28 Mars 2024

Shtohen angazhimet ushtarake ruse në Siri

Damask, 9 tetor - Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Shtetit Islamik ndryshoi trajektoren e avionëve për të shmangur avionët luftarakë rusë. Një zëdhënës i Pentagonit e konfirmoi dje këtë fakt, ndërkohë që Rusia informoi për zgjerimin e aktivitetit të saj ushtarak në Siri.

Në një video të qarkulluar nga Moska tregohen anijet luftarake ruse duke lëshuar raketa në detin Kaspik kundër objektivave të Shtetit Islamik në Siri.

“E kam parë videon e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë. Nuk mundem të konfirmoj vërtetësinë e saj”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të shqetësuara për pasojat e aktivitetit ushtarak rus në Siri.

“Mbi 90 përqind e sulmeve të tyre deri më sot, nuk kanë qenë kundër ISIS-it apo terroristëve të al-Kaidas.”

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij italian, Sekretari i Mbrojtjes Ash Carter tha se Rusia ka një strategji të gabuar.

“Pavarësisht se çfarë thonë rusët, nuk kemi rënë dakord të bashkëpunojmë me Rusinë për sa kohë që ajo vazhdon të ndjekë këtë strategji të gabuar në goditjen e objektivave.”

Përfshirja e rritur e Rusisë kundërshtohet edhe nga shumë sirianë, një pjesë e të cilëve protestuan në qytetin Aleppo.

Por, misioni i përgjithshëm i Rusisë në Siri mund të jetë i kufizuar.

“Rusët nuk janë në gjendje të vazhdojnë një përpjekje ushtarake të përmasave të mëdha. Ekonomia vazhdon të bjerë dhe vendi nuk prodhon gjë tjetër përveçse hidrokarbure, që janë e vetmja kategori produktesh ruse që blihen në botë”, thotë Henri Barkey i Qendrës Wilson.

Ai mendon se sulmet ajrore ruse nuk synojnë rimarrjen e të gjithë territorit sirian të kontrolluar nga militantët, por kanë për qëllim konsolidimin e Presidentit Bashar al-Assad dhe mbajtjen e tij në pushtet.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)