20 Prill 2024

Hoxhaj merr mbështetje në Romë për investimet, vizat dhe MSA-në

Romë, 15 prill - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar në Romë ministren e Jashtme të Italisë, Federica Mogherini, pak javë pas emërimit të saj në krye të diplomacisë italiane dhe formimit të Qeverisë së re.

Kryediplomati Hoxhaj e ka informuar homologen Mogherini për të arriturat e Kosovës në planin ekonomik, të sundimit të ligjit, dialogun me Serbinë dhe në procesin e integrimeve evropiane, veçmas liberalizimin e vizave dhe MSA-në.

Me theks të veçantë, Hoxhaj është ndalur në mundësinë e rritjes së investimeve italiane në Kosovë dhe organizimin e një Samiti të përbashkët Kosovë-Itali për shkëmbimet ekonomike e tregtare, për çfarë edhe ka marrë mbështetjen e Italisë.

“Sot kisha një takim të shkëlqyeshëm me ministren e Jashtme të Italisë, ku pata mundësinë të diskutojmë për tri çështje me rëndësi. E para, se si të kemi sa më shumë investime nga Italia në Kosovë dhe besoj që në një të ardhme të afërt do ta organizojmë një Samit të përbashkët Itali-Kosovë. Së dyti, si ta kemi mbështetjen e Italisë në procesin e liberalizimit të vizave dhe së treti, ta kemi mbështetjen italiane për përmbylljen e negociatave të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe nënshkrimin e saj. Në të tri këto çështje ne siguruam mbështetjen e plotë të Italisë”, ka thënë Hoxhaj.

Ministrja e Jashtme e Italisë, Federica Mogherini, vendi i së cilës merr kryesimin e BE-së pas dy muajsh, shprehu përkushtimin e Italisë për ta përkrahur Kosovën në perspektivën evropiane.

“Është ekstremisht e qartë për ne që ta tregojmë mbështetjen e vazhdueshme të Italisë për Kosovën. Për ne është ekstremisht i rëndësishëm procesi i dialogut, dhe i reformave që Kosova ka ndërmarrë dhe për këtë jemi shumë të interesuar ta mbështesim Kosovën në këtë drejtim. Njëkohësisht duam të shohim sa më shumë marrëdhënie të forcuara me BE-në dhe ne jemi gati për ta bërë këtë gjatë presidencës italiane që do të jetë edhe fokusi ynë”, ka thënë ministrja Mogherini.

Pas takimit, të dy ministrat kanë nënshkruar Marrëveshjen për pranimin e personave që qëndrojnë pa autorizim, ndërsa në proces janë edhe disa marrëveshje përfshirë edhe njohjen e patentë shoferëve të Kosovës në Itali. 

Në vizitën dyditëshe në Itali, ministri Enver Hoxhaj ka qëndruar edhe në Vatikan për të lobuar për njohjen e Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)