24 Prill 2024

Vendet e industrializuara kanë pranuar 866,000 kërkesa për azil

Gjenevë, 26 mars - Luftërat në Siri dhe Irak, konfliktet e armatosura, shkeljet e të drejtave të njeriut, përkeqësimi i sigurisë dhe kushtet humanitare në vende të tjera, e ngriti numrin e kërkesave për azil në vendet e industrializuara gjatë vitit të kaluar në numrin më të lartë në 22 vitet e fundit, sipas raportit të publikuar sot nga UNHCR.

Raporti i UNHCR-së për trendin e azilit për 2014, numrin e përafërt të kërkesave të reja për azil të paraqitura në vendet e industrializuara gjatë vitit 2014 e vë në në 866,000, që paraqet rritje 45 për qind nga 2013, kur u regjistruan 596.600 kërkesa.

Numri i azilkërkueve në 2014 është më i larti që nga viti 1992, në fillim të konfliktit në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët António Guterres i vë numrat e rinj në kontekst historik.

\"Në vitet 1990, luftërat e Ballkanit krijuan qindra mijëra refugjatë dhe azilkërkues\", tha Guterres. \"Shumë prej tyre gjetën strehë në vendet e industrializuara në Evropë, Amerikën e Veriut dhe gjetkë.\"

\"Sot, shtimi i konflikteve të armatosura në botë na ofron me sfida të ngjashme, në veçanti situata dramatike në Siri. Përgjigja jonë tani duhet të jetë po aq bujare sikur ajo që ishte atëherë - duke siguruar qasje në azil, mundësitë e risistemimit dhe forma të tjera të mbrojtjes për njerëzit që ikin nga këto konflikte të tmerrshme\".

Sirianët i përkisnin grupit më të madh në mesin e atyre që kërkuan azil në 2014, me gati se 150,000 aplikime, një në çdo pesë kërkesa për azil në botën e industrializuar. Irakianët bënë 68.700 aplikime, pothuajse dyfishi i numrit në 2013. Afganët ishin grupi i tretë më i madh, me pothuajse 60.000 aplikime, të ndjekur nga qytetarët e Serbisë (dhe Kosovës) dhe eritreasit.

Vendi i industrializuar me numrin më të madh të azilkërkuesve në 2014 ishte Gjermania, me mbi 173,000 kërkesa. Sirianët përbëjnë një të katërtën e të gjitha kërkesave për azil në Gjermani.

Shtetet e Bashkuara kanë pranuar rreth 121.200 kërkesa për azil, kryesisht nga Meksika dhe vende në Amerikën Qendrore.

Turqia, e cila deri në fund të 2014 priti mbi 1.5 milion refugjatë sirianë, ka pranuar 87.800 kërkesa të reja për azil në 2014, kryesisht nga irakianët.

Suedia renditet e katërta midis 44 vendeve të industrializuara, me 75.100 kërkesa, kryesisht nga sirianët dhe eritreasit. Italia ka regjistruar 63.700 kërkesa të reja në 2014, numri më i lartë i shënuar. Azilkërkuesit në Itali erdhën kryesisht nga Mali, Nigeria dhe Gambia.

Derisa ka pasur një rritje të përgjithshme në aplikimet për azil, numri i kërkesave të reja nuk ka qenë i përhapur në mënyrë të barabartë në mesin e 44 vendeve të përfshira në raport. Të pesë vendet pritëse (Gjermania, Shtetet e Bashkuara, Turqia, Suedia dhe Italia), për shembull, përbënin 60 për qind të të gjithë kërkesave të reja për azil.

Përderisa shumica e vendeve të industrializuara kanë pasur rritje në numrin e kërkuesve për azil gjatë vitit të fundit, disa vende kanë regjistruar rënie, në veçanti Australia, ku ky numër shkon më poshtë për 24 për qind nga 11.700 në 2013 në më pak se 9.000 në 2014.

Raporti i UNHCR-së për trendin e Azilit për 2014 është bazuar në të dhënat e marra nga 44 qeveritë në Evropë, Amerikën e Veriut dhe vendet e Azisë-Paqësorit.

Numri i njerëzve që aplikojnë për statusin e refugjatit në vendet e industrializuara është vetëm një element në pamjen globale të zhvendosjes me forcë nga konflikti dhe persekutimi.

Në të gjithë botën, deri në fund të 2013, 51,2 milion persona u zhvendosën me forcë si pasojë e përndjekjes, konflikteve, dhunës së përgjithësuar apo shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Nga këta, rreth 16,7 milion njerëz ishin refugjatë dhe 33,3 milion ishin zhvendosur brenda vendit të tyre. Afër 1,2 milion ishin azilkërkues.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)