë prej investitorëve potencialë që e vlerësojnë cilësinë e punës si "shumë të keqe" dhe vetëm 3% e investitorëve aktualë raportojnë rregulloret e punës dhe fleksibilitetin të jenë “shumë keq”.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)