29 Mars 2024

Presidentja Jahjaga mori pjesë në Samitin Bërdo-Brioni në Zagreb

Bërdo, 25 nëntor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë në Samitin Bërdo  -Brioni, që i zhvilloi punimet sot në Zagreb të Kroacisë.

Në samitin, që është nismë e përbashkët e Presidentes së Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq dhe Presidentit të Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, për të ndihmuar vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimeve evropiane, morën pjesë edhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ai i Shqipërisë, Bujar Nishani, i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i Serbisë, Tomislav Nikoliq, si dhe treshja nga Presidenca e Bosnje e Hercegovinës, Dragan Coviq, Bakir Izetbegoviq dhe Mladen Ivaniq.

Mysafir i Samitit është zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ndërsa në punimet e samitit morën pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, si dhe Presidenti i Austrisë,  Heinz Fischer.

Pas pritjes zyrtare të presidentëve nga bashkorganizatorët, Kolinda Grabar-Kitaroviq dhe  Borut Pahor, Samiti i zhvilloi punimet në sesionin plenar.

Në fjalën e saj në këtë sesion, Presidentja Jahjaga, ndër të tjera theksoi se nuk ka dyshim që përparimi në rajon është i jashtëzakonshëm.

\"Shumica e problemeve tona sot janë probleme dhe sfida të shteteve në zhvillim e sipër. Përparimi është i dukshëm në angazhimin tonë aktiv me njëri-tjetrin, bashkëpunimin dhe zhvillimin e relacioneve të mira fqinjësore.\"

\"Ka ende çështje që duhen adresuar, por në tërësi realiteti i dekadave të fundit është pranuar dhe përkrahur\", theksoi Jahjaga.

Republika e Kosovës, si shteti më i ri në Evropë sipas saj është e përkushtuar ndaj reformave dhe është e vendosur në përcaktimin tonë për t\'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, mundësi unike për ta vendosur rajonin në rrugën e pakthyeshme të paqes dhe të prosperitetit.

\"Kemi shënuar përparim dhe ky përparim na ka sjellë deri te mesi i rrugës. Por, ne na nevojitet edhe një shtytje për t\'u siguruar që përparimi ynë individual dhe kolektiv është i pakthyeshëm. Për këtë na duhen pranë nesh SHBA dhe Bashkimi Evropian.\"

\"Përparimi në rajon është ende i brishtë. Jemi në udhëkryq e disa nga ne edhe në vijë të frontit të disa fuqive të tjera që rrezikojnë ta zmbrapsin atë që e kemi ndërtuar bashkërisht për këto dy dekada, stabilitetin dhe paqen.\"

\"Andaj është e rëndësishme të avancojmë momentin e integrimit evropian dhe në NATO. Kemi shumë punë për të bërë dhe Kosova nuk do të kërkojë rrugë të shkurtër, por duhet ta mbajmë në mend që ky është shans unik për të normalizuar rajonin një herë e përgjithmonë\", theksoi me tutje Jahjaga.

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)