23 Prill 2024

Policia e Mitrovicës, ende pa objekt të vetin

Mitrovicë, 20 dhjetor - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka zhvilluar të hënën një takim me komandantin e stacionit jugor të policisë, Avni Zabeli, me të cilin ka biseduar për mundësinë e gjetjes së një objekti të përshtatshëm për vendosjen e stafit të këtij stacioni, por edhe të policisë rajonale.

Paraprakisht drejtuesit e këtij stacioni të policisë në Mitrovicë ju kanë drejtuar kryetarit me një kërkesë me shkrim për të shqyrtuar mundësinë që stafi i tyre të vendoset në objektin e ish-“Jugobankës”, e cila ende shfrytëzohet prej UNMIK-ut.

Kryetari Kastrati, fillimisht e ka njohur komandantin Zabeli për përpjekjet e komunës në lidhje me gjetjen e një vendi sa më të përshtatshëm për vendosjen e policisë.

Ai përmendi edhe objektin që shfrytëzohet prej UNMIK-ut, për çka tha se pritet që të lirohet deri në fund të  vitit. “Nëse realizohet ky premtim që është dhënë prej zyrtarëve të UNMIK-ut, atëherë ai objekt do t’i jepet policisë për shfrytëzim, edhe për stafin e stacionit jugor, por edhe për policinë rajonale”.

Në lidhje me objektin që shfrytëzohet prej UNMIK-ut, kryetari tha se ata kanë një staf shumë të vogël dhe është absurde që ta mbajnë të uzurpuar një godinë të tillë të madhe.

Ai foli edhe për vendimin e Kuvendit të Komunës për largimin e rrethojave përreth objekteve dhe institucioneve të ndryshme në Mitrovicë, duke përfshirë edhe UNMIK-un, OSBE-në, UNHCR-në etj.

Tha se fillimisht janë larguar rrethojat përreth komunës, në mënyrë që të reflektohet pozitivisht edhe për institucionet tjera.             

Ndërsa komandanti i stacionit jugor të policisë në Mitrovicë, Avni Zabeli, ka falënderuar kryetarin për mirëkuptimin dhe gatishmërinë për të ndihmuar. Ai theksoi se objekti që ende është duke u shfrytëzuar nga UNMIK-u është shumë i përshtatshëm për punën e tyre.

Në anën tjetër, tha se objekti ku janë të vendosur tani në lagjen “Iliridë”, është shumë në periferi të qytetit dhe nuk mundëson realizim të mirëfilltë të planeve operacionale.

Zabeli tha se kanë shumë pika statike kohëve të fundit dhe po kanë probleme si pasojë e mungesës së një objekti në vend të mirë dhe të përshtatshëm për punë.

“Policia në Mitrovicë, ka probleme prej përfundimit të luftës meqë në jug nuk ka asnjë objekt të vetin. Stafi i stacionit të policisë së jugut deri vonë ka qenë i vendosur në një objekt që ka qenë kinema dikur, ndërsa para një viti ishte dëmtuar një tërmeti dhe ishim detyruar të largoheshim edhe prej aty”, tha ai.

Zabeli potencoi se ata kanë nevojë për një objekt që siguron qasje më të mirë për zyrtarët policorë, derisa të ndërtohet objekti i tyre në pronën që është ndarë nga komuna.         

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)