19 Prill 2024

Kryetari Bahtiri po e vazhdon vizitën zyrtare në Kanada dhe SHBA

Otava, 15 prill - Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri po vazhdon vizitën e tij zyrtare në Kanada dhe SHBA. Në kryeqytetin e Albertës, Edmonton, në Kanada, kryetari Bahtiri ka pas një takim miqësor me komunitetin shqiptaro-kanadez. Përfaqësuesit e  Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në Edmonton i kanë dhënë mbështetje të plotë kryetarit Bahtiri për punën e tij të suksesshme në ndërtimin e një qeverisje efektive për Mitrovicën.

Në New York City, kryetari Bahtiri është pritur në një takim shumë miqësor dhe të veçantë nga përfaqësues të Bordit të Drejtorëve të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe ata të Federatës Panshqiptare VATRA. Në takim ishin të pranishëm edhe ikonat e lobit shqiptar në Amerikë,  kongresisti Joe DioGuardi dhe znj. Shirley Cloyes, këshilltare për çështje të Ballkanit.

Në fjalën hyrëse, Faton Bislimi, anëtar i Bordit të lobit shqiptar në SHBA dhe ligjërues universiteti ne Edmonton, Kanada, ka paraqit një biografi të shkurtër të kryetarit Bahtiri para të pranishmëve.

Profesori Bislimi ka thënë se ideali dhe vizioni i kryetarit Bahtiri për një Mitrovicë të zhvilluar ekonomikisht dhe të bashkuar politikisht, janë dy shtylla kyçe që po e ndërrojnë qeverisjen lokale në atë komunë, duke e kthyer kështu Mitrovicën në shembull të qeverisjes lokale për gjithë Kosovën.

“Shpeshherë njerëzit e kanë pyetur z. Bahtiri se pse po e linte jetën e vet aq të mirë në Holandë dhe familjen mbi njëzet anëtarësh atje për t’u kthyer në Mitrovicë. Përgjigja e tij ka qenë se këtu po e gjej një familje prej shtatëdhjetë e njëmijë anëtarësh,” ka thënë Bislimi, duke shtuar se “ky vizion i kryetarit Bahtiri është i bazuar në trajtimin e tij shumë serioz dhe dashamirës për qytetarët e vet, duke i parë ata si pjesë të familjes dhe jo vetëm si elektorat.”

Kryetari Bahtiri ka  elaborua në mënyrë të qartë e konkrete programin e tij qeverisës dhe primatin që ia ka dhënë zhvillimit ekonomik të Mitrovicës. Ai ka folur edhe për rëndësinë e ligjit të ri për Trepçën dhe atë për Zonën e Lirë Ekonomike, duke treguar mundësitë që ofron Mitrovica për investitorët e huaj dhe ata të diasporës sonë.

“Unë nuk mund të lejoj që qytetarët e mi të flenë mbi arë e të mos kenë miell për bukë. Unë nuk mund të lejoj që Mitrovica të vazhdojë të jetë nën mjegullën e varfërisë dhe mjerimit që e ka kapluar tash e sa vite. Por, do të bëj gjithçka që është e mundur për të sjellë zhvillim ekonomik, gjenerim të vendeve të reja të punës dhe prosperitet për Mitrovicën,” ka thënë Bahtiri. Ai ka shtuar, se angazhimin e tij në politikë e sheh vetëm si shërbim për qytetarët e vendit të vet, si një përgjegjësi të madhe për qeverisjen e një komune komplekse siç është Mitrovica dhe assesi si ndonjë privilegj të veçantë.

Kryetari Bahtiri po ashtu ka bërë të ditur përkushtimin e tij për të sjellë liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët e Mitrovicës, këndej e andej urës së Ibrit.

“Koha ka ardhur që ato barrikada me rërë mbi atë urë të hiqen. Koha ka ardhur që njerëzve t’u ofrohet siguri dhe lëvizje e lirë në të gjithë komunën. Dhe, unë do të angazhohem maksimalisht që së bashku edhe me homologun tim andej urës t’i heqim këto barrikada dhe të ofrojmë lëvizje të lire për të gjithë qytetarët. Nuk mund të ndërtojmë të ardhme të mirë as për jugun e as për veriun e Mitrovicës ndaras. E ardhmja e Mitrovicës është e përbashkët për të gjithë,  këndej e andej urës. Prandaj, unë nuk do të zmbrapsem në asnjë moment as nga vendimi im për të çuar deri në fund edhe rivendosjen e shqiptarëve të ikur nga veriu në pronat e tyre, pasi që shtëpitë e tyre të rindërtohen. Por, këtë do t’ua ofrojmë edhe serbëve të ikur nga jugu,” ka thënë Bahtiri. 

Ai po ashtu ju ka  bërë thirrje bashkatdhetarëve që të kthehen në Kosovë për të punuar, kandiduar, por edhe për të investuar atje, sepse Kosova ka nevojë për njerëz të suksesshëm të biznesit, për të udhëhequr shumë procese ekonomike dhe zhvillimore të vendit, pasi që vetëm këta njerëz mund të arrijnë sukses në eliminimin e varfërisë në Kosovë.

Në këto takime të kryetarit Bahtiri, të pranishmit kanë ngritur shumë reagime në lidhje me marrëveshjet e fundit Beograd-Prishtinë, duke thënë se ato janë në dëm të Kosovës dhe se po cenojnë edhe vet shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Kryetari Bahtiri në përgjigjen e tij ka thënë se e mbështet dialogun, si mjet për zgjidhje të mosmarrëveshjeve, por në tavolinën e bisedimeve duhet të ulen njerëzit me duar të pastra, jo njerëz të shantazhuar, ashtu që marrëveshjet të jenë në të mirë të të gjithë vendit.

Kryetarit Bahtirit i është dhënë mbështetje e fuqishme në të dyja këto takime, në rrugën të qeverisjes së re që ka sjellë në Mitrovicë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)