25 Prill 2024

Kryesuesi zviceran i radhës i OSBE-së viziton Ballkanin Perëndimor

Bern, 24 prill - Ministri i Jashtëm zviceran dhe Kryesuesi i radhës i OSBE-së, Didier Burkhalter do të vizitojë Beogradin, Tiranën dhe Prishtinën sot dhe nesër, për t\'u takuar me udhëheqës politikë dhe për të diskutuar angazhimin e Zvicrës në rajon si kryesuese e OSBE-së.

Pajtimi dhe bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor janë ndër prioritetet e kryesimit të OSBE-së nga Zvicra, që mbështetet në angazhimin e kamotshëm të këtij vendi në nxitjen e paqes në këtë pjesë të botës, tha Burkhalter në prag të vizitës.

Me gjashtë misione në terren anembanë rajonit, Ballkani Perëndimor është një fushë e rëndësishme për operacionet e OSBE-së, shtoi ai.

Vizita e kryesuesit të radhës ka për qëllim mbështetjen e tri proceseve të vazhdueshme që Zvicra i ka identifikuar si të rëndësishme për stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

Këto janë normalizimi i marrëdhënieve, në përputhje me marrëveshjen e arritur në mes të Beogradit dhe Prishtinës vitin e kaluar, forcimi i përpjekjeve të bashkëpunimit rajonal, dhe inkurajimi i pajtimit rajonal në veçanti kur është fjala për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur.

Serbia, e cila merr kryesimin e OSBE-së vitin e ardhshëm, është ndalesa e parë e vizitës së Burkhalter. Atje do të takohet me Presidentin Tomislav Nikoliç dhe mandatarin për kryeministër Aleksandër Vuçiç. Është planifikuar edhe një takim me Ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivan Mërkiç.

Në Tiranë Burkhalter do të takohet me Presidentin Bujar Nishani dhe Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, para takimit me të rinj shqiptarë të cilët janë duke marrë pjesë në ligjërata të edukatës qytetare si pjesë e një projekti të OSBE-së.

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë më 25 prill ai do të takohet me Presidenten Atifete Jahjaga dhe Kryeministrin Hashim Thaçi. Gjithashtu, me të rinj të komunitetit shqiptar dhe serb të Kosovës do të diskutojë çështjen e të drejtave të njeriut.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)