25 Prill 2024

Merkel bën bashkë liderët ballkanik në Berlin

Berlin, 28 gusht -  Kryeqyteti i Gjermanisë, Berlini, sot do të jetë nikoqir i Konferencës për Ballkanin Perëndimor, në të cilën do të marrin pjesë liderët e vendeve të Ballkanit.

Kjo konferencë mbahet nën patronatin e kancelares gjermane Angela Merkel, e cila i ka ftuar edhe dy kryeministrat shqiptarë, atë të Shqipërisë, Edi Rama dhe atë të Kosovës, Hashim Thaçi. 

Rreth orës 15:20 të pasdites pritet që kancelaria gjermane Angela Merkel të përshëndesë kryeministrat e Ballkanit.
Në fund të Konferencës për Ballkanin Perëndimor, medieve pritet t’u drejtohen kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili do të flasë në emër të liderëve të Ballkanit.

Nëpërmjet një deklaratë për medie qeveria gjermane ka publikuar një pjesë të agjendës sa i përket Konferencës për Ballkanin në Berlin.

“Pas pjesëmarrjes së saj, para pak javësh në takimin e kryetarëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit Brdo-Brijun, i cili u zhvillua më 15 korrik në Dubrovnik, kancelarja Federale Angela Merkel, së bashku me ministrin Federal të Ekonomisë, Gabriel dhe ministrin e Jashtëm Federal, Steinmeier, do t’i presin kryetarët e qeverive, ministrat e jashtëm dhe ministrat e ekonomisë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe të Kroacisë dhe Sllovenisë.

Qëllimi i këtyre takimeve do të jetë trajtimi i çështjeve të hapura në rajon, forcimi dhe mbështetja e bashkëpunimit të shteteve me njëra-tjetrën, afrimi politik, ekonomik dhe zhvillimet për sa i përket shtetit të së drejtës”, thuhet në deklaratën e qeverisë gjermane.

Sot gjithashtu do të zhvillohet një mbledhje pune, ku pjesë do të jetë edhe Bashkimi Evropian, i cili përfaqësohet nga kryetari i Komisionit, Barroso.

Pas mbledhjes mes kancelares, Barrosos dhe tetë kryetarëve të shteteve, do të vijojë një mbledhje plenare në kuadrin e një darke pune nga ora 18:30 deri në 20:30.

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të takohet me kryeministrat pjesëmarrës në konferencën e shteteve të Ballkanit Perëndimor, respektivisht kryeministrin e Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Kroacisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Sllovenisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)