26 Shtator 2017

Përgaditen për Autostradën e Shkupit

Prishtinë, 22 qershor - Komiteti Drejtues Ndërministror mori vendim për aprovimin e shpalljes së interesit për ndërtimin e autostradës R6, segmentit Prishtinë – Hani i Elezit.

Mbledhja e parë e Komitetit Drejtues Ndërministror, i themeluar me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për zhvillimin e projektit “Rruga 6”, autostradës Prishtinë – Hani i Elezit, është mbajtur të premten që e kryesoi ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota dhe në të cilin morën pjesë edhe anëtarët e Komitetit, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ministri i Financave, Bedri Hamza, ai i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj dhe ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi.

Po ashtu në këtë mbledhje komiteti Drejtues Ndërministror mori vendim për aprovimin e shpalljes së tenderit për Këshilltarin për Shërbime të Transaksioneve për projektin e autostradës R6 dhe për autorizimin e Ministrisë së Infrastrukturës që t’i zhvillojë procedurat e nevojshme lidhur me projektin e autostradës R6 Prishtinë – Hani i Elezit.

Ndryshe projektin e autostradës Prishtinë-Shkup, e ka bërë kompania franceze “Egis BCEOM Internationale” Gilles Pequeux. Gjatësia e këtij projekti është 55 kilometra, me dy seksione, seksioni verior duke filluar nga veriu i Lypjanit e deri në Kaçanik me një distancë prej 42 kilometrash, ndërsa seksioni jugor, duke filluar nga Kaçaniku deri në kufi me Maqedoninë me një distancë prej 13 kilometrash.

Ndarja e këtij projekti është në dy seksione që lejon kryerjen e ndërtimit në disa faza, në qoftë se është e kërkuar. Në pjesën veriore projektimi i trasesë kryesore është në përputhje me standardet e TEM për karakteristikat gjeometrike, për një shpejtësi prej 120 kilometra në orë.

Rruga për këtë pjesë është projektuar me dy korsi me nga 3.75 m secila, brezi i gjelbër 4metra, shiriti ndihmës 3 metra dhe gjerësia e përgjithshme 28 metra, në pjesën jugore kufizimet topografike së bashku me kufizimet e mjedisit dhe nevojën për të siguruar një projektim me një kosto efektive, ka quar në vendimin për të ulur shpejtësinë projektuese në 100 kilometra në orë. Në seksionin verior do të ketë 33 mbikalime dhe nënkalime, 1 kalim hekurudhor, 4 ura mbi lum dhe 34 struktura hidrologjike, ndërsa në atë jugor do të ketë 2 viadukte të mëdha, 7 viadukte të tjera, 8 mbikalime dhe nënkalime, 1 nënkalim këmbësorësh dhe 13 struktura hidrologjike.
Sa u përket tuneleve, projektuesi në pjesën jugore ka parashikuar ndërtimin e tri tuneleve, e që secili përmban dy tuba një drejtimesh me dy korsi trafiku në çdo tub, me korridoret ndihmëse midis tubave të afërm çdo 300 metra.

Ndërsa, sa i përket gjatësisë së tuneleve, ai i Kaçanikut do të jetë 2.2 kilometra, i Laçit 0.9 kilometra dhe i Kashanit 0.2 kilometra. Projekti është paraparë, që të përfshihen të gjitha pajisjet e sigurisë sipas standardeve n ndërkombëtare, si rrethojat mbrojtëse, sinjalizime dhe mesazhe të trafikut të llojeve të ndryshme, shenja rrugore etj.  Kryqëzimet përgjatë projektit do të ndahen sipas klasave, nuk do të lejohet tjetër qasje në autostradë, e këto janë paraparë në: Lipjan, babush i Muhaxherëve, Ferizaj, Doganaj dhe Hani i Elezit në Kufi me Maqedoninë. Projektuesi ka paraparë që ndërtimi i seksionit verior të përfundojë midis 30 muajsh ndërsa ai jugor 36 muaj duke përfshirë edhe tunelet.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Shtator 2017

- Shoqata e pemëve “Pema” nga Kovraga me përkrahjen e programit AGRO të USAID-it organizon tryezën e rrumbullakët me temë “Prodhimtaria e mollës në Kosovë - gjendja aktuale, perspektiva dhe sfidat”. (Fshati Kovragë i Istogut, vendi ku është organizuar zakonisht “Dita e Mollës”, ora 10:30)

- Ministria e Drejtësisë organizon konferencë për media, në të cilën do të marrin pjesë, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi. (Ndërtesa e Ministrisë e Drejtësisë, ora 11:30)

- Ambasadori I ShBA-ve Greg Delawie do të flas në ceremonin e lansimit të Trekandit, kompania e parë e financuar dhe mbështetur  nga Gjirafa Lab. (Sheshi 21, ora 17:15)

- Muzeu i Kosovës, në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane me moton Ditët e Hapura hap ekspozitën me fotografi nga autori nga Turqia, Erhan Bayladi. (Muzeu i Kosovës, ora 19:00)

- Shfaqjet performanca teatrale “Copë Copë”. (Teatri i Qytetit “Adriana Abdullahu” në komunën e Ferizajit, ora 20:00)

 

Ngjarjet e fushatës zgjedhore


- Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, takohet me përfaqësueset e shoqatave te grave, i pranishëm do të jetë kryetari i LDK-së, Akademik Isa Mustafa. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli, mban konferencën për medie për të diskutuar problemet dhe brengat e qytetarëve të Prishtinës. (Sheshi Skënderbeu, pranë ndërtesës së Qeverisë, ora 11:00)

- Kandidatit për kryetar të Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës, Lirak Çelajt promovon Platformën zgjedhore. (Hotel "Sirius, ora 13:00)

- Dega e NISMA për Kosovën në Klinë do të bëj hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale. (Shtëpia e kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë, ora 13:00)

- Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, mban sot konferencë për media lidhur me projektet që do të realizohen gjatë mandatit të dytë. (Zyra e Lëvizjes Vetëvendosje! në lagjen Arbëria, ora 14:00)
 
- Dega e NISMA për Kosovën në Istog do të bëj hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale. (Restaurant Freskia në Istog, ora 15:00)

- Kandidatit për kryetar të Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës, Lirak Çelaj bashkëbisedon dhe takohet me qytetarët "dorë më dorë". (Xhamia e Llapit, ora 15:00)

- Partia Demokratike e Kosovës dhe kandidati për kryetar të Podujevës, Hajredin Hyseni, do të takohen me qytetarë në qendër të Podujevës. (Podujevë, ora 15:00)

- Partia Demokratike e Kosovës dhe kandidati për kryetar për Podujevës, Hajredin Hyseni, do ta vizitojnë Fabrikën e Tekstilit “SSprint” në fshatin Letanc. (Letanc, ora 16:30)

- Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë tubimin zgjedhor në qytetin e Vitisë, marrin pjesë kryetari Visar Ymeri, deputeti Albin Kurti, deputetja Shqipe Pantina dhe kandidati për kryetar të Vitisë, Salih Salihu. (Restaurant Lindi në Viti, ora 17:00)

- Dega e NISMA për Kosovën në Pejë do të bëj hapjen e fushatës zgjedhore. (Restaurant Universi në Pejë, ora 17:30)

- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mban tubim zgjedhor në Pejë, merr pjesë edhe Kryeministri dhe Kryetar i AAK-së Ramush Haradinaj. (Hotel Dukagjini, ora 18:00)

- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mban takim me fermerë të Pejës, merr pjesë Kryeministri dhe Kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj. (Restoran Koha 3, ora 19:00)

- Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës të Prizrenit Dr. Hatim Baxhaku shpalos programin qeverisës dhe prezanton kandidatët për Asamble Komunale. (Kompleksi Lidhja e Prizrenit, ora 19:30)

- Partia Demokratike e Kosovës mban tubimin elektoral në Mitrovicë. (Hotel Palace, ora 19:00)