25 Prill 2024

Erdogan: Rusia mashtron; të provojë se marrim naftë nga DAESH-i

Ankara,  27 nëntor -  Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, bëri deklarata të rëndësishme për kanalet televizive \"CNN International\" dhe \"France 24\" në lidhje me rrëzimin e avionit luftarak rus dhe pretendimet e Moskës.

Recep Tayyip Erdogan deklaroi në lidhje me rrëzimin e avionit luftarak rus, që dhunoi hapësirën ajrore turke, se pala që duhet të kërkojë falje nuk është ajo turke, por ajo që është në kundërvajtje ligjore.

Kreu i shtetit turk iu përgjigj pyetjeve të gazetares Becky Anderson në kanalin televiziv amerikan, “CNN International”.

Duke theksuar se avioni i rrëzuar është paralajmëruar 10 herë brenda 5 minutave dhe regjistrimet zanore provojnë se megjithatë piloti nuk është përgjigjur, Presidenti Erdogan vijoi me fjalët: “Në konstatimet e radarëve duket qartë se avioni luftarak rus ka hyrë në hapësirën ajrore turke dhe kjo pavarësisht paralajmërimeve. Këto ia kemi treguar të gjithë botës.”

Pasi shprehu keqardhjen e tij në lidhje me ngjarjen, sepse marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Turqisë janë strategjike; lideri turk nënvizoi se gjatë periudhës që shumë shtete zbatonin sanksione ndaj Rusisë, Turqia i ka dërguar këtij vendi çdolloj nevoje ushqimore.

Erdogani vuri në pah gjithashtu se Rusia nuk është në luftë me DAESH-in në Siri, përkundrazi, ajo po godet opozitarët e moderuar.
Ai u ndal edhe mbi një deklaratë të shëmtuar të Rusisë, e cila pretendoi se Turqia ble naftë nga DAESH-i.

“Kjo është një harbutëri e madhe dhe mungesë respekti ndaj nesh. Askush nuk mund të na akuzojë se marrim naftë nga DAESH-i. Ata që e bëjnë janë kontrabandistë. Ne i kapim ata, i arrestojmë dhe u konfiskojmë mallrat, që qarkullojnë kontrabandë. Kjo është e vërteta. Të kundërtën duhet ta provoni. Nëse jo, atëherë jeni mashtrues”, tha kreu i shtetit turk.

Presidenti Erdogan kritikoi edhe homologun e tij rus, Vladimir Putin, se nuk iu përgjigj telefonatave pasi ushtria turke rrëzoi avionin luftarak rus, që kishte shkelur hapësirën ajrore turke në kufij me Sirinë.

“I telefonova Putinit pas ngjarjes, por deri tani Putini nuk është përgjigjur”, deklaroi Erdogani në një intervistë tjetër, këtë herë për kanalin televiziv francez, “France 24”.

Ngjarja në fjalë, vijoi lideri turk, nuk mund të konsiderohet si shkak për luftë, pasi ajo është rezultat i funksionimit automatik të rregullave të angazhimit të të gjitha kombeve në bashkësinë ndërkombëtare.

Erdogani sqaroi më tej se Rusia dhe Irani veprojnë përkrah regjimit në Siri dhe e mbështesin Esadit me çdo mënyrë, por nuk luftojnë kurrsesi kundër DAESH-it.
“Në Siri, lufta kundër DAESH-it dhe largimi i Esadit duhet të kenë një ecuri paralele”, u shpreh presidenti turk, duke theksuar se operacioni i përbashkët ushtarak me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të pastruar kufirin sirian nga DAESH-i, vazhdon dhe po ndërmerret me vendosmëri.

Po ashtu, sa i përket ndihmës së Bashkimit Evropian për emigrantët, Erdogani tërhoqi vëmendjen edhe mbi ndarjen e barrës.

“Zona e sigurt dhe e pastruar nga terrori në territorin sirian nuk duhet të shikohet me dyshim. Nëse ju të shihni me mëdyshje zonën e sigurisë, atëherë çfarë do të bëj unë si Turqi? Deri në ç’pikë do t’i pranoj emigrantët?” u shpreh Presidenti Erdogan, duke ngritur sërish në rend të ditës këto dy pyetje të rëndësishme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)