24 Prill 2024

Nihat Özdemir: Limak i kushton shumë rëndësi Ballkanit

Tiranë, 23 shtator - Ashtu si disa shtete të Ballkanit edhe Shqipëria ka burime të shumta të energjisë hidrike. Në këtë fushë operojnë disa kompani vendase dhe të huaja, por kohët e fundit hyrja e kompanisë norvegjeze Statkraft në këtë sektor solli edhe vënien në punë të hidrocentralit të Banjës.

Ndërtimin e dy hidrocentraleve si vepër madhore të kësaj kompanie i realizon kompania e njohur turke Limak, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i Bordit Drejtues të kompanisë Limak, Nihat Özdemir, në një deklaratë për gazetarin e AA, dha detaje mbi punën e kompanisë në Shqipëri dhe planet e saj për të ardhmen në rajonin e Ballkanit.

\"Ne në Shqipëri jemi duke bërë dy projekte për kompaninë norvegjeze Statkraft. Njëri prej tyre është diga e hidrocentralit 75 megavatësh i Banjës, ku për një kohë të shkurtër bëmë të mundur ndërtimin. Ky hidrocentral që nga dita e premte do të fillojë me prodhimin e energjisë. Normalisht ndërtimi i një dige të tillë dhe për një kompani prestigjioze botërore si Statkraft për ne është një nder\", u shpreh Özdemir.

Sipas tij, mbi këtë digë është edhe një tjetër digë të cilën Limak është duke e ndërtuar, ajo e hidrocentralit të Moglicës që ka një kapacitet prej 175 megavat. Puna për ndërtimin e saj është duke vazhduar me shpejtësi.

\"Kontrata jonë parashikon që ta dorëzojmë atë më 1 janar të vitit 2018. Kemi rreth 500 punonjës atje. Besoj se nëse nuk do të kemi ndonjë avari edhe atë do ta mbarojmë në datën e caktuar. Këto janë dy projekte të njëpasnjëshme në Shqipëri. Normalisht janë të rëndësishme pasi Shqipëria ka një potencial të rëndësishëm ujërash të cilët kanë një fuqi të madhe hidroenergjetike. Nëse do të bënim një krahasim me ato në Turqi, Shqipëria ka burime hidrike dy herë më shumë produktive\", ka theksuar më tej kryetari i Bordit Drejtues të kompanisë Limak, Nihat Özdemir.

Krahas këtyre dy projekteve, Limak është duke u interesuar për të gjetur mundësinë e investimit në fushën e energjisë në Shqipëri, pasi shikohet sipas si një vend me ekonomi në rritje dhe për faktin se është kandidate për anëtare të BE-së.

\"Ne si Limak i kushtojmë shumë rëndësi vendeve të Ballkanit. Jemi të pranishëm edhe në Kosovë. Në Kosovë merremi me shpërndarjen e energjisë. Normalisht atje do të na duhet energji. Aeroporti i Prishtinës është nën administrimin tonë dhe në të njëjtën kohë edhe në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, do të nisim një projekt, investim shumë të rëndësishëm. Atje jemi duke ndërtuar një kompleks brenda të cilit do të ketë rezidenca, qendër tregtare etj. Ne i japim shumë rëndësi Ballkanit, pasi edhe udhëheqësit tanë të shtetit vazhdimisht na nxisin dhe na drejtojnë për një gjë të tillë. Për këtë arsye edhe Shqipëria është pjesë e këtyre vendeve. Puna jonë në trekëndëshin Maqedoni-Kosovë-Shqipëri është shumë e rëndësishme për praninë tonë si kompani\", ka shtuar më tej Özdemir.

Në përfundim të fjalës së tij Özdemir shprehet se në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e ndjen veten si në shtëpinë e tij. ‘’Veçanërisht të jetosh në Prizren është një ndjenjë krejtësisht tjetër. Edhe në Shqipëri, si në Tiranë ashtu edhe në Elbasan hasim shumë të rinj që dinë turqisht. Normalisht të njohësh një gjuhë është shumë e rëndësishme. Momentalisht në kantieret tona ka shumë të rinj shqiptarë që punojnë për kompaninë tonë. Jemi shumë të kënaqur nga ata. Madje kemi edhe firma shqiptare që punojnë si nënkontraktorë për ne. Gjithashtu edhe nga ata jemi shumë të kënaqur\", ka theksuar Özdemir.

Ndërkohë sot në Shqipëri u zhvillua ceremonia e vënies në punë të Hidrocentralit të Banjës si pjesë e projektit të \"Devoll Hidropower- Statkraft\". Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministri shqiptar i Energjisë e Industrisë, Damian Gjiknuri, diplomatë, etj.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë, Hidrocentrali i Banjës është vepra e parë e përfunduar në projektin hidroenergjitik të Kaskadës së Devollit. Ndërtimi i \"HEC Banja\" ka filluar në qershor të vitit 2013, ku më shumë se 2000 punëtorë u punësuan në ndërtimin e këtij hidrocentrali. Kapaciteti i instaluar i \"HEC Banja\" është 73 MW dhe lartësia e digës është 80 m e lartë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)