26 Prill 2024

Kosova në top 40 vendet reformatore

Prishtinë, 10 dhjetor - Qeveria e Kosovës synon që deri në vitin 2014 të jetë në top 40 vendet për reforma në vitin 2014 në raportin vlerësues të Bankës Botërore për të Bërit Biznes.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kusari-Lila, kë thënë se Qeveria, sipas planit zhvillimor, deri në vitin 2014 synon që Kosova të jetë në top 40 vendet për reforma.

“E rëndësishme është që Kosova është në rrugë të mbarë. Mbi të gjitha, sinjali më i mirë është se kemi treguar se si Kosovë kemi bërë shumë reforma që nga pavarësia e Kosovës në vitin 2008”, ka thënë ajo për "Epokën e re".

Sipas saj, një prej sukseseve më të mëdha që ka pasur Kosova në sferën ekonomike ka qenë se është ngritur për 28 vende më lart sa i përket të të bërit biznes.

“Kjo është ngritja më e madhe në rajon dhe është një arritje më e madhe. Natyrisht se nuk është mjaft dhe kemi shumë sfida para vetes, por ne nuk do të ndalemi dhe synojmë që Kosovën ta çojmë përpara”, ka pohuar ministrja Kusari-Lila.

Sipas saj, Kosova ka pasur shumë arritje. “Këto arritje që janë bërë në Kosovë janë vlerësuar nga një institucion kredibil që është Banka Botërore dhe këto arritje janë bërë falë angazhimit të institucioneve të Kosovës”, është shprehur ajo.

Qorraj: Reformat përmirësojnë ambientin biznesor

Kurse profesori i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Gazmend Qorraj, ka vlerësuar se reformat e ndërmarra në të bërit biznes janë të mirëseardhura për dy arsye.

“Së pari mundësojnë një qasje me fleksibilie të bizneseve ndaj procedurave të ndryshme, që do të thotë se e përmirësojnë ambientin biznesor, kurse së dyti reformimi është me rëndësi për shkak të rangimit që i bën Kosovës në këtë dokument ose raport, sepse duhet pasur parasysh se në këtë raport kanë qasje shumë investitorë nga mbarë bota”, ka theksuar Qorraj për gazetën "Epoka e re".

Ai ka vlerësuar se si çështje e tretë për të cilën duhet pasur kujdes janë efektet negative që mund të krijojë një reformim të shpejtë ose siç njihet “shock approach”.

“Kjo qasje zakonisht aplikohet edhe për shkaqe politike që të tregohet se po ndodh një reformim apo përmirësim i shpejtë, por që në vete përmban rrezik sepse në vendet e tranzicionit nuk është optimale të eliminohen rregullat dhe procedurat në mënyrë të shpejtë sepse do të krijohej një anarki e veprimeve dhe hapësirë për manipulime te ndryshme”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, në vendet e tranzicionit duhet të ekzistojnë procedurat dhe rregullat, por duhet të ekzistojë edhe administrata efikase ose zyrtarët të cilët këto punë do t’i kryenin në kohë dhe mënyrë efikase.


Sipas planit, vizioni, synimet dhe prioritetet planifikohet të realizohen nëpërmjet angazhimeve konkrete të përfshira në Planin për Zhvillim Ekonomik të Kosovës 2011-2014, ku rritja e investimeve dhe mbështetja e ekonomisë së vendit në zhvillimin e sektorit privat paraqet bazën e rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Ndryshimi dhe plotësimi i legjislacionit bazë që krijon kushte për stimulimin e investimeve në Kosovë dhe heqjen e barrierave administrative i mundëson sektorit privat të veprojë më lehtë dhe të kontribuojë në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Nëpërmjet ndryshimit të infrastrukturës ligjore dhe veprimeve institucionale synohet të përmirësohet në masë të madhe rangimi i Kosovës në raportin e Bankës Botërore për të bërit biznes.

Zbatimi i aktiviteteve të përfshira në këtë plan synon që në periudhën afatmesme të përmirësohen treguesit e bërjes biznes, duke arritur në top 40 reformatorin në vitin 2014 sipas raportit vlerësues të Bankës Botërore për të Bërit Biznes.

Kjo nënkupton reforma gjithëpërfshirëse për t’i eliminuar 50 për qind të kërkesave për licenca dhe leje të panevojshme.

Aspekt tjetër në kuadër të këtij sektori përbën intensifikimi i punës në promovimin e investimeve të huaja në vend dhe integrimin/anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare financiare.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)