16 Prill 2024

Në Bruksel u mbajt takimi i dytë për çështjen e migrimit

Prishtinë, 16 prill - Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja për Dialogun Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore në dialogun teknik të Brukselit, ka marrë pjesë në takimin e dytë për çështjen e migrimeve ilegale në Bruksel, të organizuar nga Komisioni Evropian.

Takimi është mbajtur me qëllim të vlerësimit të situatës në çështjet e migrimit ilegal në Kosovë, si dhe të masave që lidhen me parandalimin e kësaj dukurie.
 
Në takimin bilateral mes delegacionit të Kosovës dhe përfaqësueseve të Komisionit Evropian, Jean Eric Paquet, Drejtor për Ballkan Perëndimor në Drejtoratin e Përgjithshëm për Politikën Evropiane për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian dhe  Z. Laurent Muschel, Drejtor për Migrim dhe Azil, në Drejtoratin e Përgjithshëm për Migrim dhe Punë të Brendshme, të Komisionit Evropian, janë vlerësuar pozitivisht angazhimet e Qeverisë së Kosovës në ndaljen e dukurisë së migrimeve ilegale të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së, angazhime këto që janë bërë në bashkëpunim me Komisionin Evropian, vendet që janë përballë me këto migrime dhe vendet nëpër të cilat kanë ndodhur lëvizja e qytetarëve drejt destinacioneve që kanë synuar. Përfaqësuesit e Komisionit Evropian theksuan se Kosova tregoi një angazhim efikas në ndaljen e dukurisë së migrimeve si dhe përmes një bashkëpunimi ndërkombëtar dhe bilateral është e angazhuar për rikthimin e të mërguarve si dhe reintegrimin e tyre.

Ministrja Edita Tahiri shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të vazhduar veprimtarinë në të gjitha aspektet e nevojshme për të parandaluar këtë dukuri si dhe ftoi vendet që kanë pranuar azilkërkuesit të vazhdojnë të bëjnë me dije publikisht se azilkërkuesve nuk do tu jepet e drejta për azil, si dhe theksoi rëndësinë e shpejtimit të procedurave për kthimin e tyre.

Ajo po ashtu kërkoi nga BE-ja angazhime që Kosova të anëtarësohet sa më shpejtë në të gjitha organizatat rajonale që kanë të bëjnë me dukuritë e migrimeve, përfshirë organizatën MARRI.

Ministrja Tahiri po ashtu kërkoi që të shpejtohet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës për t’ju mundësuar atyre të përjetojnë lëvizjen e lirë, ndërkohë që Qeveria e Kosovës do të jetë në nivelin e duhur të përgjegjësive për të implementuar rregullat e BE-së në liberalizimin e vizave. Në vazhdim, delegacioni i Kosovës paraqiti një raport të detajuar për progresin e arritur në ndalimin efikas të dukurisë së migrimeve ilegale, duke potencuar të gjitha masat që janë marrë, që nga vetëdijesimi i qytetareve për të mos parë migrimet si zgjidhje deri te shifrat dhe faktet e procesit të kthimit të tyre, proces për të cilën Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar seriozisht.

Më pas u mbajt një takim trepalësh ku mori pjesë edhe një delegacion nga Serbia, me ç’ rast të gjitha palët u zotuan se do të bashkëpunojnë në çështjet e parandalimit të migrimeve ilegale duke vënë theksin te nevoja e këmbimit të informacioneve të ndërsjella në këtë çështje, si dhe bashkëpunimi mes policive të dyja shteteve të jetë edhe më intensiv në përballimin e kësaj sfide.

Edhe në këtë takim, përfaqësuesit e Komisionit Evropian vlerësuan lartë  angazhimin dhe progresin e  institucioneve të Republikës së Kosovës për parandalimin e kësaj dukurie si dhe veçanërisht për efikasitetin në menaxhimin e riatdhesimit të qytetarëve të  Kosovës.

Ministrja Tahiri edhe me këtë rast rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve të shtetit lidhur me këtë proces, duke shprehur gatishmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit në parandalimin dhe luftimin e migrimit ilegal.

Delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga Ministrja Edita Tahiri kishte këtë përbërje: Arjeta Rexhaj Këshilltare politike, Elona Cecelia Këshilltare politike, Driton Gashi Sekretare i Përgjithshëm i MPB-së  (kryesues i grupit punues), Shaban Guda Drejtor i Departamentit të Policisë Kufitare, Shqipe Mjekiqi Këshilltare e Lartë e Ministrit të MPB-së, Valon Krasniqi Drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në MPB, Labinot Gashi nga Ambasada e Kosovës në Bruksel.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)