29 Mars 2024

Babadimri dhe Hashim Thaçi

Shkruar nga Faik Krasniqi

Në aspektin mitologjik Babadimri është një personazh pozitiv që nuk ka moshë dhe jeton jashtë kohës, i cili i është adaptuar dokeve, religjioneve, kulturave dhe popujve të ndryshëm dhe për të cilin në pjesën dërrmuese të botës së qytetëruar besohet që u sjell dhurata fëmijëve të mirë natën e 24 dhjetorit në vigjiljen e Kërshëndellave.

Mendohet se miti mbi Babadimrin modern filloi pikërisht më 23 dhjetor 1822 kur profesori i varfër amerikan Clement Clarke Moore, para Kërshëndellave e kishte shkruar dhe ua ishte recituar fëmijëve të vet poezinë: \'\'Vizita e Shën Nikollës\'\'(titulli origjinal i saj ishte \'\'The Night before Christmas\'\') e cila pastaj ishte botuar në gazetën \'\'Sentinel\'\' të qytetit Troy.

Ky personazh i imagjinuar me kalimin e kohës ka pësuar ndryshime por megjithatë që nga viti 1822 e deri më sot ai, duke hyrë përmes oxhakëve të shtëpive ua sjell fëmijëve dhuratat për festat e fundvitit.

Në versione të tjera, Nikola i shpërndante ëmbëlsira të gjitha familjeve dhe ata e lënë dritaren hapur sepse San Nikola vjen dhe ikën nëpërmjet dritares. Në kohët e sotme San Nikola njihet si Babai i Kërshëndellave dhe për një periudhë kohe në vendin tonë, është njohur si Babagjyshi i Vitit të Ri, ashtu njihet dhe sot.

Gjatë periudhave të ndryshme kohore, në prapavijë të këtij miti modern janë krijuar shumë tregime mbi dallimet fetare, racore dhe etnike në qytetërimin bashkëkohor.

Kryeministri Hashim Thaçi, e ka hapur thesin si Babadimri. E ka lëshuar dorën dhe nga po shkon po bënë premtime. Thaçi pas vizitave që po i bënë vendeve të ndryshme nëpër Kosovë, nuk po lenë pa bërë ndonjë premtim.

Në një ambient politik ku opozita është shumë pasive dhe po ndjek vetëm hapat e kryeministrit, kryeministri Thaçi shpesh po jep edhe premtime të parealizueshme.

Kryeministri Thaçi po merr vendime të rëndësishme dhe tashmë ka hyrë në fushatë të parakohshme paraelektorale, sepse duket në panik se do t\'i humb zgjedhjet. Sidoqoftë, ai pas shtatë vitesh në pushtet po dëshmon, përmes aseteve të shtetit, se me pak vullnet politik ka mundur t\'i realizojë këto premtime para dy-tre vitesh, e jo tash fare në fund të mandatit.

Nuk ka dyshim se vendime te tilla rrjedhin ekskluzivisht nga fushata elektorale dhe pasionet politike të atmosferës zgjedhore. Por, këto vendime dhe premtime është duke i bërë në mënyrë të paanalizuar dhe aty për aty i diktuar vetëm nga politika e përfitimit të çastit.

Ulja e semestrit, si reduktim i të hyrave vetanake pa një strategji për mbulimin e deficiteve financiare mund të jetë me pasoja fatale për bartësit publik të arsimit të lartë dhe një goditje serioze për jetën akademike në vend edhe ashtu në krize të madhe.

Me gjithë rekomandimet e FMN-së se rritja e pagave nuk guxon të shkojë më shumë se 13 përqind, ai mori një hap të \'\'guximshëm\'\' duke rritur pagat për 25 përqind. Këto premtime dhe vendime të tij janë një strategji paraelektorale për të përfituar sa më shumë vota, rrjedhimisht, për të udhëhequr me qeverinë edhe për një mandat të radhës.

Keqpërdorimi i pozitës për të bërë fushatë, sidomos në muajt e fundit, përbën një shkelje të moralit politik dhe dëmton demokracinë në Kosovë, meqë po e bën të parëndësishme një periudhë katërvjeçare qeverisëse në të cilën kryeministri do të duhej të ishte aktiv duke i shtyrë të gjitha vendimet në muajt e fundit të mandatit qeverisës.

Por strategjia e tij është totalisht e gabuar, sepse treni nuk mund të kapet kur është në ecje e sipër! Pas disfatës të rëndë që do të pësoj në këto zgjedhje të përgjithshme, kryeministri Thaçi do të ngelet një mit si Babadimri, i cili do të mbahet në mend vetëm si njeri i premtimeve të mëdha dhe drejtues i një qeverie skandaloze, nepotike dhe më e korruptuara në Evropë!


(Autori është publicist nga Prishtina dhe anëtar i \'\'Nismës për Kosovën\'\')

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)