28 Mars 2024

Zëvendëskryeministrja Tahiri në vizitë tek Arbëreshët në Kalabri

Kalabri, 15 shtator - Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri zhvilloi një vizitë tek Arbëreshët e Italisë ku në Kalabri në qytetin Frasnitë mori pjesë në aktivitetet kulturore të arbëreshëve, me ftesë të Eparkisë Arbëreshe të Kalabrisë dhe të Bibliotekës Pan shqiptare “Antonio Belushi”.

Zëvendëskryeministrja Tahiri mori pjesë në Konferencën përgatitore për shënimin 100 vjetorit të Eparkisë së Kuvendit të Ungrës me ç’ rast u shënua edhe tetëdhjetë vjetori i lindjes së veprimtarit të shquar arbëreshë Antonio Belushit, që u mbajt në Frasnitë të Kalabrisë.

Në këtë Konferencë ku morën pjesë autoritete të larta politike dhe fetare arbëreshe  të Kalabrisë dhe përfaqësues nga Shqipëria, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri mbajti një fjalë rasti ku në emër të Qeverisë së Kosovës vlerësoi lartë gjithë popullin arbëreshë për angazhimet e tyre të pareshtura për të ruajtur dhe kultivuar identitetin kombëtar shqiptar.

Ajo tha se arbëreshët e Italisë janë pjesa më e fuqishme e kombit shqiptar sepse edhe pas pesë shekujve të jetës tuaj jashtë tokave shqiptare ju keni ruajtur gjuhën dhe gjakun shqiptar. Ju u detyruat të largoheni nga tokat shqiptare por asnjëherë nuk u larguat nga shqiptaria. Ne shqiptarët ju kemi pasur gjithnjë burim frymëzimi dhe fuqie, në luftën tonë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës të cilën e fituam me sukses pas një shekulli robërie. Tani jemi dy shtete shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, dhe kemi mundësi shumë më të mëdha të forcojmë lidhjet shpirtërore dhe kombëtare me vëllezërit dhe motrat tona arbëreshe, tha znj. Tahiri.

Zëvendëskryeministrja Tahiri shprehu urimet më të përzemërta për ditëlindjen e tetëdhjetë të patriotit Antonio Belushit duke e vlerësuar atë si lider kombëtar, shpirtëror, fetar dhe akademik i cili tërë qenien e vet ia kushtoi çështjes kombëtare dhe në veçanti punoi për arbëreshët e Italisë dhe arvanitasit e Greqisë.

Gjatë kësaj konference, zëvendëskryeministrja Tahiri zhvilloi një bisedë me Kryepeshkopin e Kishës Bizantine Arbëreshe, Imzot Donato Oliverio, ku vlerësoi rolin e kishës në ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar të arbëreshëve si dhe mori pjesë në Liturgjinë e mbajtur në Kishën arbëreshe në Frasnitë.

Po ashtu, zëvendëskryeministrja Tahiri ka vizituar Bibliotekën Ndërkombëtare Arbëreshe të z. Antonio Belushi në Frasnitë ku nga z. Antonio Belushi u njoftua me gjithë pasurinë shkencore dhe letrare të kësaj biblioteke pan shqiptare. z. Belushi në nderim të vizitës së zonjës Tahiri ia dhuroi asaj veprën e tij të fundit kushtuar arbëreshëve me titull “ Populli i padukshëm.”

Në vazhdim të kësaj vizite, zëvendëskryeministrja Tahiri së bashku me Sekretarin e MAPL-se z.Besnik Osmani dhe delegacionin e Kosovës u pritën në takim nga kryetari i Bashkisë së Frasnitës z. Angelo Catapano. Poashtu delegacioni ka vizituar edhe Bashkinë në Çift ku në muzeun etnografik arbëreshë së bashku me kryetarin e Bashkisë z. Alessandro Tocci mori pjesë në simpoziumin kulturor kushtuar veshjeve tradicionale arbëresho-shqiptare.

Gjatë këtij qëndrimi, Sekretari i MAPL-së. z. Besnik Osmani zhvilloi takime të ndara me kryetarët e bashkive të Frasnitit dhe Çiftit ku u bisedua për vendosjen e bashkëpunimit mes këtyre komunave dhe atyre në Kosovës si dhe u ra dakord që në një të ardhme të afërt këto dy komuna të binjakëzohen me dy komuna të Kosovës.

Gjatë vizitës në Kalabri, zëvendëskryeministrja u shoqërua nga këshilltarët politik Elona Cecelia dhe Gazmir Raci, shefi i protokollit Imer Reçica dhe Sekretari i Ministrisë së Administratës së Pushtetit Lokal, Besnik Osmani.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)